English

Nga kush Inspirohemi?

Besjana Ajazi: Gjatë proçesit të të jetuarit njeriu rritet me apo pa dëshirë, si pasojë e eksperiencave personale apo edhe mësimeve nga të tjerët që arrin t’i kthejë në dije. Këta individë unë(por jo vetëm) i quaj mentorë/mësues.

Mentorët/mësuesit nuk kanë moshë, që do të thotë mund të jenë bashkëmoshatarët e tu, më të vegjël, më të mëdhenj, madje në shumicën e rasteve dhe bebja jote e porsalindur, apo qeni jot.

Në fëmijëri, duke u bazuar në eksperiencën personale, mentor bëhet prindi, çdo i afërm tjetër që ka afrimitet të konsiderueshëm në familje, mësuesi, bashkëmoshatarët,personazhet e filmave dhe librave etj. Mënyra se si mentorët përzgjidhen përcaktohet nga nevoja për të zhvilluar diçka tek vetja. Si fëmijë unë kisha mentor tim atë, për arsyen se dinte të donte këdo pa u ndikuar nga pozicioni që kishte, dhe ishte pikërisht ajo që unë doja në ato momente, të krijoja shoqëri të re pa paragjykuar. Tjetër mentore ishte kushërira, për mënyrën se si fliste, kujdesej për veten dhe gjithashtu ishte e para në mësime.Kushërira zgjonte tek unë dëshirën të mësoja më shumë dhe të kujdesesha për veten si nga jashtë ashtu dhe nga brenda. Si mentore nga personazhet e librave kisha Polianën, vajzën e cila luante lojën e të qënit e gëzuar dhe e lumtur nga çdo gjë që i servirte jeta. Doja të bëhesha si Poliana pasi më pëlqente të qeshja gjithmonë dhe të transmetoja tek të tjerët gëzim duke u kthyer në burim lumturie.

Gjatë proçesit të rritjes, duke parë sa shumë ndryshova në përgjithësi, kuptova që numri i mentorëve sa vinte dhe shtohej. Tashmë kisha fituar aftësinë të inspirohesha thuajse nga kushdo që bëhej pjesë e jetës time,pavarësisht se sa gjatë, duke u munduar të imitoj në mënyrë unike atë çfarë më pëlqente dhe mungonte. Kur filloja të risillja ndërment emra, bëheshin aq shumë sa më dukej sikur po bëja mëkat dhe po harroja ndonjë. Madje gjatë shtimit të dozës së leximit të librave shumica e mësuesve të mi kishin kohë që kishin vdekur.
Përveç vështirësisë në përcaktimin se kush ishin të gjithë mentorët nga të cilët unë kisha mësuar shumë u hasa dhe me një vështirësi të re. Shpesh ndeshesha me pyetjet: nga kush ke mësuar të reagosh kështu? Kush të inspiron në jetë? Si ka mundësi që je bërë kaq e mirë në këtë gjë? dhe pyetje të tjera.
Vështirësia e hasur konsistonte në faktin se shpesh as vetë nuk arrija ta kujtoja më kush ma dha atë informacion që unë e shndërrova në dije, kush më mësoi të përmirësoj veten, ndaj e kisha të pamundur ta përdorja mentorin tim si referencë edhe sikur të doja shumë ta bëja diçka të tillë.
Gjithashtu vështirësia konsistonte në mundësinë që kishin të tjetër të merrnin nga mentori im atë që unë kisha marrë. Nuk mund të kujdesesh që një informacion i caktuar të shndërrohet në njohuri/dije për dikë tjetër, por gjithashtu nuk mund të kujdesesh që ky dikush tjetër të shpenzojë të njëjtën kohë që ti ke shpenzuar me mentorin tënd pasi ndoshta nuk i jepet mundësia të njihen kurrë.

Ndaj më lindi nevoja të gjeja një përgjigje, një përgjigje që do ti ndihmonte dhe të tjerët dhe mua njëkohësisht. Gjatë proçesit të reflektimit me veten përgjigja erdhi dhe është pikërisht kjo përgjigje që unë përdor pa frikë dhe besoj se ka impakt të konsiderueshëm tek të tjerët gjithashtu.
Unë kam arritur në përfundimin se realisht përtej të gjithë atyre mësuesve që më është dhënë dhe do të më jepet mundësia të njoh gjatë proçesit të rritjes, unë inspirohem nga vetja. Është pikërisht gatishmëria që ka vetja ime për të përmirësuar ndjeshëm çdo gjë, që më inspiron dhe më surprizon në çdo çast dhe eksperiencë.
Pavarësisht mentorëve që mund të të sjellë jeta, nëse gatishmëria për të kthyer në dije çdo mësim të tyre është e ulët, nuk mund t’i identifikosh këto mentorë dhe as të përfitosh prej tyre, ndaj është vetë vetja jonë që na e mundëson këtë gjë. Të njohësh veten është një proçes i gjatë, i cili si motor për të vazhduar ka sërish veten, këtë qënie që ka aftësinë të surprizojë njeriun që e ban në çdo formë dhe çast.

Ato që besoj se do të arrij dhe kam arritur me një përgjigje të tillë kur më pyesin për personat që më inspirojnë janë:

-Çdo njeri që deri dje nuk e ka menduar ta kthejë vëzhgimin nga bota jashtë në atë brenda, mund të motivohet ta bëjë dhe të përjetojë të njëjtën gjë.
-Çdo njeri që për arsye të ndryshme, qofshin këto dhe turpi, ka hezituar të vëzhgojë veten qoftë edhe për një ditë të vetme, duke parë një shembull të gjallë të një individi që ka ndryshuar shumë tek vetja thjesht duke u inspiruar nga vetja, mund të fillojë ta bëjë.
Vetja jonë, duke i kushtuar vëmendjen e duhur, është mësuesi më i mirë që personalisht mendoj se mund të kemi, duke ju udhëhequr të sigurt drejt një rruge pa vuajtje përmirësimi të vazhdueshëm.

KOMENTE