Replikë e Kryeministrit Edi Rama dje, në Kuvend:
-Kisha vendosur ta kurseja këtë sqarim, në respekt të shtetit shqiptar, por edhe duke u përpjekur të mirëkuptoj paraardhësin në detyrë, dhe pa dashur, në asnjë mënyrë, që çka do të them të shfrytëzohej në dëm të Shqipërisë dhe të bëhej spekulim politik.
Mirëpo nuk ma dhatë këtë mundësi. Më detyruat që të dal këtu dhe t’ju them: Po, ka ndodhur! Fatkeqësisht, ka ndodhur! Ka ndodhur! Ka ndodhur ekzaktësisht kështu siç do t’ju them, bazuar në dokumentacionin që disponohet, qoftë prej atyre që e kanë publikuar, qoftë prej nesh. Më vjen keq për ata që ju besojnë kur ju shfrytëzoni publikimet ndërkombëtare, siç paturpësisht e filluat që me deklaratën e Sekretarit të Shtetit në dhjetor, për të fajësuar qeverinë tonë, ndërkohë që të gjitha publikimet e sotme i përkasin vitit të shkuar.
Publikimi që lidhet me këtë çështje i përket në 5 raste, vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë Thana. Artikulli i importuar është vaj bazë, në sasinë 108 110 kilogram, si mëposhtë vijon:
1-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri i deklaratës, 11721; kodi 42710; datë 04/03/2013. Pesha neto, 21 470 kg.
2-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri i deklaratës 12718; kodi 42710; datë 08/03/2013. Pesha neto, 21 500 kg.
3-Dogana hyrëse Kapshtica, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri i deklaratës 14752; kodi 42710; datë 18/03/2013.
Për të qenë i saktë, se është në bashkëpunim me partnerët kjo dhe ata datat i vendosin ndryshe nga ne datat, këto i përkasin datave 4 mars 2013, 8 mars 2013, 18 mars, 2013, 25 mars 2013. Janë parterët këta, Sali.
4-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri i deklaratës 16211; kodi 42710; datë 25/03/2013. Pesha neto, 21 820 kg.
5-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri i deklaratës 16196; kodi 42710; datë 25/03/2013. Pesha neto, 21 780 kg.
Kaq për sot. Fillo hetimin se do të dëgjosh të tjera.
***
-E thashë edhe në ndërhyrjen e parë që kisha gjithë dëshirën që ta kursenim këtë debat dhe t’ia kursenim vendit disa të vërteta, që fatkeqësisht janë të hidhura. I keni prodhuar ju dhe sot kërkoni të na fajësoni ne. Nga ana tjetër është po kaq fatkeqësi që keni qenë 8 vjet në krye të vendit, besoj e dini mirë si funksionon gjithë ndërveprimi i Shqipërisë me partnerët e vet dhe, edhe pse duhet ta kishit ditur mirë se këto gjëra nuk shpëtojnë pa lënë gjurmë, përsëri fakti që sot kërkoni t’i përdorni kundër nesh, ju fajëson drejtpërdrejtë.
Unë nuk do të kisha dashur kurrë që të dilja dhe t’i sillja këto fakte këtu. Këto fakte janë të njohura për ne më parë, por më detyruat me këtë sulm të paskrupullt që i bëni qeverisë së sotme, ndërkohë që në informacionin e tërësisht të bashkërenduar me partnerët, po ju nxjerr dhe një fakt tjetër. Nuk po shkoj më tutje për të folur për kompaninë. Unë asnjëherë nuk i përmend emrat e kompanive, cilado qofshin sepse është parim, që e kam, që mes kompanive dhe politikës duhet të ketë distancë. E, për më tepër pastaj kompania sigurisht duhet të kalojë në një proces skanimi të plotë. Por, një gjë është pak më e sigurt. Kompania nuk ka asnjë lidhje me vitet dhe me angazhimin tonë politik.
Po e mbyll duke ju thënë; Nga sa më sipër rezulton se gjatë periudhës shtator 2013 dhe në vazhdim, nuk ka asnjë deklaratë dhe asnjë fakt që të lidhë Shqipërinë me eksportin e vajit bazë nga Irani, i cili është zhvilluar në kornizën e 5 hyrjeve të lartshënuara.
***
-Kur del me këtë iPad-in si argument, më kujton gjithmonë Avokat Ngjelën që thoshte “Saliu ka problem të madh me tastierën e telefonit edhe adresat ia mban Fahriu në një bllok. Se Saliu di vetëm “type”, “send” edhe “delete””.
