Sot më 12 maj 2014, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati do të drejtojë takimin e gjashtë të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit BE – Shqipëri. Në këtë takim BE do të përfaqësohet nga Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Evangelos Venizelos, si përfaqësues i Presidencës greke të BE-së, dhe Komisioneri për Zgjerimin, z. Štefan Füle. Në përbërje të delegacionit shqiptar do të marrin pjesë edhe Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha dhe Kryetarja e Komisionit të Integrimit Evropian të Kuvendit, znj. Majlinda Bregu.
Këshilli i Stabilizimit dhe Asocimit, i cili mblidhet një herë në vit, do të bëjë një vlerësim të përgjithshëm të zbatimit të MSA-së dhe do të diskutojë mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin evropian të Shqipërisë.
Në datën 13 maj 2014, Ministri i Punëve të Jashtme z.Ditmir Bushati do të marrë pjesë dhe do të drejtojë Takimin e Këshillit të Adriatikut e Jonit (AIC).
Takimi do të analizojë ecurinë një vjeçare të presidencës shqiptare të AII, duke u ndalur në të gjithë aktivitetet e kryera gjatë një viti, dhe gjatë tij do të bëhet transferimi i Presidencës tek Bosnje Hercegovina.