Aktiviteti përkoi me 65 vjetorin e krijimit të kësaj organizate pan-evropiane. Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së, Thorbjorn Jagland, bëri një prezantim të Raportit për Situatën e Demokracisë, Shtetit Ligjor dhe të Drejtave të Njeriut në Evropë, raport i cili vë në dukje se Evropa sot është duke u përballur me krizën më serioze që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, duke iu referuar tensioneve dhe krizës në Ukrainë. Shkaku kryesor sipas z. Jagland i aksioneve të Rusisë, aneksimit të Krimesë dhe revoltave në vend, kanë si pikënisje mosrespektimin e shtetit ligjor dhe nëpërkëmbjen e të drejtave të njeriut në Ukrainë.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati vlerësoi Raportin e përgatitur nga z. Jagland duke theksuar se ai vë theksin jo vetëm në sfidat e kontinentit tonë, por dhe në potencialin e organizatës për ruajtjen e tri shtyllave mbi të cilat qëndron: demokracia, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut. Ministri u shpreh se Shqipëria ka shprehur shqetësimin e saj për sa i takon ngjarjeve të fundit në Ukrainën Lindore, duke theksuar nevojën për respektim të integritetit territorial dhe duke inkurajuar dialogun në përputhje me angazhimet e ndërmarra sipas legjislacionit ndërkombëtar.
Situata në Ukrainë ishte dhe pjesë e diskutimeve gjatë drekës formale të punës, ku Ministrat shprehën vlerësim për rolin aktiv dhe konstruktiv të KiE-së në asistencën ofruar autoriteteve ukrainase, sa i takon rishikimit të legjislacionit dhe procesit kushtetues.
Gjatë këtij aktiviteti, Ministri Bushati zhvilloi takime me homologët e tij, ku u bashkëndanë mendime dhe vlerësime për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të KiE-së.