Kryeministri Edi Rama përshëndeti punimet e Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, që u mbajt sot në Tiranë.
Kryeministri theksoi rëndësinë që Qeveria shqiptare i jep kësaj Nisme, në kushtet e reja në rajon, si një instrument me potencial të madh për bashkëpunim inovativ dhe zhvillim ekonomik e social për makro-rajonin.
Shqipëria mban deri në qershor të këtij viti, kryesimin e kësaj Nisme.
******************************
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën e 12 të Nismës Adriatiko-Joniane, që u mbajt sot në Tiranë:
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,
Të nderuar miq e të ftuar,
Është kënaqësi e posaçme të jemi këtu në Tiranë, në kuadër të Nismës Adriatiko-Joniane, që përbën një mundësi të shkëlqyer për të fuqizuar një det të tërë ndërlidhjesh mes vendeve tona.
Është një mundësi gjithashtu, për ta kthyer Europën Juglindore dhe makro-rajonin Adriatiko-Jonian në një skenë bashkëpunimesh inovative, që vlerësojnë më së miri, përmes mundësive të kohës së re, paqen që sundon si asnjëherë më parë në këto hapësira dhe ndërlidhjet historike mes vendeve tona.
Ky është viti i 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore, e cila shpërtheu pikërisht në Ballkan dhe 100 vjet më pas, 2014-a është i pari vit në historinë e Ballkanit që nis e vijon pa asnjë konflikt.
Dhe në përmasën e kësaj paqeje të re, të realizuar në emër të ëndrrës së përbashkët europiane të vendeve të rajonit tonë, unë do t’i bashkëngjitesha propozimit të bërë nga kryetari i Kuvendit, për të përfshirë edhe Prishtinën dhe Shkupin në këtë nismë, pasi besoj se koha e re e paqes kërkon një kohë të re bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal dhe Nisma Adriatiko-Joniane është një instrument me një potencial të madh, për t’i ndihur kësaj paqeje në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social.
Është një nismë që synon ta kthejë detin Adriatik dhe detin Jon në një liqen të madh dhe të pasur të Europës së Bashkuar, si një instrument i pazëvendësueshëm për zgjidhje të përbashkëta për makro-rajonin.
Kjo Nismë është një urë për të ndërlidhur aktorë të niveleve të ndryshme, në bashkëpunime të reja dhe për të bashkuar këndvështrimet mbi prioritetet për zhvillim të harmonizuar rajonal dhe makro-rajonal.
E ne besojmë se një prej sfidave më të rëndësishme të aktorëve të kësaj nisme, që bazohet tek përfaqësimi shtetëror, është të arrijmë të integrojmë e të ndërlidhim sipas synimeve të Nismës, sa më shumë aktorë të tjerë, të nivele të ndryshme. Aktorë lokalë, sipërmarrje, institucione, nga komunitetet vendore, bashkitë, universitet, tek ministritë, shkollat dhe të gjithë individët e interesuar.
Gjatë këtij viti të kryesimit të Nismës Adriatiko-Ioniane, Qeveria shqiptare ka qenë e angazhuar për krijimin e një sinergjie sa më të plotë mes jetësimit të strategjisë europiane për makro-rajonin Adriatiko-Jonian dhe angazhimit për sigurimin e demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkan.
Pikësëpari dua të nënvizoj projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik, për të cilin ne kemi ngritur edhe një Task-Forcë, për të siguruar implementimin sa më efikas dhe një ndërveprim sa më të plotë në çdo hap, me vetëdijen se nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur në implementimin e këtij projekti të madh jo vetëm për vendet tona, por besojmë se në kontekstin e ri, edhe për sigurinë energjetike të Ballkanit dhe të Europës së Bashkuar.
Qeveria shqiptare po zhvillon një politikë energjetike të mbështetur fort tek bashkëveprimi dhe bashkëpunimi rajonal. Ne jemi të bindur se politika energjetike e secilit prej vendeve të Ballkanit dhe të makro-rajonit Adriatiko-Jonian nuk mundet të jetë veçse një politikë bashkëpunimi rajonal e makro-rajonal, në shërbim të fuqizimit energjetik, të energjisë së rinovueshme dhe diversifikimit të burimeve energjetike, për ta parë sigurinë energjetike të secilit prej vendeve tona si pjesë të sigurisë energjetike të krejt rajonit dhe makrorajonit tonë.
