English

Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2014-2020

Sot u prezantua Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2014-2020, në një takim ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, drejtues të institucioneve dhe agjencive të sigurisë në vend dhe përfaqësues të vendeve dhe organizatave partnere që asistojnë Shqipërinë në fushën e sigurisë.

Menaxhimi Integruar i Kufirit është bashkërendimi dhe bashkëpunimi ndërmjet të gjitha autoriteteve dhe agjencive, të përfshira në sigurinë kombëtare dhe lehtësimin e tregtisë, me qëllim përsosjen e sistemeve të efektshme të menaxhimit të integruar të kufirit.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2014-2020:

Të nderuar ambasadorë dhe të nderuar të ftuar!

Siguria në të gjitha dimensionet e veta përbën padyshim, prioritetin kyç të qeverisë sonë, në kushtet kur vendi ynë ka nevojë të vazhdueshme, për sigurinë në të gjitha aspektet. Padyshim, në kantierin e madh të reformave që njëra pas tjetrës hyjnë në fazën e konceptimit dhe pastaj të jetësimit të tyre, rishikimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare që shoqërohet me një sërë ndërhyrjesh, të cilave ka kohë që u ka ardhur koha, dhe pjesa e kësaj Strategjie që ka të bëjë me menaxhimin e integruar të kufirit, përbëjnë një domosdoshmëri për të adresuar problemin kompleks dhe jetik të sigurisë.

Fundi i shekullit të kaluar, bashkë me shembjen e mureve që ndanin botën, shënoi një ndryshim epokal për njerëzimin, edhe përsa i përket kufijve. Do doja të citoja një profesor të mirënjohur të politikës së jashtme amerikane, Michael Mandelbach, i cili thotë se “gjatë periudhës së luftës së ftohtë, harta politike e globit i ngjante një rrjete metalike, ndërsa kur konflikti mbaroi, gjithë zamku i gjeopolitikës u shkërmoq dhe rrjeta u zbërthye dhe ra në tokë.”

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik apo shpërbërja e ish Jugosllavisë që për ne ka ndodhur në kohë reale, pranë nesh, janë shembuj spektakolarë të zhdukjes dhe riformimit në një trajtë tjetër të kufijve. Si një vend fqinj me ish Jugosllavinë, ne e kemi shumë të qartë, përmasën dhe përmbajtën e një ndryshimi të tillë epokal. Nga dy shtete kufitare në vitin ’90-të, sot Shqipëria ka katër shtete me të cilat ndan kufirin e saj tokësor dhe janë katër shtet mike, janë katër shtete partnere, janë katër shtete me të cilat ne projektojmë sëbashku, një të ardhme përditë e më të përbashkët. Por, në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme që të kuptohet se kufijtë, pavarësisht relativizmit të tyre të jashtëzakonshëm në raport me të shkuarën, mbeten vija të rëndësishme të përgjegjësisë institucionale të çdo shteti dhe edhe të shtetit tonë. Vija që shënojnë në terren dhe në hartë shtrirjen e një hapësire lirie e demokracie, të një hapësirë mirëqenie e progresi, por edhe të një hapësirë përgjegjësish në raport me të tjerët rreth e rrotull dhe pa asnjë dyshim me Bashkimin Europian ku ne duam të integrohemi sa më parë. Dhe si vija e kontaktit me pjesën tjetër të botës, si porta e komunikimit dhe e shkëmbimit fizik me të, kufijtë personifikojnë një formë apo një formë tjetër të të qenit të një shteti dhe të nivelit të dinjitetit të shtetit në raport me të tjerët.

Ne besojmë se kjo Strategji e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, që është miratuar para disa kohësh në Këshillin e Ministrave dhe që sot merr rrugën e paraqitjes së vet për publikun, përbën një dëshmi serioze të një përpjekjeje të domosdoshme të qeverisë shqiptare, për një reformë modernizuese, e cila përmes modernizimit garanton edhe integrimin në vullnet dhe shprehjen e një vullneti të plotë në raport me gjithë miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë e posaçërisht me partnerët tanë europianë.

Sigurisht, nuk ka paradoks mes përpjekjeve integruese dhe përpjekjeve për të menaxhuar kufirin; mes përpjekjeve për ta bërë kufirin virtual në gjithë procesin e shkëmbimeve tona dhe përpjekjeve për ta bërë kufirin vijë ndarëse mes legalitetit dhe ilegalitetit; mes botës së një shoqërie që punon në dritë dhe pjesës së një shoqërie që zhvillon aktivitetin e vet kriminal apo abuziv në errësirw; mes atyre që eksportojnë dhe importojnë dhe ndërkohë kontribuojnë për shoqëritë ku këmbehen mallrat dhe atyre që i shfrytëzojnë të çarat e kufirit si hapësira për evazion, për kontrabandë, për trafik, për korrupsion.

