English

Valbona Selimllari: Kam 3 femije, dy djem dhe një vajzë

Vajza e pare e konkursit te bukurise e perzgjedhur qe ne vitin 1992, Valbona Selimllari ka pranuar për herë të parë se ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, 9 muajshe. Ishte Sonila Meço, ajo që arriti pas kaq vitesh heshtjeje - dhe dhjetëra stërmundime gazetarësh për t’i nxjerrë qoftë edhe një informacion të tërthortë - të bindë një nga personazhet më të dashur të shqiptarëve, që të rrëfejë për familjen e saj.

“Ka qenë një zgjedhje e imja që të mos flisja për fëmijët në media. Jam shumë protektive ndaj familjes” ka thënë ajo gjatë intervistës në emisionin “Kontrata” në Agon Channel. Valbona ka rrëfyer se është një nënë tërësisht e përkushtuar dhe se fëmijët mbajnë mbiemrin e saj.

Në asnjë moment ajo nuk ka preferuar të flasë për identitetin e babait të fëmijëve, biznesmen dhe investitor i fuqishëm në prodhimin vendas, me të cilin është njohur në vitet 90-të.

Valbona Selimllari edhe kur s’ka qenë e aktivizuar në programe televizive, ka qenë gjithmonë e preferuara e medies, por çuditërisht, askush nuk ka guxuar ose gjithkush ka dashur të respektojë dëshirën e ish-Miss Albania për të mos përmendur familjen.

Në vitin 2008, menjëherë pas sfilitës së Geraldina Sposa, ku Valbona Selimllari ishte përzgjedhur si “Nusja e Vitit”, "Gazeta Shqiptare" ishte e para që nisi të thoshte diçka.

Në faqe të parë doli një shkrim me foton e Valbonës nuse dhe titullin "Nëna që nuk u bë kurrë nuse". Por ky informacion mbeti i izoluar dhe askush tjetër nuk e përmendi dhe Valbona nuk e diskutoi kurrë, në asnjë intervistë.

Pavarësisht kësaj zgjedhjeje - që shumë njerëz e konsideruan të çuditshme dhe aspak normale - Valbona asnjëherë nuk është rrëzuar nga piedestali ku qëndron që me marrjen e kurorës në vitin 1992, si një prej njerëzve më të dashur dhe më popullorë pas viteve 90-të.

Në një intervistë për suplementin “Unë Gruaja” të gazetës Panorama, ajo shpjegon adhurimin që shqiptarët kanë për figurën e saj: “Them se jam e mirë dhe njerëzit më duan. Nuk jam ekstravagante dhe besoj se njerëzit janë të prirur të shohin dhe vlerësojnë thjeshtësinë. U pëlqen natyralja.”

Dhe mesa duket, me natyralitetin dhe thjeshtësinë e saj, Valbona ka arritur të fitojë jo vetëm zemrat e njerëzve, por edhe të gazetarëve të të gjitha mediave. Këta të fundit si rrallë ndonjëherë, kanë pranuar unanimisht që të heshtin për fëmijët e moderatores së “Nga e Para”, derisa Valbona të vendos të flasë vetë. /Anabel/

KOMENTE