Policia e kryeqytetit ka organizuar një operacion në Poliklinikën Nr.9, në Tiranë duke shoqëruar disa infermierë.
Burime nga policia thanë se pas hetimeve disa javore, janë vënë nën akuzë infermierë të kësaj poliklinike për veprën penale të “Falsifikimit” dhe “Shpërdorim të detyrës”.
Policia nuk jep detaje për operacionin si dhe emrat e bluzave të bardha, të cilët aktualisht ndodhen në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku po merren në pyetje.
Kjo për shkak të hetimeve, ndërsa zyrtarisht policia pritet të dalë në orët në vazhdim për të dhënë detaje mbi këtë operacion. Paraprakisht dyshohet se infermierët kanë lëshuar raporte mjekësore për qytetarë të ndryshëm, të cilët më pas i dorëzonin ato në ambasada. Këto raporte lëshoheshin kundrejt shumave të ndryshme parash.