English

Toponimet. Firmoset në Bruksel marrëveshja Shqipëri-Greqi

Deklaratë e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati:

“Jam sot para jush për të sqaruar marrëveshjen e firmosur në Bruksel, para dy ditësh me homologun grek, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm Venizelos. Një marrëveshje e cila vjen si pasojë e disa diskutimeve, të cilat kanë filluar qysh në ditët e para të punës së qeverisë sonë, në lidhje me çështjen e toponimeve, një çështje e cila ka shkaktuar jo pak probleme në të shkuarën, për rreth 150 mijë bashkëqytetarët tanë që jetojnë në Greqi.

Siç është informuar opinioni publik kemi rënë dakord për një deklaratë të përbashkët apo marrëveshje mund ta quajmë, e cila reflekton interesin e të dy palëve. E, mbi të gjitha është një marrëveshje e cila bazohet tek rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare për aq sa kjo çështje është e rregulluar nga kuadri ligjor ndërkombëtar.

Që në krye të herës e kemi konsideruar një çështje të karakterit teknik, jo një çështje të karakterit politik që do të krijonte elementë të pakëndshëm në marrëdhëniet mes dy palëve tona. Gjithashtu, kemi rënë dakord se rruga më e sigurt për të adresuar problemet e së shkuarës, është referenca në parimet e së Drejtës Ndërkombëtare dhe këtu e kam fjalën tek emërtesat gjeografike që kanë depozituar të gjithë vendet në OKB dhe gjithashtu tek standardet e ICAO-s që është Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil.

Çfarë do të thotë kjo në terma praktikë? Në terma praktikë Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord, kanë vendosur një afat, që është 1 janari i 2015. Deri në 1 janarin e 2015 do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në përputhje me praktikën apo Moratoriumin ekzistues që qeveria greke bëri për këtë kategori personash, bashkëqytetarësh tanë, me rastin e Pashkëve. Pra, ajo praktikë e qeverisë greke me rastin e Pashkëve do të shtrihet deri më 1 janar të 2015. Ndërkohë të dy qeveritë angazhohen për të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore, institucionale, administrative, në mënyrë që 1 janari ta gjejë këtë çështje në mënyrë definitive, të adresuar në përputhje me atë që thashë pak më lart në parimet të së Drejtës Ndërkombëtare.

Do të kemi të bëjmë me një korrektim nga mënyra se si do të shkruhen zonat gjeografike në ato pasaporta për të cilat ka lindur kjo problematikë. Jemi të vendosur për t’i dhënë një zgjidhje të unifikuar, një zgjidhje e cila do të adresonte, jo thjesht shqetësimet e bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në Greqi dhe që janë ndeshur deri më sot me këtë problematikë, por edhe bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në vende të tjera të botës ku punojnë, studiojnë apo jetojnë për arsye nga më të ndryshmet.

Së dyti, krahas korrektimit të praktikës në pasaportë në përputhje me standardet e ICAO-s dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara, ne do të punojmë për të lehtësuar mënyrën e veprimit, në përditshmëri për të gjithë bashkëqytetarët tanë. Ajo çka ka qenë e dukshme gjatë gjithë kësaj periudhe, ka qenë fakti i mungesës së lëvizjes së lirë në të dy anët e kufirit, ndërkohë që si pasojë e çështjes së toponimeve bashkëqytetarët tanë kanë hasur vështirësi të panumërta sa i përket ushtrimit të elementëve bazikë, le të themi, të aktivitetit të tyre, për çështje që kanë të bëjnë me pronësinë, çështje që kanë të bëjnë me marrjen e lejes së qëndrimit në Greqi, për çështje që kanë të bëjnë me lindje, me vdekje, me martesa, etj.

Duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare së bashku me qeverinë greke, ne i krijojmë mundësinë bashkëqytetarëve tanë, jo vetëm të udhëtojnë lirisht në dy anët e kufirit, por të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë dinjitoze, pa kurrfarë pengese në praktikë.

Më lejoni gjithashtu të falënderoj apo të bëj me dije opinionin publik për bashkëpunimin, jo vetëm me qeverinë greke dhe me ministrinë e jashtme të Greqisë që kemi pasur gjatë këtyre 8 muajve, por edhe me Ministrinë e Brendshme Shqiptare, me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Ministria e Brendshme ka përgatitur një plan veprimi se si do t’i përgjigjet në kohë me detyra specifike të gjitha ndryshimeve që do të ndodhin në planin legjislativ, në planin institucional dhe në planin administrativ. Po kështu, Ministria e Jashtme është duke përgatitur planin e qartë të veprimit për të punuar më ngushtësisht me këta bashkëqytetarë që preken nga kjo praktikë që po adresohet për të krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme që korrektimi të kryhet në një kohë sa më të shpejtë dhe gjithashtu për t’i dhënë mundësi këtyre qytetarëve që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre kudo që ato banojnë, pa kurrfarë pengese dhe në mënyrë jashtëzakonisht dinjitoze. E nga ana tjetër t’i krijohet mundësia që deri në 1 janar të 2015 të shtrihet aplikimi që qeveria greke bëri ndaj kësaj kategorie shtetasish me rastin e Pashkëve.

Ne besojmë se kjo është një arritje, pasi dëshmon edhe një herë tjetër seriozitetin e qeverisë sonë për t’i dhënë zgjidhje në mënyrë praktike problemeve të cilat ne i kishim të trashëguara nga e shkuara. Është një problem i cili ka lindur në 2011. Është një problem i trashëguar për qeverinë tonë dhe ka qenë në fokus të bisedave që në ditët e parë të punës së qeverisë sonë, me qeverinë greke. Është një çështje e cila me t’u zbatuar në mënyrë rigoroze, nuk do të jetë më në axhendën e përbashkët të dy qeverive tona.

Fakti që kemi arritur në këtë zgjidhje të përbashkët, duke u bazuar tek e Drejta Ndërkombëtare, duke u bazuar tek referenca të qarta ligjore ndërkombëtare, na jep mundësinë ne dhe qeverisë greke të ecim me vendosmëri për të adresuar edhe çështje të tjera të natyrës së dyanshme, të cilat do të kishin po ashtu një efekt praktik për qytetarët shqiptare dhe qytetarët grekë dhe do të ishin një dëshmi e qartë e faktit se marrëdhënia shqiptaro-greke, është një marrëdhënie strategjike, është një marrëdhënie e dy fqinjëve anëtarë të NATO-s dhe është një marrëdhënie e dy fqinjëve, të cilët kanë një perspektivë të qartë të përbashkët europiane.

KOMENTE