English

Panairi i punës. Të rinjtë shqiptarë duan pagesa si në Gjermani. Të jenë më realiste

Kryeministri Edi Rama vizitoi dje “Panairin e Punësimit 2014”, ku për 3 ditë me radhë, 80 kompani ofrojnë mbi 6 200 vende të reja pune, të profileve dhe niveleve të ndryshme. Kryeministri vizitoi nga afër stendat e Panairit, ku sipërmarrës të ndryshëm e njohën me fushat në të cilat operojnë dhe kërkesat e tyre si punëdhënës.

Gjatë bisedave u vlerësua si domosdoshmëri edhe ndryshimi i kulturës së marrëdhënieve mes punëdhënësve dhe punëkërkueseve.

Përfaqësuesi i një prej kompanive të pranishme, i ardhur nga emigracioni disavjeçar, u shpreh se shqiptarët duhet të vlerësojnë dhe të besojnë më shumë punën dhe produktin në Shqipëri. “Ne kthehemi me një eksperiencë të marrë nga jashtë dhe këtu gjejmë të rinj që kur të vijnë në punë duan të paguhen si në Gjermani”, tha ai.

Më tej, ai theksoi se kompania që drejton ofron për punëkërkuesit edhe mundësinë e trajnimit paraprak, nga 6 - 9 muaj, në këtë sektor. “Ne si sipërmarrje kërkojmë që të na dëgjojë tregu i punës, sepse u japim mundësi dhe fillestarëve, investojmë nga 6-9 muaj për trajnimin e tyre. Por, presim që pas 9 muajsh ata të mos e përdorin këtë trajnim si trampolinë për diku tjetër, por të ndërtojnë karrierën e tyre këtu”, u shpreh ai. Më konkretisht, ai solli shembullin që çdo vit nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dalin 500 kimistë, por pjesa më e madhe e tyre në “CV” kanë punësime krejt të kundërta me arsimimin.

Kryeministri i përgëzoi për sipërmarrjen, por edhe për mundësitë që vetë kompania u krijon të interesuarve për punë, duke ofruar trajnimin paraprak.

Ndërkohë, Kryeministri vizitoi nga afër edhe një tjetër stendë, ku 10 kompani të profileve të ndryshme ofronin 1000 vende të reja pune. Ata u shprehën se ka pasur shumë interes nga qytetarët dhe aplikimet për këto vende pune vijojnë.

Të shumta ishin edhe kompanitë që ofronin vende pune për inxhinierë në fusha të ndryshme, ekonomistë, etj.

Sektori bankar ofronte një numër të lartë vendesh të reja pune dhe në nivele të ndryshme. Kryeministri Rama ndoqi nga afër procesin, ndërsa një vajzë aplikonte për t’u punësuar në një nga bankat e nivelit të dytë.

Në vijim, Kryeministri Rama vizitoi edhe disa kompani, të cilët ofronin vende pune për personat me aftësi të kufizuar. Kryeministri i përgëzoi dhe vlerësoi maksimalisht angazhimin e tyre.

Gjithashtu, edhe industria fason edhe sektori i ndërtimit ofronin një numër të lartë vendesh të lira pune, të shpërndara në qytete të ndryshme të vendit.

KOMENTE