Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e përurimit të "Tirana Expo Centre", një hapësirë shumëfunksionale dedikuar promovimit të bizneseve, panaireve, evenimenteve sportive, konferencave etj...
Kryeministri e quajti ngritjen e kësaj qendre një hapësirë promovimi, e munguar për një kohë të gjatë në Shqipëri, me bindjen se shumë shpejt, ajo do të kthehet në një pikë referimi për aktivitete biznese dhe sociale.
“Realisht jam i bindur që kjo hapësirë do të promovojë shumë gjëra dhe do të jetë një hapësirë për t’i dhënë dukshmëri shumë njerëzve që në këtë vend investojnë, sakrifikojnë përpiqen që të krijojnë pasuri, duke hapur vende pune, duke krijuar mirëqenie edhe për të tjerët dhe që e kanë pasur mungesë të madhe mungesën e kësaj hapësire.”
Në “Tirana Expo Centre” u hap sot edhe "Auto Moto Show", i pari panair i automobilëve që organizohet në Shqipëri. Kryeministri, pasi vizitoi panairin, e shfrytëzoi këtë mundësi për të adresuar edhe një nga problematikat e ngritura prej kohësh nga operatorët në këtë fushë, konkurrencën e pandershme.
“Panairi koencidon me një moment të rëndësishëm të komunikimit tonë me industrinë e koncesionarëve të makinave, në drejtim të një përpjekjeje të përbashkët për të përmirësuar legjislacionin dhe për të përmirësuar kushtet në të cilat janë detyruar të punojnë të gjithë ata që zhvillojnë një aktivitet të tillë të dobishëm për zhvillimin, por edhe kaq të vështirë në kushtet tona, kur ka shumë konkurrencë të pandershme për shkak të makinave të vjedhura apo makinave të tregtuara tërësisht në rrugë të paligjshme.”
Një moment që ngjalli kureshtinë e Kryeministrit ishte ekspozimi i automobilave të vjetër, që i përkasin periudhave të ndryshme. Kryeministri, me një interes të veçantë u njoh me koleksionet shqiptare të makinave të vjetra, një pjesë, siç u shpreh ai, ende e panjohur e trashëgimisë sonë.
“Mu dha mundësia të shoh një pjesë të panjohur të trashëgimisë sonë, koleksionet e makinave të vjetra dhe të mësoj nga koleksionistët dhe mirëmbjatësit e makinave të vjetra që duhet me patjetër të bëhet një ndërhyrje në legjislacion, për të mos u trajtuar si makina të vjetra në kuptimin e makinave të përdorimit të përditshëm dhe që ndotin ambientin, por për t’i trajtuar siç i trajton, sipas asaj që mësova, e gjithë bota si vlera të çmuara të një trashëgimie të çmuar.”
Në fund, Kryeministri Rama e mbylli fjalën, me një përshëndetje për këngëtaren Elhaida Dani, fituese e “Voice of Itali” dhe një batutë me gazetarët.
“Iki vetëm me një keqardhje që dua ta them se për shkak se erdha pak minuta para se të fillonte aktiviteti, mu propozua të bëj një xhiro. Bëra xhiron dhe ndërkohë filloi të këndonte Elhaida Dani. Të gjithë kamerat erdhën pas meje, ndërkohë që duhet të kishin ndenjur përpara Elhaidës. Kjo është keqardhja ime. Unë kisha pjesën time të fajit, por besoj se një pjesë të këtij faji duhet ta marrin edhe mediat në këtë rast, ta ndajmë sëbashku. Megjithëse nuk kanë edhe shumë faj, se kush e di, ndoshta kanë ardhur mbrapa për të parë ndonjë moment shkëmbimi të ndonjë pakoje me drogë.”