***
Replika e Kryeministrit Rama gjatë diskutimit për projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar””:
Kur po e dëgjoja parafolësin, më vinte parasysh një hartë e trashëguar nga “qeveria e pronarëve” në hipotekën e Tiranës, që është e vetmja bazë të dhënash, sot e gjithë ditën, për të trajtuar pronat, konfliktet, kërkesat. Dhe i thashë drejtorit që me t’u mbaruar dixhitalizimi, hartën ta çojmë në Muzeun Historik Kombëtar. Ju siguroj se do të jetë një nga objektet më të jashtëzakonshme të historisë sonë. Objekt i prodhuar në vitet e pluralizmit demokratik, por që nuk i lë asgjë mangët, papiruseve të kohës së Egjiptit. Është kaq hartë e shpërdoruar, sa një pronari - dhe kjo është histori reale, nuk është barsoletë, - që kërkoi pronën në gjyq, gjykata i tha se ‘nuk e identifikojmë dot, se prona ka rënë në vrimë’. Në vrimat e krijuara nga ato palosjet e ripalosjet e hartës. E pronarë në vrimë, në vrimën e hartës që latë ju që sot dilni këtu dhe flisni për pronarët dhe kërkoni llogari nga ne, çfarë do bëjmë ne për pronarët, ndërkohë ju, për 20 vjet i mbytët në vrimat e hartave tuaja, ka shumë. Ka shumë në Tiranë, ka shumë në gjithë Shqipërinë. Pa llogaritur faktin, pastaj, që vrimat i keni mbushur me pronarë të rinj, të dalë nga barku i qeverisjes demokratike.
Çfarë trashëguam ne nga ju? Ne trashëguam atë arkiv që normalisht të tjerët, se ju e keni parë, por problemi juaj është që ju nuk ju bën përshtypje e shëmtuara, ju e doni të shëmtuarën, juve ju pëlqejnë ndërtimet pa leje, juve ju pëlqejnë pushtimet e tokave, juve ju pëlqejnë edhe këto hartat me vrima, e panë të gjithë se çfarë trashëguam. Një institucion të kthimit e kompensimit të pronarëve, ku dosjet ishin të gjitha përtokë. Përtokë fizikisht. E rrëmuja e pronave ishte e atillë, sa mund ta kuptoje fare lehtë, pastaj, sesi keni arritur ju të nxirrni edhe trashëgimtarë të antikitetit në procesin e kthimit dhe të kompensimit.
E dyta. Ne kemi trashëguar një arkiv me numra protokolli, por pa letra brenda. Kjo është arkiva që na latë ju, para pak më shumë se 6 muajsh. Ne kemi trashëguar një arkiv ku letrat e njërit pronar ishin në dosjen e pronarit tjetër, e me radhë. Ne kemi trashëguar një arkiv ku dokumentet e zhdukura janë në sasi të frikshme, nga dosjet e administruara, për të cilat pronarët vetëm gjatë kësaj periudhe janë vënë në dijeni.
Cfarë është realizuar në këta muaj? Është realizuar një kërkesë themelore e Gjykatës së Strasburgut, - se keni edhe një gjë të bukur që jua ka mësuar ai plaku juaj, që thoni në Strasburg thonë kështu për këta, në Bruksel thonë kështu për këta, në Uashington thonë kështu për këta. A thua se Brukseli, Uashingtoni e Strasburgu nuk kanë punë tjetër, vetëm të bëjnë thashetheme me ju. -Gjykata e Strasburgut, ka vënë kërkesë themelore hedhjen dixhitale të të dhënave hartografike dhe informacionit mbi pronat. Nuk keni bërë as edhe më të voglën gjë për këtë. Ne, po ju lajmëroj, në këta muaj kemi bërë pikërisht këtë gjë. E sot kemi regjistër elektronik me të dhëna të sakta për çdo dosje, me referencë gjeografike, për vendimmarrjen nga viti 1993 deri në vitin 2014. Janë të gjitha me radhë, qytet pas qyteti.
Po ashtu kemi realizuar një projekt që është testuar metodika e nevojshme. Edhe kjo e kërkuar nga Gjykata e Strasburgut shumë herë me radhë dhe e padëgjuar prej jush, për nxjerrjen e faturës së kompensimit. Një metodikë e re.
Së treti. Qeveria e mëparshme kishte parashikuar strategjinë për krijimin e hartës dixhitale deri në vitin 2020. Është e shkruar meqë lexoni programin tonë dhe faleminderit shumë që na referoheni edhe faqe për faqe, se këtë, se në çfarë faqeje mund ta gjeni me numër, e keni mësuar nga ai, që më vonë thoni pse e nderojnë me grusht të tjerët, pastaj. Në fakt, ju jeni e vetmja hije e mbetur e grushtit të atij, këtu mbi tokë.
E, nuk janë premtime, por këto që po ju them janë fakte.