E vërteta është se kjo Strategji, duke shpalosur të gjitha përgjegjësitë dhe duke identifikuar saktësisht, të gjitha forcat e përfshira në këtë përpjekje nënvizon praktikisht, sesa kompleks është menaxhimi i kufirit dhe se çfarë sfide e jashtëzakonshme është kjo, për një vend që përpara sesa t’i provojë të tjerëve, duhet t’i provojë vetes se është gati për t’u konsideruar njësoj si të tjerët në rrafshin e integrimit dhe bashkëjetesës në Familjen Europiane, siç është Shqipëria.

E vërteta është që, nëse sot ne synojmë që me këtë Strategji të bashkërendojmë punën dhe të bëjmë një sukses përmes 17 institucioneve të ndryshme, deri më sot puna e institucioneve të ndryshme në kufi është zhvilluar në mënyrë tërësisht të pavarur, një institucion nga tjetri dhe jo në kuptimin e mirë, por në kuptimin më të keq të fjalës, duke u bërë çdo institucion përçuesi i një presioni burokratik dhe abuziv, që praktikisht ka çuar në dizintegrimin e veprimtarisë së shtetit në hapësirën ku, në fakt, shteti duhet të garantojë menaxhimin e kufirit. Jemi dëshmitarë të gjithë, të një trashëgimie shumë të rënduar në këtë aspekt, me radarë që nuk punonin, me marrëdhënie që nuk funksiononin as mes institucioneve me njëra-tjetrën dhe as mes institucioneve dhe qytetarëve apo sipërmarrësve, me autoritete që abuzonin. Abuzonin me detyrën dhe të drejtën për të kontrolluar, që të garantonin të gjitha këto marrëdhënie të ngritura mbi Kushtetutën, ligjin dhe angazhimeve tona, të bazuara në marrëveshjet me vendet e Europës së Bashkuar.

Praktikisht, kufiri është sot një sfidë për t’u kapërcyer, duke e transformuar nga një kufi që ekziston më shumë për qytetarët dhe për sipërmarrësit, sesa për abuzuesit dhe për kriminelët, në një hapësirë garancish për qytetarët dhe për sipërmarrësit, dhe në një vijë të pakapërcyeshme për abuzuesit dhe për kriminelët. E, rezultatet shumë të dobëta në menaxhimin e kufirit deri dje kanë qenë të lidhura jo vetëm me mosfunksionimin e marrëdhënieve të institucioneve me njëra - tjetrën dhe me mosfunksionimin e këtij raporti bazë, që e bën kufirin një hapësirë mundësish për qytetarin dhe për sipërmarrësin dhe një vijë të pakapërcyeshme për abuzuesin dhe për kriminelin, por edhe nuk kanë funksionuar marrëdhëniet me partnerët në menaxhimin e kufirit.

Ne jemi dëshmitarë të një zhgënjimi të stërzgjatur në kohë, sidomos të partnerëve tanë më të afërt me të cilët ndajmë kufijtë. Jemi, po ashtu, dëshmitarë të rezultateve të prekshme të rivendosjes së lidhjeve të humbura për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme që kishin të bënin me nxjerrjen e gjithë informacionit, tradhëtimin e operacioneve të rëndësishme nga brenda për kapjen e kriminelëve apo të trafikantëve dhe mbi të gjitha, korruptimin e kupolës së Policisë së Shtetit. Sot, kemi shumë më tepër arritje të përbashkëta me partnerët me të cilët ndajmë kufirin, pikërisht, sepse kemi filluar të rivendosim ato marrëdhënie që për një periudhë relativisht të gjatë, në vitet e fundit, ishin kthyer në inekzistente, në radhë të parë, në shkëmbimin e informacionit. Besoj që kjo strategji na krijon kushtet për të shkuar tani më tutje dhe për të kaluar nga një marrëdhënie e qëllimeve të mira dhe e dëshirës së mirë, në një marrëdhënie të stabilizuar, institucionale dhe sistematike mes institucioneve në Shqipëri dhe mes Shqipërisë edhe vendeve partnere, me të cilët ne ndajmë kufijtë.

