Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Senatit Italian Pietro Grasso çelën sot në Tiranë, Javën e biznesit italian në Shqipëri.
Ky event organizohet për herë të parë dhe vjen si bashkëpunim mes ambasadës italiane në Tiranë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, me qëllim prezantimin e mundësive për biznes dhe investime, që Shqipëria ofron në sektorë prioritarë të zhvillimit të vendit dhe me interes për zgjerimin e sipërmarrjes italiane. Përgjatë tre ditëve të Javës së biznesit italian, sipërmarrës italianë dhe shqiptarë do të diskutojnë në panele të ndryshme, mbi perspektivat e zgjerimit të bashkëpunimit në energjetikë, turizëm, agrobiznes dhe manifakturë.
Në hyrje të fjalës së tij, Kryeministri Rama risolli në kujtesë filmin “L’America” të regjisorit italian, Gianni Amelio, kushtuar Shqipërisë së fillimviteve ’90-të, për të theksuar se 20 vjet më pas, realiteti shqiptar paraqet kryekëput një panoramë të kundërt të emigrantit shqiptar në kërkim të mundësive në Itali.
“Ndoshta më shumë se 20 vjet më parë, Gianni Amelio erdhi në Shqipëri për të xhiruar filmin e tij të famshëm “L’America”, që fliste për shqiptarë që shkonin në Itali për të gjetur atje “Amerikën” e tyre. Vitin e shkuar e takova në Tiranë, Gianni Amelio-n, - i cili është një mik i mirë, - që ishte rikthyer në Shqipëri, për të bërë një film për një italian që vinte në Shqipëri për të gjetur punë. Unë me këtë nuk dua të them që Shqipëria është vendi ku italianët mund të emigrojnë, por mund ta them me gjithë sinqeritet, duke përfituar edhe nga pjesëmarrja e Kryetarit të Senatit Italian -dhe askush nuk e merr për keq këtë, - që Shqipëria është vendi ku sipërmarrësit italianë mund të ‘emigrojnë’. Është vendi ku secili prej sipërmarrësve italianë që nuk ia dalin dot më nga burokracitë, këtu mund të gjejnë “Amerikën” sikurse thoshte gjyshi i Gianni Amelio-s,” u shpreh Kryeministri.