Një grup nxënësish të shkëlqyer të shkollës “World Academy of Tirana”, zhvilluan sot një orë mësimi krejt ndryshe në ambientet e Ministrisë së Integrimit Evropian.
Duke i qëndruar larg teknikaliteteve që mbart procesi, Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha dhe zv Ministri i Integrimit Evropian, z. Majlind Lazimi, bashkëbiseduan me nxënësit e klasës së gjashtë, në lidhje me konceptin Evropës së bashkuar si dhe integrimin e Shqipërisë në këtë familje të madhe.
Ora e mësimit ishte mjaft interaktive dhe u zhvillua në gjuhën angleze, ku nxënësit ishin të lirë të drejtonin dhjetëra pyetje. Nxënësit e shkollës ndërkombëtare “WAT”, janë shqiptarë dhe të huaj. Kjo ndërthurje nacionalitetesh e bëri akoma edhe më interesante atmosferën e krijuar në sallën e Mbledhjeve të MIE, ku “mësuesit”, u vunë përpara përgjegjësisë për të shpjeguar sa më kuptueshëm rrugëtimin e gjatë të Shqipërisë në familjen Evropiane.