Grupi Parlamentar, Kryetari i Partisë Demokratike kërkon ngritjen urgjente të komisionit hetimor për trafikun e drogës, denoncon rritjen e kriminalitetit dhe propagandën e qeverisë që tenton të mbulojë dështimet në çdo drejtim.
Të nderuar deputetë,
Beteja jonë këmbëngulëse për të vërtetën e trafikut të drogës ka tronditur botën e errët të narkotrafikut dhe narkotrafikantëve, por nga ana tjetër ka shërbyer edhe për një zgjim të fuqishëm të ndërgjegjes qytetare të njerëzve të thjeshtë, të zyrtarëve dhe punonjësve të ndershëm të shtetit dhe policisë, që nuk mund të pranojnë e pajtohen kurrë me shndërrimin e vendit në një kartel të drogës, sepse ky do të ishte fundi i lirisë për të gjithë ne.
Njoftime të reja vijnë, informacione të reja dalin, denoncime të freskëta po depozitohen, indicie të reja po raportohen nga burime zyrtare të brendshme, nga partnerët tanë që punojnë bashkë me shqiptarët për rendin, sigurinë dhe demokracinë në këtë pjesë të rajonit, të gjitha këto të mbështetura edhe me dëshmi të reja okulare të dhjetëra e qindra qytetarëve shqiptarë që po dëshmojnë me kurajo, përkundër kërcënimeve, për rrugët e transportit të drogës drejt pikave të grumbullimit, për kamionët, gomonet dhe avionët e drogës.
Këtë informacion që sa vjen e bëhet kapicë e kemi ne, e ka pala qeveritare, e kanë partnerët tanë.
Sot është emergjencë, e përsëris, është emergjencë, ngritja dhe fillimi menjëherë nga puna i Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e trafikut të drogës.
Çdo ditë që kalon është një ditë e humbur për parlamentin, një ditë e fituar për trafikun dhe narkotrafikantët, një ditë e fituar për forcat e së keqes që synojnë të fuqizohen për të bërë ligjin e tyre me ndihmën e parave të pista të krimit.
Të ngrihet komisioni dhe të fillojë menjëherë nga puna!
Kjo është kërkesa jonë, kjo është thirrja jonë dhe kryefjalë e aksionit tonë opozitar gjatë kasaj jave dhe në ditët në vazhdim.
Debatet e fundit për drogën treguan qartë para gjithë shqiptarëve se; nuk është e vërtetë se kemi parë ëndrra, por kemi parë fakte.
Nuk është e vërtetë se jemi ngutur, por jemi vonuar për shkak të përpjekjeve dhe pengesave të qeverisë për ta bërë qesharak dhe të paqenë fenomenin, derisa u detyrua përballë fakteve të pakundërshtueshme të pranonte se kishte informacion. Vetëm një kryeministër dhe një qeveri dorëbrenda mund të sillen siç u soll Rama dhe qeveria e tij ndaj një çështje me ndjeshmëri kaq të lartë kombëtare e ndërkombëtare.
Ne vijmë nga qeverisja. Ne e dimë se si kudo në botë, edhe në Shqipërinë e hapur, ka ekzistuar një luftë e përhershme e Policisë, e shtetit, e shërbimeve të tij, e autoritetit shtetëror qeverisës me krimin e organizuar, me trafiqet e llojeve të ndryshme, me narkotrafikun gjithashtu.
Në periudha të caktuara Shqipëria ka shënuar suksese të pamohueshme në këtë luftë, pa të cilat nuk do të ishim bërë pjesë e NATO-s, nuk do të kishim hequr vizat, nuk do të kishin avancuar në procesin e integrimit në BE. Ne e dimë se krimi kërkon vazhdimisht shtigje të reja veprimi, se lufta me të është e vazhdueshme.
Por kurrë nuk ka ndodhur si tani që Adriatiku të shndërrohet në autostradë të drogës me bazë Shqipërinë, siç kanë pohuar autoritete dhe media të njohura italiane; kurrë nuk ka ndodhur të plasë droga sheshit, në tokë, në det dhe në ajër, si në qeverisjen Rama-Meta. Kurrë nuk ka ndodhur që vendi të shfaqet në radarët e partnerëve tanë si një kartel i drogës me kufij fluidë, ku nuk dallohet ku mbaron karteli e ku fillon qeverisja, apo anasjelltas.
