English

Tetë predha mortaje gjenden në bregdetin e Borshit (VIDEO)

Tetë predha mortaje me djegore janë gjetur vetëm pak metra larg bregut të detit në Borsh. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë pikasur ato dhe menjëherë kanë njoftuar forcat e policisë.

Menjëherë efektivët e policisë së Postës Kufitare, kanë rrethuar zonën si dhe kanë njoftuar ekspertët xhenierë, të cilët ende nuk kanë bërë të mundur heqjen e këtyre predhave për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqesin.

Ndërkaq, burime nga Ministria e Mbrojtjes, të kontaktuara nga Top Channel lidhur me këtë rast, bëjnë të ditur se ende nuk kanë marrë asnjë njoftim nga pushteti lokal apo Ministria e Brendshme, në mënyrë që të vihen në lëvizje me ekspertët e tyre, për pastrimin e një prej zonave më të populluara gjatë sezonit të verës.

Në një intervistë telefonike për Top Channel, kryeplaku i fshatit Borsh, Timo Gërdhuqi tregon se si janë gjetur këto predha, të cilat sipas tij janë të mbetura që nga viti 1997 dhe paraqesin rrezik.

“Këto predha janë gjetur gjatë mesditës së të martës nga një banor i fshatit, i cili po ndërtonte një lokal sezonal. Sipas specialistëve ato janë disa predha mortaje, të 97-ës. Kur shkuam ne atje ndodhej një polic për të mbikëqyrur vendin. Ajo është një zonë që tani për tani nuk ka lëvizje. Sipas informacioneve specialistët për demontim pritet të vijnë nesër”, kryeplaku i fshatit Borsh, Timo Gërdhuqi.
2119

KOMENTE