English

Shërbimi funeral i Bashkisë së qytetit nuk do të ofrohet më. Drejtohuni te kryeministri

“Jemi këtu në varrezat e Tufinës dhe në të vërtetë është vendi i fundit që do kishim zgjedhur për të biseduar me mediat por jemi të detyruar të bëjmë një gjë të tillë pasi duke filluar nga dita e hënë shërbimi funeral i Bashkisë së qytetit për familjet që humbin të dashurit e tyre nuk do të jetë më i mundur të ofrohet. Do u kërkoja të gjithë familjarëve që mes dhimbjes së tyre, t’i drejtohen zyrës së kryeministrit për të marrë një zgjidhje sepse kryeministri ynë i ka të gjitha mjetet në dorë për të zhbllokuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe të lejojë shërbimin funeral të ofrojë shërbimet për të ndjerët e familjet e tyre.

Pasi kryeministri ka zgjedhur të mos lerë të qetë të gjallët, tashmë po merret edhe me mbretërinë që nuk i takon, nuk po lë në prehje edhe të vdekurit. Kjo tregon edhe njëherë tjetër që konflikti dhe lufta politike me Bashkinë e Tiranës ka tejkaluar çdo limit të fundit dhe të imagjinueshëm.

Unë nuk jam këtu vetëm si nënkryetar i Bashkisë por edhe si familjar që përballem çdo ditë me kërkesat nga të njohurit, miqtë që humbin njerëzit e tyre, për të gjetur një mundësi për t’i varrosur në mënyrë dinjitoze dhe shpresoj që kryeministri të heqë “veshët” politikë dhe të vendosë dëgjimin e qytetarit i cili kërkon që mundësisht në këtë vend, pikërisht ku jemi ne por edhe për këtë çështje kaq të ndjeshme, të mos kemi luftë politike por të kemi një bashkëpunim.

Shpresoj që ky mesazh të prekë sadopak zemrën e tij, sepse nuk ka ngelur gjë tjetër veçse t’i kërkojmë atij që të vërë dorën në zemër dhe t’I japë zgjidhje këtij problemi kaq të madh”.

A ka Bashkia një plan emergjent, meqënëse ju po thoni që të hënën nuk do të bëhen varrime?

Z. Bozdo: Ne u kemi thënë se hapësirat janë të gjitha të zëna, jemi duke ofruar tashmë shërbimin vetëm për varret ekzistues, pra për familjarët që kanë varre ekzistues. Është nëj pyetje me vend por në këtë çast dhe në këtë pikë, unë jam personi i gabuar për t’ia drejtuar. E përsëris: - Shkoni pyesni kryeministrin! Ai me siguri i ka të gjitha mjetet për të zhbllokuar projekt-buxhetin e Tiranës dhe për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, thellësisht emergjent.

Ndërkohë, sot z. Kuka, besoj se e ka dijeninë se sa ka qenë numri i personave që kanë ndërruar jetë dhe si keni proceduar për t’i sistemuar?

Z. Besim Kuka: Siç e tha edhe zv/kryetari z. Bozdo, vetëm varr mbi varr, absolutisht nuk kemi ku të kryejmë varrime të tjera, nga ky moment e më pas nuk kemi ç’bëjmë. Të dy sektorët, edhe Sharra, edhe Tufina ka 6-7 varrime sot. Për dy sektorët, gjithmonë janë varr mbi varr.

Mendoni se do shkaktojë irritimin e familjarëve, përveç sikletit që ata kanë?

Z. Bozdo: Unë po të isha familjar në këto kushte, që përveç dhimbjes do isha thellësisht i irrituar me këtë bllokim dhe këtë konflikt të panevojshëm politik dhe këtë mënyrë se si trajtohet Bashkia e Tiranës, vetëm sepse qëllon që kryetari i Bashkisë është edhe kryetari i opozitës.

KOMENTE