English

Ujërat e zeza dhe derdhja e tyre në Detin Adriatik. Ku shkoi impianti me vlerë 11,5 milion euro

A do te kete akoma probleme me derdhjen e ujrave te zeza ne Detin Adriatik?
Deri kur do te kemi "luksin" per te mos rrudhur buzet per plazhet tona edhe pse jane me te bukurit.

Por derdhja e ujërave të zeza në Detin Adriatik duket se është një problem që nuk gjen zgjidhje për banorët e zonës dhe pushuesit e plazhit në të gjithë gjatësinë nga Plepat deri në Golem. Shenjat e kësaj ndotjeje vihen re që në rrugën nacionale Plepa-Rrogozhinë dhe më pas ato përfundojnë në det. Banorët shpresojnë se do të merren masa këtë vit, ndërkohë që ende nuk ka filluar sezoni i pushimeve.

Impianti i përpunimit të ujerave te zeza është inauguruar në muajin prill të vitit të kaluar dhe ka kushtuar 11.5 milion euro, por nuk ka funksionuar asnjëherë plotësisht për probleme teknike. Kanali kryesor që nis nga Përroi i Agait, në kufi me komunën e Golemit deri në impiant ka përfunduar. Ai kalon në brezin e rërës, por kanalizimet sekondare janë ndërtuar vetëm në një gjatësi të vogël, nga Përroi i Agait deri tek Majestiku, aty ku derdhen në det ujërat e zeza. Sipas specialistëve, duhet të bëhet një tender tjetër që të nisë ndërtimi i kanalizimeve sekondare në këtë zonë, si dhe të bëhet më pas lidhja e tyre me kanalin kryesor. Po ashtu, e njëjta punë duhet të bëhet edhe pjesa e shtëpive private tek zona e plazhit, matanë rrugës. Për momentin në këtë impiant shkojnë ujërat e zeza të qytetit të Durrësit dhe një pjesë e plazhit. Ndërkohë, edhe operatorët turistikë kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë gjendje. Sipas tyre, pastërtia në rërë dhe ujë as nuk duhet të vihet në diskutim në kushtet kur Shqipëria kërkon të zgjerojë gjeografinë e turistëve të huaj në plazhet tona.

Për segmentin Plepa -Golem, edhe ndërtimi i rrugës së re dhe rrugëve paralele ka krijuar probleme të reja për pushuesit dhe banorët dhe pushuesit. Sinjalistika turistike mungon tërësisht, ndërsa pjesa e hoteleve që gjendet pas rrugës në pjesën e kodrës gjendet e izoluar, pasi autobusët që kryejnë linjën Durrës-Plepa-Golem, kalojnë vetëm nga rruga tjetër, buzë detit. Komuna e Rrashbullit është ajo që administron këtë pjesë të plazhit, por higjiena dhe pastrimi i mbetjeve urbane në stinën e verës janë një nga problemet e shumta të sezonit turistik që edhe pse nuk ka filluar zyrtarisht, sa i takon temperaturave thuajse është në prag të derës.

KOMENTE