Jemi shumë të shqetësuar dhe duam ta ndajmë këtë shqetësim me qytetarët shqiptarë, me partnerët tanë, me oficerët, drejtuesit dhe punonjësit e ndërgjegjshëm të policisë së shtetit dhe shërbimeve, me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë pa dallim ngjyrash partiake sepse ka një cak, ka një kufij ku partishmëria apo ngjyra politike kalojnë në plan të dytë dhe madje humbin kuptimin.
Ky cak, ky kufi është siguria e vendit për sot dhe për nesër. Problemi i trafikut të lëndëve narkotike me suport politik apo me symbyllje politike është problemi më madhor i këtij momenti, nga zgjidhja e të cilit varet drejtpërsëdrejti a do të sundojë ligji i demokracisë apo ligji i xhunglës, a do të kemi sot dhe nesër një qeveri të dalë nga vota e popullit, për popullin dhe prej popullit, apo një qeveri të krimit, prej krimit dhe për krimin.
Si ndodhi që Shqipëria u shndërrua kështu në harkun e katër pesë muajve, në një parajsë të narkotrafikut?
A është kjo thjesht një sipërmarrje kriminale për t’u pasuruar një grusht njerëzish, apo ka diçka edhe më shumë se kaq, që lidhet me përpjekje për destabilimin e vendit dhe shfazimin e tij nga kursi perëndimor?
Duhet të jemi në këmbë, më të vendosur se kurrë, për luftuar e ndaluar kursin kriminal, antipopullor dhe antiperëndimor të kartelit të drogës.
Duhet të jemi në këmbë, më të bashkuar se kurrë, për të siguruar e garantuar sundimin e ligjit e të demokracisë në vend të ligjit të xhunglës dhe parave të pista.
Duhet të jemi në këmbë, të bashkuar me njëri tjetrin dhe me partnerët tanë euroatlantikë për të mbrojtur e çuar përpara kursin e i të shekullit të shqiptarëve, kursin e lirisë, kursin e avancimit të çështjes kombëtare shqiptare, kursin e prezencës si anëtar në NATO, kursin e aspiratës për anëtarësim në BE.
Shpërthimi i narkotrafikut ka si anë të pasme të medaljes përkeqësimin e vazhdueshëm të gjendjes së rendit dhe sigurisë publike në tërësi. Nuk mund të ndodhë ndryshe, sa kohë që ministri dhe kupola e tij e Policisë së Shtetit kanë dhënë prova se e kanë një punë të dorës së fundit çështjen e sigurisë publike. Treguesit e marsit për situatën e rendit në vend ishin ku thërret qameti.
Për shkak të këtyre treguesve skandalozë, kryeministri ,siç u pa qartë në mesazhin telefonik që i dërgoi, mori vrull ta shkarkonte ministrin e tij të Brendshëm. Nuk kishte rrugë tjetër për të treguar një minimum përgjegjësie ndaj situatës katastrofike. Por u ndal nga një forcë madhore që vetëm me nevojën për forcimin e rendit nuk ka të bëjë.
Në këtë mënyrë, rendi publik në prill ndoqi tatëpjetën e marsit. Deri në datë njëzet e dy prill u regjistruan 12 vrasje, 462 vjedhje, 131 aksidente, nga të cilët 17 të vdekur dhe 23 në gjendje të rëndë.
Ministri dhe kupola e Ramës në rend ka kohë që nuk janë në krye të detyrës për atë që është detyra e tyre, për të cilën paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Disa atje, siç del nga informacionet zyrtare brenda sistemit, kanë hyrë në polici për të bërë edhe krimin, edhe me demek antikrimin. Kjo lojë e neveritshme nuk mund të maskohet e shtyhet duke bërë herë pas herë ndonjë kokë turku. Komisioni hetimor për drogën ka një mision të madh; të hetojë gjithë informacionet për implikim të kupolës në trafikun e lëndëve narkotike, të ndajë njëherë e mirë drogën nga sheqeri, krimin me uniformën e shtetit nga antikrimi.
