Sot me prezantimin e Dokumentit të Politikave të Pensioneve mori udhë një tjetër reformë madhore e munguar për vite të tëra, Reforma e Sistemit të Pensioneve.
Ky projekt, i hartuar në bashkëpunim me eksperten me famë botërore të fushës së pensioneve Anita Schwarz si edhe Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit e me mbështetjen e Bankës Botërore, do të diskutohet gjerësisht dhe pastaj do të kalojë në Kuvend për t'i dhënë fund rrënimit të vazhdueshëm që është pasoje e sistemit aktual të pensioneve.
Falë kësaj reforme do të krijohet një sistem i ri pensionesh që do të shpëtojë arkën e shtetit nga rrokullisja në greminë për shkak të sistemit të sotëm, si edhe do t'i nxjerrë vit pas viti pensionistët nga zona e errët e mbijetesës, ku i mban dënuar sistemi aktual; do të krijohet mundësia që askush të mos mbetet pa pension si edhe gjithkush që kontribuon sot më shumë për pensionin të gëzojë nesër pensionin e dëshiruar; do të garantohet ekuilibri moral i kësaj reforme ku sakrificat nuk do t'u kërkohen as pensionistëve të sotëm, as atyre që dalin së shpejti në pension, duke mos e rritur moshën e pensionit menjëherë, por duke e projektuar rritjen me vitin 2032!