English

Përgjegjësitë dhe të drejtat e pacientit

Autoriteti Shëndetësor Rajonal Tiranë ka ofruar prej disa vitesh të dhëna për kartën e të drejtave, por që ende nuk janë bërë pjesë e mënyrës reale të të funksionuarit të një qendre shëndetësore në vendin tonë. Më poshtë, po japim 11 pikat bazë të Kartës së pacientit.

TË DREJTAT E PACIENTIT

-Të ketë akses për shërbim shëndetësor

-Të ketë besueshmëri dhe intimitet

-Të jetë i informuar

-Të referohet për vizitë më të kualifikuar kur ka nevojë

-Të zgjedhë mjekun e familjes në kujdesin parësor një herë në vit

-Të ketë kujdes të vazhdueshëm

-Të marrë pjesë në vendimmarrje lidhur me shëndetin e tij

-Të trajtohet nga personel mjek/infermier të kualifikuar

-Të refuzojë trajtimin mjekësor

-Të ketë dijeni mbi skemën e sigurimit të tij shëndetësor

-Të ketë të drejtë dhe të dijë se ku të ankohet për shërbimin shëndetësor që i ofrohet

PËRGJEGJËSITË E PACIENTIT

-Të bëjë një jetë të shëndetshme

-Të kujdeset dhe të mbrojë ambientin ku jeton

-Të respektojë të drejtat e pacientëve të tjerë dhe të personelit mjekësor

-Të përdorë në mënyrë optimale dhe të mos abuzojë në sistemin shëndetësor

-Të njohë shërbimet shëndetësore që i ofrohen atij në nivel lokal

-Të informojë në mënyrë korrekte personelin shëndetësor nëse i kërkohet informacion për diagnozën, trajtimin, këshillimin ose rehabilitimin e tij

-Të këshillohet dhe të pranojë procedurat e trajtimit mjekësor dhe rehabilitimit të tij fizik

-Të interesohet për koston dhe mënyrën e pagesave të mundshme

-Të kujdeset për librezën shëndetësore



Karta Europiane e të Drejtave të Pacientit

“Poliklinika dhe Qytetari” sjell për herë të parë dokumentin bazë me 14 pika që përdoret në BE dhe që rregullon raportet institucionale mjek-pacient

Çështjes së të drejtave të pacientëve përfundimisht iu kushtua një vëmendje e plotë dhe e veçantë në zbatimin e Kartës Europiane të të Drejtave të Pacientëve në nëntor të vitit 2002.

Vendosja e këtyre të drejtave në Kartën Europiane shërbeu aktivitisht për të mbështetur dhe nxitur aplikimin në nivel kombëtar dhe të BE-së. Karta nënvizoi gjithashtu edhe disa parime drejtuese në lidhje me të drejtat e pacientëve:

-Përgjegjësia për shëndetin ndahet mes qytetarëve individuale dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor

-Karta vlen për të gjithë individët

-Karta nuk mund të supozohet të ketë një pozicion për çështjet etike

Karta kërkon më tej që të drejtat e përcaktuara janë një mishërim i të drejtave themelore të zbatueshme në mjedisin e Sistemit Europian të Kujdesit Shëndetësor. Teksa përcakton dhe ilustron të drejtat e specifikuara, Karta ofron parime udhëheqëse në vend të një manuali për të gjithë rastet e mundshme.

1-E drejta për Mjekësinë Parandaluese

Çdo individ ka të drejtën e shërbimit të duhur për të parandaluar sëmundjen.

2-E drejta e Aksesit

Çdo individ ka të drejtë të ketë akses në shërbimet e shëndetit për të cilët kanë nevojë shëndeti i tij ose i saj. Shërbimet e shëndetit duhet të garantojnë akses të barabartë për të gjithë, pa diskriminim mbi bazën e burimeve financiare, vendbanimit, llojit të sëmundjes apo të kohës së futjes (aksesit) te shërbimet

3-E drejta e Informacionit

Çdo individ ka të drejtën e aksesit tek të gjithë format e informacionit për shëndetin e tij, tek shërbimet e shëndetit dhe si t’i përdorë ato dhe gjithçka që disponohet nga kërkimet shëndetësore dhe novacionet teknologjike.

4-E drejta e Pëlqimit (consent)

Çdo individ ka të drejtën e aksesit ndaj çdo lloj forme informacioni që mund t’i japë mundësinë atij që të marrë pjesë aktive në vendimet për shëndetin e tij.

5-E drejta për Zgjedhjen e Lirë

Çdo individ ka të drejtë të zgjedhë i lirë procedurat e trajtimit dhe ofruesit e ndryshëm mbi bazën e informacioneve të sakta.

6-E drejta për Jetën Private dhe Sekretin

Çdo individ ka të drejtën për ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit personal, përfshirë informacionin për gjendjen e shëndetit të tij dhe diagnostikimit të mundshëm apo procedurave terapeutike dhe të drejtën për ruajtjen e jetës (sferës) private gjatë analizave diagnostikuese, vizitave të specialistëve dhe të trajnimit mjekësor-kirurgjikal në përgjithësi.

7- E drejta për të respektuar Kohën e Pacientëve

Çdo individ ka të drejtën për të marrë trajtimin e nevojshëm brenda një kohe të shpejtë dhe të paracaktuar, në çdo fazë të trajtimit.

8- E drejta për Respektimin e Standardeve të Cilësisë

Çdo individ ka të drejtën e aksesit ndaj shërbimeve mjekësore të cilësisë së lartë, siç specifikohet nga autoritetet që vendosin standardet.



9- E drejta për Sigurinë

Çdo individ ka të drejtën të mos dëmtohet nga keqfunksionimi i shërbimeve ndaj shëndetit, nga praktikat e këqija dhe gabimet mjekësore, si dhe të drejtën e akszesit tek shërbimet e shëndetit dhe trajtimet që përkojnë me standardet e sigurisë së lartë.

10- E drejta e Novacionit

Çdo individ ka të drejtën e aksesit tek procedurat novative, përfshirë këtu procedurat diagnostikuese, sipas standardeve ndërkombëtare, pavarësisht nga konsideratat ekonomike apo financiare.

11-E drejta për të Shmangur Vuajtjet dhe Dhimbjet e panevojshme

Çdo individ ka të drejtën të shmangë sa më shumë që të jetë e mundur, brenda shërbimeve të kujdesit ndaj shëndetit, vuajtjen dhe dhimbjen në çdo fazë të sëmundjes.

12-E drejta për trajtim që i përshtatet personit

Çdo invidid ka të drejtën për të pasur programe diagnostikuese apo terapeutike të përputhura sa më shumë me nevojat personale

13-E drejta për t’u Ankuar

Çdo individ ka të drejtën të ankohet sa herë që ai apo ajo ka pësuar dëmtime, dhe të drejtën të marrë një përgjigje në kohë apo një tjetër informacion.

14- E drejta e Kompensimit

Çdo individ ka të drejtën të marrë kompensimin e duhur brenda një periudhe relativisht të shkurtër nëse ai apo ajo ka vuajtur dëmtime fizike morale apo psikologjike nga trajtimi i shërbimit mjekësor.

KOMENTE