Po ashtu, gjithë informacionin hartografik i Republikës së Shqipërisë, për të gjitha qarqet, tani lehtësisht mund të vazhdojë të hidhet, edhe pse e keni lënë këtë vend pa referenca gjeo-hapësinore. Domethënë, ju jeni vërtet të falur, sepse ju s’jeni fare të vetëdijshëm për çfarë keni bërë dhe çfarë keni lënë. E nuk keni faj, se nuk keni ditur në fakt, as pse ishit aty dhe as çfarë duhet të bënit aty. Por vend pa referenca gjeo-hapësinore, sot në botë, ju siguroj është vetëm Shqipëria. Nuk ka vend tjetër. Ju siguroj për këtë. Pa referenca të unifikuara gjeo-hapësinore. ‘Çfarë do të thotë kjo?’, thotë dikush aty! Mos ki merak, se do ta mësosh.
Edhe një e dhënë tjetër shumë e thjeshtë. Në nëntor-dhjetor, dy muaj që patëm në dispozicion në 2013-n, ne shpërndamë fondin për 50 përfitues nga 33 që kishit shpallur ju në vitin 2012, për të njëjtin fond. Tani si shpjegohet kjo? Për të njëjtin fond kanë përfituar më shumë njerëz nga kompensimi i fundivitit 2013, se nga ai i fundvitit 2012. Që do të thotë që i keni ndarë bashkë. Shumë e thjeshtë.
Më lejoni t’ju them edhe një gjë tjetër. Në këto 8 muaj ka edhe një të dhënë tjetër, që referuesi para meje, normalisht edhe për rolin që ka pasur, duhet të ndjehej keq duke dëgjuar. Është rritur 70%, me statistika, pjesëmarrja e Agjencisë në proceset gjyqësore, ku Agjencia është palë e paditur. Sepse, ju keni bërë diçka që nuk ia bën një qeveri vendit të vet.
Keni braktisur gjyqet për të privilegjuar pronarë që i keni sajuar ju, në kurriz të pronarëve, që sot e gjithë ditën nuk arrijnë të marrin pronat që iu kanë lënë gjyshërit, sepse ju keni tërhequr shtetin nga gjykatat dhe në tetë muaj. Janë 70 % më shumë, statistikisht rritur prezencat e shtetit në gjykata për të mbrojtur edhe interesin publik, por në radhë të parë interesin e pronarëve realë, nga pronarët e sajuar prej jush. Këtë e ndan gjykata, por çështja është pse e keni braktisur gjykatën. Pse nuk keni shkuar të mbroni në gjykatë interesin publik. Pse e keni tërhequr Agjencinë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave nga çdo betejë gjyqësore dhe keni edhe gojë e flisni. Në fakt vetëm gojë keni, e nuk keni gjë tjetër.
Po ashtu, vetëm në muajin prill të 2014, janë 923 seanca gjyqësore ku Agjencia është thirrur dhe sigurisht në pozitë jashtëzakonisht të vështirë, për shkakun tuaj. Për shkakun tuaj dhe për shkak të vendimmarrjeve tuaja. Sado që të mundoheni që gjithçka çfarë keni bërë në 8 vjet, të na e ktheni ne mbrapsh, sikur e kemi ne fajin, aq më shumë do rrini aty ku jeni në opozitë. E për më tepër, për herë të parë, Shqipëria ka një listë vendimesh të gjykatës që janë të formës së prerë. Për herë të parë. S’kishit listë vendimesh të gjykatës, se nuk ju interesonte lista e vendimeve të gjykatës. E për herë të parë ka një faturë financiare të regjistruar që rrjedh nga këto vendime, që nuk e kishit. Asnjë e dhënë nuk ekzistonte në lidhje me detyrimet financiare të shtetit shqiptar, se ju e bëtë shtetin copa e çika, se e latë këtë vend pa shtet. Se kjo është trashëgimia juaj që flisni këtu. Mirë bëni që flisni, por duhet të dëgjoni dhe përgjigjet që meritoni.
Për më tepër pastaj, drama e madhe e pronës lidhet me mospërputhjen e plotë mes hartave dhe vendimeve, bazuar në një hartografi të një epoke tjetër të Agjencisë dhe hartave dhe vendimeve bazuar në një hartografi tjetër të ZRPP-së. Njehsimi i këtyre të dyjave është sfida jonë dhe ka të bëjë me atë që ju thashë, me faktin që Shqipëria është i vetmi vend në botë sot, nga vendet që kanë qeveri kuptohet që nuk ka referenca gjeo-hapsinore të njehsuara. Ka tre lloj forcash në një konflikt udhëkryq; pronarët, ata që e kanë pronën të trashëguar ose që pretendojnë që e kanë pronën të trashëguar nga stërgjyshërit; ata të cilët e kanë pronën të regjistruar apo e regjistrojnë në hipotekë dhe ata të cilët kanë ndërtuar pa leje në pronën e dikujt tjetër. Ka pafund konflikte për të njëjtën copë toke, bazuar në metrat e të njëjtit shtet. Njëri e ka me Agjencinë e Kthimit të Pronave, tjetri e ka me ZRPP-në dhe tjetri e ka me fotografi.
