Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, z. Sokol Dervishaj, në cilësinë e tij si kryetar i Grupit Ndërinstitucional të Punës për hartimin e Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, mori pjesë sot në mbledhjen e posaçme të Komisionit të Jashtëm të Kuvendit.
Z. Dervishaj informoi komisionin për punën e bërë deri më tani nga Grupi që ai drejton për hartimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, dokument që do të orientojë politikat e sigurisë së Republikës së Shqipërisë gjatë viteve në vijim. Ai theksoi se metodologjia e hartimit të këtij dokumenti është përpunuar në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Studimet e Sigurisë, “George Marshall”.
Z. Dervishaj shtoi se tashmë kemi hyrë në fazën përfundimtare të procesit, në të cilin janë përfshirë dhe kanë kontribuar gjerësisht institucionet më të rëndësishme të vendit.
Zëvendësministri Dervishaj u shpreh se Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare do të parashtrojë objektivat strategjikë për sigurinë e Republikës së Shqipërisë për dekadën e ardhshme, rrugët nëpërmjet të cilave do të arrihen këto objektiva dhe kapacitetet kombëtare që do të vendosen në dispozicion për këtë qëllim. Ky dokument, vijoi ai, do të përfaqësojë një përgjigje institucionale gjithëpërfshirëse ndaj sfidave të sigurisë me të cilat do të përballet vendi në të ardhmen.
Seanca dëgjimore u zhvillua në kuadër të fazës aktuale të procesit të hartimit të Strategjisë, ku parashikohen konsultime aktive me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Grupi Ndërinstitucional i Punës është ngritur me urdhër të Kryeministrit Rama më datë 2 dhjetor 2013.