Eurodeputetja Tanja Fajon per mikrofonin e Top - Channel, deklaron se nuk përbën rrezik rikthimi i vizave në zonën Schengen, por rritja e numrit të azilkërkuesve shqiptarë sipas saj ka krijuar probleme shqetësuese. Ndaj Fajon kërkon nga qeveria që të marrë masa.
TCH: A përbëjnë shqiptarët me të vërtetë rrezik për azil në Schengen, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit?
Tanja Fajon, raportuese për vizat, PE: Nuk do të thosha se përbën rrezik sot, por ajo që dimë me siguri janë të dhënat e reja për azilkërkuesit shqiptarë në zonën Schengen, të ardhur më së shumti në Gjermani, që kanë pësuar rritje shqetësuese. Këtë vit po shohim një rritje që është domethënëse, ndaj do të doja të lajmëroja autoritetet vendase që shpresoj se po punojnë për të bërë gjithçka në mënyrë që mos të përballemi me situatën kur një vend anëtar kërkon pezullim të përkohshëm të regjimit të lirë, pa viza. Në Shkurt pamë një rritje prej më shumë se 100% krahasuar me Janarin. Sigurisht, po të shohim numrat e azilkërkuesve, nuk janë shifra kaq të mëdha, por janë shqetësuese. Shqiptarët më së shumti po kërkojnë azil në Gjermani, në Zvicër ose Britani të Madhe dhe tashmë në Bashkimin Europian, ne kemi një mekanizëm që do t'u mundësojë vendeve anëtare të rivendosin vizat. E unë nuk dua të shoh që të ndodhë kështu.
TCH: Kur bazohemi në raportin javor të vendeve anëtare ndaj FRONTEX, shohim dhe krahasime në mijra përqind. A mjafton kjo për Gjermaninë që t'i kërkojë Komisionit të zbatojë këtë mekanizëm pezullues me Shqipërinë?
Tanja: Çdo vend anëtar mund të kërkojë rivendosjen e vizave për këdo nga vendet që përfiton sot nga regjimi i lirë. Kështu që ky rrezik ekziston, por nuk do të lëshoja alarmin. E rëndësishme është që Tirana, politikanët dhe autoritetet përgjegjëse, të punojë ngushtë me Brukselin dhe të bëjë vërtet gjithçka çfarë është e nevojshme në mënyrë që njerëzit të jenë në dijeni se ata nuk duhet udhëtojnë e të abuzojnë me rregullat. Ata nuk mund të kërkojnë punë. Sigurisht ka një numër njerëzish, të cilëve u justifikohet azili. Por në shumicën e rasteve, njerëzit kthehen forcërisht në atdhe e humbasin të drejtën e udhëtimit, duke vënë në rrezik të gjithë vendin. Për këtë arsye është e rëndësishme të parandalohen këto abuzime, dhe të sigurohemi të gjithë sepse ajo që shohim sot është dhe rritja e numrit të emigrantëve ilegal që dalin nga Shqipëria, dhe kjo kërkon vëmendje. Ajo që është e domosdoshme është që Tirana po bën gjithçka në bashkëpunim me Brukselin, sipas autoriteteve respektive, për të garantuar kufijtë, sigurinë e dokumentave e që të mos shohim se njerëzit abuzojnë me rregullat. Siç e thashë, ne jemi në një situatë të vështirë në Europë dhe e kemi këtë mekanizëm që vende si Gjermania do mund të kërkonin të hynte në fuqi. Por, e reja është se Gjermania javën e kaluar konfirmoi se do të listojë Ballkanin tek grupi i vendeve me origjinë të sigurt. Kjo do të shkurtojë kohën për procedurat e azilit, me shpresën se do të çojë drejt një situate ku më pak njerëz do të thyenin rregullat, apo më pak persona do të tentonin të abuzonin me sistemin.
TCH: Me ndryshimet në rregullore, çfarë procedure ndiqet më pas nëse përdoret ky mekanizëm?
Tanja: Kur një apo disa vende anëtare vërejnë se ka probleme, një rritje të menjëhershme të azilkërkuesve, ata njoftojnë Komisionin dhe mund të kërkojnë për vlerësim. Sigurisht që Komisioni do të dërgojë ekspertët për të bërë vlerësimin dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, ata mund të arrijnë konsensusin, pa ndryshuar legjislacionin e pa e diskutuar fare me Parlamentin Europian, që brenda pak javësh të rivendosen vizat për Shqipërinë, apo këdo tjetër vend. Kjo është e mundur dhe tjetra që dua të përmend është se e gjithë paketa për regjimin e lirë të vizave dhe reciprocitetin është para Gjykatës së Drejtësisë së BE. Komisioni vendosi ta sfidojë para gjykatës këtë paketë për shkak të pjesës së reciprocitetit dhe abuzimit me aktet ligjore. Gjithsesi, ky mekanizm është në fuqi, edhe pse nuk kemi një vendim të prerë nga Gjykata.