Kjo është situata e pronës që kemi trashëguar ne, dhe ju kërkoni llogari për çfarë keni bërë ju, një masakër totale, nga ne, sot. Ndërkohë që po ju them si konkluzion se atë që për 20 vjet pronarët kanë pritur ta realizojnë përmes jush dhe besimin ndaj jush e kanë marrë mbrapsht si kokolepsje të vazhdueshme të problematikës së tyre, - ne kemi marrë përsipër ta fusin në rrugën e zgjidhjes, në radhë të parë me një reformë që nuk është ajo që është shkruar në faqen 17 të programit, sikundër e kishte lexuar ashtu siç duhet pionieri i dikurshëm. Po është sot në rrugën e realizimit. Një reformë që na kërkon një vit kohë dhe kjo është arsyeja pse kemi ardhur ne këtu. Na kërkon një vit kohë për të konsoliduar bazat e një procesi që pastaj do të hyjë në rrugën e vet të natyrshme në harmoni të plotë me Gjykatën e Strasburgut, ku e kishit lënë Shqipërinë, “varur në tel”, kur i thonë. E ku na është dashur të bëjmë një dialog intensiv për të shtyrë afatin e fillimit të goditjeve prapa kokës, për një vend të tërë për shkak të mëkateve që ju keni bërë me pronën. Për herë të parë Shqipëria ka shkruar në Strasburg me një plan konkret vendosur përballë atyre që kanë në dorë vendimmarrjen lidhur me ketë çështje, për t’i bërë automatike të gjithë vendimet e Gjykatës së Strasburgut pa i futur fare në gjyq, që do të thotë që çdo njeri që do të shkojë atje falë jush, të fitojë automatikisht kundër shtetit shqiptar dhe shteti shqiptar të refuzohet në çdo pretendim për çdo lloj çështje dhe çështjet kalojnë automatikisht për zbatim. Këtë i bëtë ju Shqipërisë. E, flisni këtu tani e kërkoni llogari për pronën. Pikërisht ju! Por jeni tipikisht rasti që e ka bërë popullin të thotë bërtet “Hajduti: Kapni hajdutin!”
***
S’kam fare replikë me personazhin e Fan Nolit. Për sqarim, ishte krejt e kundërta e asaj që unë thashë. Ne po shmangim bërjen automatike të vendime që erdhi si rezultat i talljes së gjatë që ju i bëtë të gjithë procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës dhe i talljes së gjatë që i bëtë, por nga padija edhe Strasburgut. Është e kundërta, pra. Ne po e shmangim këtë fund katastrofik për shtetin shqiptar, që ia përgatitët ju dhe që, siç e patë, do të bënte që qysh nga qershori, çdo vendim i Strasburgut, për çdo ankese të kujtdo qoftë nga Shqipëria, të ishte automatikisht kundër shtetit shqiptar. Dhe këtë e bëtë ju, nuk e bëmë ne.
Ne, këtë po shmangim. Nuk po e shmangim duke çuar në Strasburg programin e votuar në parlament, këtu, kur qeveria mori votëbesimin, por po e shmangim duke i vënë përpara, palës tjetër në Strasburg, një plan konkret, i cili është konsideruar i pari plan konkret lidhur me pronat dhe çështjen e pronarëve, që vjen nga Shqipëria në 20 vjet. Kjo është e thënë prej tyre, jo prej nesh. - Por ju s’keni faj, se ju gjykatësit shqiptarë të Strasburgut i lini rrugëve. Shkojnë gjykojnë në Strasburg, kur vijnë këtu, për ju nuk përmbushin parametrat për gjykim, se ju keni parametra të tjerë, keni parametrin e kutisë së gabuar.
- Përfundimisht, po ju them prova do të jetë pikërisht kjo; Do ta shtyjë Strasburgu apo nuk do ta shtyjë atë që jua ka thënë juve dhe që e thatë me gojën tuaj, vite më parë, keni afat për të mos e çuar Shqipërinë në këtë pozicion qesharak si shtet dhe dramatik financiarisht. Ju nuk keni çarë kokën të bëni absolutisht asgjë. Keni lënë atë hartën me vrima të hipotekës së Tiranës dhe atë Zyrën e Kthimit e Kompensimit të Pronave që është një rrëmujë më e madhe sesa rrëmuja që ka Saliu në zyrë.