English

Basha: Premio për kampionët në peshëngritje të sport - klub “Tirana”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti dje në një takim kampionët e Europës në peshëngritje, Erkand Qerimaj, Daniel Kodelli, Romela Begaj, Ervis Tabaku, trajnerët e tyre dhe presidentin e Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjozi.

Në këtë takim, z. Basha i ka uruar për rezultatet e larta të arritura në kampionatin europian të peshëngritjes që u zhvillua në Tel-Aviv, ku Erkand Qerimaj u shpall kampion Europe, ndërsa Daniel Godelli nënkampion.

“Bashkia e Tiranës, - tha zoti Basha - do ta vazhdojë traditën e saj të shpërblimit për kampionët e sport-klub “Tirana”.

Kryebashkiaku Basha bëri të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak në mbledhjen më të afërt premio si për peshëngritësit ashtu dhe për të rinjtë dhe të rejat e volejbollit të sport-klub “Tirana”. Duke shpresuar në zhbllokimin e buxhetit të Bashkisë, z. Basha ka garantuar sportistët se menjëherë me pas do të lëvrohen premiot e tyre.

Bashkia e Tiranës, do të vazhdojë të ofrojë të gjithë mbështetjen dhe të gjitha lehtësirat e nevojshme për këta sportistë.

Sportistët dhe trajnerët e kombëtares së peshëngritjes kanë vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e z. Basha, për t’i shpërblyer për rezultatet e tyre gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës si dhe i ka shprehur mirënjohjen për restaurimin e palestrës ku stërvitet ekipi kombëtar, në një kohë rekord, e cila u ka mundësuar kushte optimale stërvitje.

KOMENTE