Besjana Ajazi - Çdo i rritur, student apo adoleshent e ka një plan ditor, të cilin mundohet ta ndjekë me përpikmëri dhe disiplinë. Çdo plan është unik dhe në akordim me çfarë individi synon të arrijë në një periudhë të caktuar kohe.
Të tre këta individë të përmendur më lart(i rrituri, studenti dhe adoleshenti) si pasojë e presionit jo të duhur social(i cili është më i theksuar në Shqipëri dhe vendet në zhvillim) detyrohen të krijojnë me vështirësi një hapsirë në planin ditor për një partner.
Që të mos keqkuptohem, me këtë nuk dua të them që partnerët e bëjnë shumë më të vështirë jetën tonë duke na çorientuar në realizimin e planit dhe objektivave, ajo që dua të them është që zgjedhja e një partneri nën presionin social, në një kohë jo të duhur do të shkaktonte çorientim.
Si ndodh proçesi në këndvështrimin tim individual?
Tek i rrituri i cili ka tashmë një punë, e ka prekur moshën e pjekurisë, ndodh që i ofrohet mendimi për një partner/e në mënyrë indirekte apo direkte nga shoqëria. Tendenca që krijohet më pas është e atillë: Ai/Ajo shpenzon më shumë kohë në shoqëri të ndryshme, duke observuar me kujdes çdo mashkull/femër interesant/e dhe atë çfarë i pëlqen kësaj femre/këtij mashkulli interesant/e. Dhe kështu çdo ditë fillon dhe përmirëson diçka tek vetja me qëllimin e vetëm për të patur atë partner/e. Në pamje të përgjithshme kjo duket si një sprovë e bukur, si një argëtim dhe pa rrezik, por thellë thellë shkakton çorientim dhe transformime, që konsiderohen si përmirësime në karakter që ndoshta pa presionin për partner/e nuk do të ishin aspak të nevojshme.
Tek studenti ndodh pak a shumë e njëjta gjë, por pa këmbë në tokë, dhe më shumë me besime të mëdha që i janë kultivuar si pasojë e realitetit virtual. Presioni në këtë kategori është i papërballueshëm, pasi realiteti i tyre kufizohet me individë që tashmë e kanë një partner dhe i qartësojnë çdo herë dhe më shumë nevojën për një partner. Edhe në këtë rast vëmendja del nga brenda jashtë, duke studiuar kandidatët e mundshëm dhe gjithashtu ikona hollywood-i për të marrë më shumë informacione si të duken më tërheqës, apo edhe si të sillen. Rastet më të mira kanë përfundimin e tillë: gjetjen e partnerit/es dhe përmirësime të jashtme të dukshme duke rritur deri në një farë pike vetëbesimin.
Tek adoleshenti fatëkeqësisht një situatë e tillë është dhe më e vështirë për tu përshkruar, pasi janë disa proçese që kjo moshë presupozohet ti kalojë dhe një gjykim i tillë i imi mund të konsiderohet si paragjykim. Por në vija të përgjithshme adoleshentët janë plotësisht të prekur nga realiteti virtual, VIP-at apo yjet e hollywoodit, duke krijuar tendencën të mësojnë çdo gjë rreth tyre dhe më pas të kthehen në kameleon për të kopjuar çdo gjë. Në sytë e mi, ngandonjëherë, shfaqet vizioni se shumica janë bërë njësoj, pa ndonjë risi, dhe që ai/ajo që nuk ka partner/e ka me patjetër një problem.
Kur nisa të shkruaj këtë artikull m’u krijua ideja se realisht po dilja kundër një përfundimi të nxjerrë: që shoqërimi me njerëz të ndryshëm dhe një jetë e pasur sociale të ndihmon të njohësh më shumë veten. Por faktikisht ajo që përshkrova mësipër nuk bënte pjesë në këtë kategori.
Kur nevoja për partner është e trilluar dhe aspak e nevojshme, ajo që ndodh është dëshira për të mësuar shumë gjëra të reja rreth këtij proçesi, duke shmangur në total njohjen e vetes, madje madje duke e dëmtuar atë me ndryshime të kopjuara dhe të menduara si të nevojshme.
Kryesisht njeriu ka aftësinë të mësojë gjëra të reja, si pasojë e nevojës për të përmbushur atë listën me objektiva në fund të ditës apo të muajit. Por harron të mësojë rreth vetes, harron të studiojë veten qoftë dhe për një periudhë të shkurtër ditore. Dhe një partner në kohën e gabuar e zhduk dhe më shumë atë pak dëshirë për të njohur veten. Njerëzit mësojnë shumë në lidhje me ushqimin e preferuar të partnerit kandidat, filmat e preferuar, veshjen etj.Gjithashtu ata mësojnë shumë detaje në lidhje me yjet e hollywood-it, si të vishen si ata, si të sillen si ata që të duken më mirë. Por shumë pak, shumë pak njohin me imtësi veten, duke përfshirë këtu çdo detaj në lidhje me çdo preferencë.
Personalisht, duke marrë në konsideratë dhe presionin social, kam gjetur një rrugë që po e ndaj në këtë artikull. Nuk duhet të shmanget në asnjë mënyrë një jetë aktive dhe me diversitet përsa i përket anës sociale, por kur vjen puna për të dalë me dikë, nëse realisht doni dikë që të asistojë në ndryshime të nevojshme dhe t’ju ndihmojë të rriteni fillimisht dilni me veten. Gjatë rrugës vetja do të zëvëndësohet me partnerin e duhur. :):)
Ditë dhe javë të mbarë :)