Nga ana tjetër, ky është një model i rekomanduar mbi praktikat më të mira të Komisionit Europian, por mbi të gjitha, është një model që na garanton një hap të madh vendimtar kundër krimit dhe korrupsionit përmes kufijve. Realizimi i tij është në të njëjtën kohë dhe një kontribut rrënjësor në drejtim të plotësimit të angazhimeve tona kombëtare, në funksion të Bashkimit Europian. Të mos harrojmë që duke synuar të hyjmë në Bashkimin Europian, synojmë në të njëjtën kohë të bindim partnerwt tanë europianë se kufiri ynë është i sigurt për ata që janë më tutje. Fjala vjen, nëse sot hyrjen në Danimarkë nga Maroku e mbikëqyr Spanja, - sa për të dhënë një nga shumë relacionet mes kufijve të përbashkët, - nesër Shqipëria duhet të garantojë se kufiri i vetë është i sigurt, në të gjitha aspektet, për të gjithë vendet e tjera të Bashkimit Europian. Gjë që sot ne nuk mund ta themi me plot gojën, për fat të keq, për shkak të një trashëgimie të rëndë. Por, nga ana tjetër, besoj që kjo strategji përbën edhe një garanci, sepse nuk është një strategji e radhës që ka fjalët e duhura, por është një strategji e mbështetur mbi një parashikim konkret burimesh njerëzore, materiale dhe financiare, që do ta mundësojë zbatimin e saj në praktikë, duke e kthyer kështu në një instrument garancish për mirëmenaxhimin e kufirit. Dhe pa asnjë dyshim, kjo strategji do të nxisë edhe mirëfunksionimin e institucioneve të përfshira në këtë përpjekje më vete dhe të asaj që është pjesa më e vështirë, marrëdhënies mes këtyre institucioneve. Duke bërë të mundur që në kufi ne të ndajmë qartë se për kë kufiri është hapësirë mundësish dhe për kë kufiri është vijë e pakapërcyeshme.

Le të përmbysim njëherë e mirë prioritetet e paravendosura arbitrarisht për kufirin si hapësirë për abuzuesit dhe për kriminelët, dhe si pengesë për qytetarët dhe sipërmarrësit. Jemi të gjithë dëshmitarë të punës që po bëjnë doganat shqiptare, në përpjekje për ta bërë kufirin hapësirë për importuesit dhe për eksportuesit, pa dyshim edhe për qytetarët, dhe për ta bërë pengesë për abuzuesit dhe për evazorët. Jemi të gjithë dëshmitarë se në çfarë xhungle burokratike po na duhet të çajmë, për të çliruar përfundimisht hapësirën për të parët, dhe nga ana tjetër, për t’u fokusuar tek vendosja e vijës së qartë ndarëse me të dytët. Jemi të vetëdijshëm sesa shumë ka për të bërë akoma Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që, për fat të keq, është trashëguar si një institucion, a thua i krijuar vetëm për të krijuar probleme e pengesa në çdo pikë doganore dhe për të vonuar për arsyet e mosarsyes së korrupsionit të gjithë ata që në pikën doganore e duan kufirin si hapësirë dhe nuk e meritojnë kufirin si pengesë.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm për punën që duhet të bëjë policia kufitare në rrugën e modernizimit, si rrugë për të luftuar më me efikasitet kontrabandën dhe çdo formë të krimit të organizuar. Por, jemi të vetëdijshëm se sot ne kemi një mundësi të re dhe një mundësi që në asnjë mënyrë nuk mund ta humbasim; besimin e miqve dhe partnerëve tanë tek qëllimet tona të mira dhe tek vullneti ynë i madh.

Është fakt, se në gjithë procesin e reformave që ka ndërmarrë, Ministria e Punëve të Brendshme në radhë të parë, ka qenë e asistuar në mënyrë intensive dhe të gjithëvullnetshme nga të gjithë ekspertët e misioneve të ndryshme, që për vite të tëra, vitet e fundit, thuajse mbetën pa punë në Shqipëri, se nuk ua fërshëllente më askush. Jemi të vetëdijshëm për kontributin e shkëlqyer që kemi mundur të përfitojmë nga bashkëpunimi i ngushtë me PAMECA-n, me ICITAP-in, me OSBE-në, me IOM-in, me ICPD-në, -të më falni në qoftë se kam harruar ndonjë tjetër, - në përpjekjen për t’i dhënë një sens të plotë gjithë këtij momenti të rëndësishëm, ku njerëzit me të drejtë kërkojë rezultate, rezultate dhe ku me po atë të drejtë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë kërkojnë rezultate, rezultate, rezultate.

Duke iu falënderuar të gjithëve për kontributin e dhënë, duke qenë i bindur se shumë shpejt do të shohim të tjera rezultate në gjithë këtë përpjekje të madhe kundër krimit të organizuar e korrupsionit, dhe për të çliruar energjitë e pashtershme të sipërmarrjes dhe të çdo individi në Shqipëri, që i kërkon kufijtë si hapësirë mundësish, besoj dhe jam i bindur që me intensifikimin e bashkëpunimit dhe me vënien në përdorim të gjithë praktikave më të mira Europiane, ne do mund të bëjmë në një kohë shumë të shpejtë, hapa që mbase do të duhet tanimë t’i kishim bërë me kohë.

Faleminderit!

KOMENTE