English

Hoxhaj kërkon fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik me Letoninë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot, e hënë, në takim ambasadorin e Letonisë në Çeki, jorezident për Kosovën, Alberts Sarkanis, i cili i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale në MPJ.
Ministri Hoxhaj e njoftoi ambasadorin Sarkanis për progresin që po arrihet në Kosovë si dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.

Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane, duke filluar nga nënshkrimi i shpejtë i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Ambasadori Alberts Sarkanis vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke konfirmuar mbështetjen e Letonisë në proceset integruese evropiane, si dhe angazhimin e tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadori Sarkanis po ashtu vlerësuan lartë raporteve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Letonisë, duke shprehur vullnetin e dyanshëm për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale.

Në këtë kontekst, Hoxhaj veçoi rëndësinë e hapjes së mundësive të reja në bashkëpunimin ekonomik.

Gjatë takimit, po ashtu është biseduar për mundësinë që Letonia ka siguruar për shkollimin në nivel Master për studentët e Kosovës, ku u bë e ditur se së shpejti do të konkretizohen procedurat të cilat do t’i mundësojnë studentëve të Kosovës të studiojnë në Riga.

KOMENTE