English

Rama: Europa për ne, do ta quaja demokracia e përditshme në vendin tonë

Gjatë vizitës në Holandë, Kryeministri Edi Rama mbajti një ligjëratë në Institutin e Hagës për Drejtësi Globale, mbi Europën, Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Në ligjëratën me fokus “Ballkani Perëndimor dhe BE: Rruga e Shqipërisë drejt Europës si destinacioni brenda nesh”, Kryeministri Rama shpalosi filozofinë me të cilën qeveria shqiptare e sheh integrimin europian, si ndërtim i Europës e vlerave të saj në vend.

“Europa për ne është ajo çka do ta quaja demokracia e përditshme në vendin tonë dhe vetëdija se veprimet tona në çdo moment si vendimmarrës ndikon jetën dhe mundësitë e njerëzve sot dhe brezave të ardhshëm, që janë gjeneratat e reja europiane. Vendosmëria jonë për anëtarësim në BE dhe për integrimin e Ballkanit në BE ka të bëjë me dëshirën për të kontribuuar në suksesin e një projekti ndërkombëtar brilant, që është Europa e Bashkuar, e cila kontribuon në mirëqenien e miliona njerëzve dhe për sigurimin e një bote më të drejtë. Ky projekt është brilant si rrjedhojë e vlerave mbi të cilat bazohet, ndjeshmërive socio-kulturore dhe politike, që përçon dhe strukturës demokratike institucionale që synon të ndërtojë.

Europa e Bashkuara vazhdon të jetë një projekt inovator, sepse ajo sfidon nacionalizmat e vjetëruar dhe nxit erën e re të inovacionit dhe kreativitetit. Kjo mënyrë e të kuptuarit të BE-së, kërkon dy lloje veprimi. Të parin, unë do ta quaja kandidimi aktiv dhe të dytin, vendosmëri për shtetin e së drejtës në secilin prej vendeve tona. Të dyja këto janë mënyra bashkëpunimi dhe reformimi, të udhëhequra nga vetëdija se ardhmja e Europës po ndërtohet në vendet anëtare aq sa në vendet kandidate për anëtarësim dhe në vendet potencialisht kandidate, që do të thotë Ballkani Perëndimor.”

Duke folur për Bashkimin Europian si destinacioni i Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është aktivisht e angazhuar në promovimin e projekteve dhe nismave konkrete të bashkëpunimit mes vendeve të tij, si element kyç për suksesin e integrimit europian.

“Të vetëdijshëm që bashkëpunimi rajonal është një faktor kyç në suksesin e integrimit qeveria shqiptare mbetet shumë e angazhuar në projekte rajonale në fushat e infrastrukturës, energjisë, shëndetësisë, turizmit, kulturës dhe tregut të punës, për të cilin ne jemi duke ndërmarrë hapa të shpejtë liberalizimi. Shumë premtues është gjithashtu gazsjellësi TAP. Projekt për të cilin Holanda ka treguar interes, e bazuar në eksperiencën që ky vend ka me gazin natyror. Qeveria jonë është entuziaste për këtë interes dhe gjithë mundësitë që do t’i sjellë ky projekt vendit dhe rajonit.”

Kryeministri vlerësoi se ky është një projekt do të hapë rrugën bashkëpunimeve të reja dhe inovative, ndërmjet Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kroacisë. Qartazi, edhe pa filluar zbatimi në terren, TAP ka promovuar integrimin në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerësisht, në Europën Juglindore, duke integruar të gjithë rajonin në rrjetet globale të zhvillimit, është shprehur ndër të tjera Kryeministri Rama.

Për Kryeministrin, bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Benelux-it ofron për Ballkanin, modelin e suksesit në ndërtimin e bashkëveprimit e të integrimit.

“Mendoj se bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Benelux-it mund të jetë një shembull shumë i mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Studime të ndryshme tregojnë se vendet e Benelux-it nuk ishin domosdoshmërish të përputhshme për bashkëpunim, por suksesi i ndërveprimit të tyre rrjedh nga vendosmëria në bashkëpunim.”

Me vetëdijen se integrimi europian është një instrument i jashtëzakonshëm transformimi, Kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare po punon për ndryshim e imazhit të vendit, një proces i përditshëm dhe afatgjatë.

“Qeveria jonë e re po punon mbi imazhin e vendit dhe ne mbetemi të hapur ndaj çdo sugjerimi. Megjithatë, kjo nuk është diçka që ka lidhje vetëm me imazhin, por çka është më thelbësore kjo ka lidhje me transformimin. Procesi i integrimit është një instrument i jashtëzakonshëm transformimi. Mendoj se marka e vendit tonë, por gjithashtu e të gjithë rajonit është thelbësore për aftësinë e tij në tërheqjen e turizmit dhe investitorëve, por para së gjithash dhe veçanërisht, është e rëndësishme të ndryshojmë qëndrimin e të tjerëve ndaj nesh.

Kjo nuk ka të bëjë me një zgjidhje afatshkurtër, por me përpjekjen për të ndryshuar të ardhmen e Shqipërisë dhe të rajonit. Ne shpresojmë të marrim statusit të vendit kandidat në qershor dhe ne shpresojmë të shkurtojmë periudhën drejt anëtarësimit.

Por unë besoj shumë se Shqipëria ka nevojë për Evropën, aq sa Evropa ka nevojë për Shqipërinë. Dhe Ballkani ka nevojë për Evropën, aq sa Evropa ka nevojë për Ballkanin.”

Në Hagë, Kryeministri Rama zhvilloi gjithashtu takime me kryetaren e Parlamentit dhe Presidenten e Senatit holandez, znj. Anouchka van Miltenburg dhe znj. Ankie Broekers-Knol, me të cilat pati një bashkëbisedim shumë frytdhënës për Shqipërinë.

KOMENTE