Projekti Alterenergy që bashkon në një platformë projektesh inovative rajonin e Puglias, me lokalitete në Shqipëri dhe Malin e Zi, fjala vjen, është një prej shembujve më kuptimplotë në këtë kontekst.
Përsa i përket sektorit detar, Shqipëria ka përfshirë për herë të parë këtë vit, në mbështetjen shtetërore, zhvillimin e akuakulturës dhe ne jemi të bindur se në këtë hapësirë përplotësuese, siç është makro-rajoni Adriatiko-Jonian ka shumë potencial të pashfrytëzuar zhvillimi dhe bashkëpunimi në këtë sektor.
Përsa i përket infrastrukturës, më lejoni të përmend rëndësinë që ne i japim ndërtimit në Ballkanin Perëndimor të ndërlidhjes që finalizon në Itali dhe Greqi, atë që ne e quajmë Korridori Blu apo autostrada turistike Adriatiko-Joniane, që ndërlidh përfundimisht brigjet tona, mes Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë dhe më lart, në Slloveni dhe Itali, duke hedhur bazat e një komunikimi tokësor, tërësisht të transformuar mes nesh, në gjithë këtë breg.
Një det ndërlidhjesh, një det mundësish, por edhe një det përgjegjësish gjithmonë e më të mëdha, siç qysh në krye të herës ka qenë në përmbajtjen e vet, Nisma Adriatiko-Joniane, e cila që prej fillimit të saj, në maj të vitit 2000 në Konferencën e Ankonës, kishte si temë “Zhvillimin e Sigurinë në Detin Adriatik dhe Detin Jon.”
Vullnet i qartë për bashkërendim ndjehet në gjithë sinergjinë e krijuar mes vendeve të përfshira në këtë Nismë dhe qëllimit parësor që është kthimi i këtij makro-rajoni në një prej hapësirave europiane që siguron mirëqenie për gjeneratat e nesërme të BE-së edhe në këtë territor.
Dhe për ne, kryesimi i Nismës, gjatë këtij vitit drejtimi që mbyllet në qershor, ishte një mundësi e shtuar për të dhënë një kontribut tonë dhe për të shprehur e vullnetit tonë për bashkëpunim.
Ne mbetemi të angazhuar për bashkërendim mes nismave të ndryshme në këtë kuadër të rajonit, si iniciativa Brdo apo Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore, kryesimin e të cilit pritet ta marrë këtë vit Shqipëria, me nismat në kuadër të makro-rajonit dhe hapat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në vijimësi, Nisma Adriatiko-Joniane do të jetë për ne një përgjegjësi për jetësim të projekteve që i japin kuptim makro-rajonit dhe e konkretizojnë atë. Dhe në këtë aspekt, pa as më të voglin dyshim, në kushtet e reja të paqes të përgjithshme të rajonit është një sfidë e përbashkët që të gjejmë rrugët e reja dhe instrumentet e rinj, për t’i dhënë një energji të re kësaj hapësire paqeje dhe për ta kthyer atë në një hapësirë zhvillimi të qëndrueshëm për gjithë vendet tona.
“Detin duhet ta shohësh me syrin e njeriut të dikurshëm: si një kufi, si një pengesë që shtrihet deri në horizont, si një pafundësi që nuk të shqitet, e gjithëpranishme, e mrekullueshme, enigmatike,” shkruante për Mesdheun e hershëm dijetari i shquar i francez, Fernand Braudel.
Por këto fjalë të kujtojnë se sa thellësisht ndryshe është sot, deti që na lidh në këtë kohë të re dhe se sa punë duhet për ta transformuar gjithëpraninë e mrekullueshme të detit, në gjithëpraninë e vazhdueshme të bashkëpunimit që gjeneron mirëqenie për makro-rajonin tonë dhe sigurisht për gjithë Bashkimin Europian.
Faleminderit!