Kjo është një betejë jetike, e vështirë, por aspak e pamundur. Vetëm kur të ketë rend në krye të rendit, do të këtë rend edhe në Shqipëri.
Bashkë me përkeqësimin e treguesve të rendit, përkeqësohen çdo ditë edhe treguesit e ekonomisë dhe papunësisë në vend. Shpunësimi dhe papunësia janë produkti i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes Rama-Meta të taksave të larta, i mungesës totale të planeve, të ideve dhe zgjidhjeve për të lancuar politika efektive zhvillimi ekonomik dhe punësimi.
Janë aq cinikë, sa nuk begenisin t’u kërkojnë së paku ndjesë apo t’u japin ndonjë shpresë reale punësimi ushtrisë së madhe të papunëve, por guxojnë edhe të tallen me ta, duke çelur një panair të punësimit virtual, të punësimit teatral, të punësimit fallco, për shou, për propagandë, duke dubluar e fyer me këtë rast edhe zyrat shtetërore të punësimit, që në pikëpamje te seriozitetit janë më përpara se kryeministri dhe ministri i tij i punës propagandistike.
Kanë ngecur keq në premtim/mashtrimin e tyre të hapjes së treqind mijë vendeve të punës; kanë filluar t’u bien daulleve të punësimit iluziv, të sajojnë shifra, të genjëjnë, duke harruar se ekonomia ka rregullat e saj të hekurta kur çdo e dhënë nuk mund të mos jetë e matshme. Rënia drastike, e të ardhurave nga sigurimet shoqërore në tremujorin e parë të këtij viti është pasqyra më besnike e rënies së numrit të punonjësve që paguajnë sigurimet shoqërore, pra e shpunësimit të shqiptarëve, e daljes së tyre në rrugë.
Kanë ngecur keq në premtimin e tyre të legalizimeve falas, që do të jetë kësaj jave në fokus të veprimtarisë tonë opozitare, për të treguar me fakte konkrete, në dritën e projektligjit të tyre për legalizimet, mashtrimin e madh të Edi Ramës gjoja për legalizime falas. Minarja nuk mund të futet në thes dhe këtë javë çdo përpjekje për ta futur në thes do të dështojë.
Kanë ngecur keq me të gjitha premtimet e tyre populiste, për të cilët ka rënë ora të japin llogari jo më thjesht para opozitës, që e ka ditur dhe që e ka thënë se po gënjejnë, por para njerëzve që u kanë dhënë votën, para qytetarëve shqiptare që nuk mund të pajtohet me mashtrimet.
Oligarkia Rama-Meta u ka hyrë njëherë në hak shqiptarëve duke i gënjyer me premtime boshe një pjesë të së cilave i braktisi që të nesërmen e zgjedhjeve. Dhe tani po rreket ti gënjejë përsëri me lugën bosh, me lugën e zbrazur dhe të pashpirt të propagandës gënjeshtare.
Ora e llogaridhënies për gënjeshtrat dhe mashtrimet po troket. E dinë edhe ata vetë. Ndaj kryeministri dhe ministrat kanë mbirë në ekrane dhe para kamerave çdo ditë për të shitur sa të jetë e mundur sapunin për djathë. Nuk qeverisin, por luajnë. Nuk qeverisin, por rreken të ndalin tik takun e orës së të vërtetës me shfaqje televizive dhe fjalime pa fillim dhe pa fund, në përpjekjen e tyre të mjerë për të fshirë me çdo kusht urtësinë e vjetër popullore “puna e mirë flet vetë”, dhe në mjerimin e tyre duan të imponojnë sloganin “propaganda është puna jonë”.
Nuk mundin. Nuk do të mundin. Me propagandën e gënjeshtrave vetëm po futen dyfish në borxhin e shqiptarëve. Borxh që ka ardhur dita ta paguajnë.
Faleminderit!