Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar homazhe tek varrezat e dëshmorëve, në nderim të të rënëve për liri. Në homazhet e zhvilluara në varrezat “Dëshmorët e Kombit” kanë marrë pjesë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, kryetarë të njësive bashkiake të Tiranës, veteranë të luftës e qytetarë të shumtë.
Në këtë ditë, - theksoi zoti Basha - shqiptarët nderojnë të gjithë ata bij dhe bija që dhanë jetën për lirinë, dinjitetin kombëtar dhe demokracinë.
“Sot është dita kur shqiptarët anembanë vendit, anembanë trojeve shqiptare nderojnë dëshmorët e kombit, bijtë dhe bijat e shqipes që flijuan jetën e tyre për idealet e larta të lirisë kombëtare, bashkimit kombëtar, dinjitetit të shqiptarëve dhe demokracisë.
Sot, 70 vite pas përfundimit të luftës antifashiste, duke nderuar të rënët e kësaj lufte, kujtojmë gjithashtu se u deshën dekada të tëra që idealet për të cilat ata u flijuan të jetësoheshin, do të duhej një kohë edhe më e gjatë, për të përfunduar ëndrrën e lirisë kombëtare, me çlirimin e Kosovës dhe garantimin e dinjitetit të shqiptarëve anembanë trojeve të tyre stërgjyshërore.
Duhen akoma përpjekje, në nderim të sakrificës së tyre për konsolidimin e idealit të demokracisë, lirisë dhe dinjitetit individual të shqiptarëve, ndaj detyra jonë sot nuk është vetëm të kujtojmë e të nderojmë sakrificën e tyre por të bëjmë çdo përpjekje për të mos lejuar te tradhtohen këto ideale, duke i shërbyer kauzës së lirisë, dinjitetit, demokracisë, shtetit ligjor dhe duke çuar përpara ëndrrën e tyre për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe europiane. Lavdi dëshmorëve të kombit, i paharruar, kujtimi i tyre!”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i PD Lulzim Basha ka zhvilluar sot vizita në familjet e dëshmorëve të atdheut dhe demokracisë. Zoti Basha vizitoi familjet e dëshmorëve të atdheut, të rënë në luftën për lirinë e Shqipërisë, Muharrem Alla dhe Sefer Ismail Imeri.
Në këtë ditë, një homazh të veçantë Lulzim Basha u ka kushtuar dhe heronjve të demokracisë. Z. Basha u ndal në familjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, lider i Lëvizjes së dhjetorit, “Pishtar i Demokracisë”. Po sot, Bashkia e Tiranës ka rivendosur pllakatën, në vendin ku më 6 mars 1991 u vra 14 vjeçari Spartak Deliu. Si të gjithë të rinjtë tiranas, ai kishte dalë në shesh për të protestuar kundër regjimit komunist, i cili nuk e kurseu jetën e tij të re, duke u vrarë në zemër të Tiranës.
“Sot është Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut, për dinjitetin e çdo shqiptari dhe sot është dita kur kujtojmë edhe dëshmorët e demokracisë. Demokracia në Shqipëri erdhi me çmimin e jetëve njerëzore.
Sot, si kryetar i Bashkisë së Tiranës kam kënaqësinë që së bashku me prindërit e Spartak Deliut, familjarët, vëllain e tij dhe me qindra qytetarë të Tiranës, të rikthejmë në këtë vend shenjën e përkujtimit të Spartak Deliut, shenjë e cila u zhduk pas vitit ’97 dhe që ndodhet sot këtu, i ringritur nga Bashkia e Tiranës.
Spartak Deliu ishte vetëm 14 vjeç kur u ekzekutua nga Forcat e Sigurimit të Shtetit, si një ndër dëshmorët e demokracisë, si një nga qindra e mijëra të rinj gjimnazistë të cilët i bashkuan pasionin e zemrës së tyre, dëshirës së gjithë shqiptarëve për demokraci dhe liri.
Çdo 14 vjeçar sot në Shqipëri duhet ta dijë se e drejta për të shprehur mendimin e tij apo të saj lirshëm, e drejta për të udhëtuar lirshëm brenda e jashtë vendit, e drejta për të zgjedhur çdo gjë është një e drejtë e fituar me sakrificën e një 14 vjeçari si Spartak Deliu, me gjakun, jetën e tij, me flijimin e tij por edhe të dhjetëra të rinjve të tjerë dhe ta vlerësojnë këtë të drejtë, t’i vlerësojnë këto të drejta, këtë liri, ta vlerësojnë demokracinë, si vlera që fitohen dhe mbrohen çdo ditë.
Sot, përulem me nderimin më të madh para dëshmorëve të demokracisë, para më të rinjve mes tyre, siç ishte Spartak Deliu, 14 vjeçari i përjetshëm dhe u bëj thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë, që duke përkujtuar dëshmorët e rinj të demokracisë të japin maksimumin e tyre, për të mbrojtur e çuar përpara këto vlera. Është detyra e tyre, është detyra jonë, të gjithë së bashku që ta çojmë deri në fund idealin e demokracisë europiane” – u shpreh z. Basha.