Konferenca “Përafrimi i legjislacionit shqiptar me Acquis të BE-së, premisat dhe sfidat” ishte një organizim i Ministrisë së Integrimit Europian dhe Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në kuadrin e Projektit të Asistencës Teknike SMEI 3.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën mbi përafrimin e legjislacionit me BE-në:
Dëshiroj që në këto minuta që zemërgjerësisht më janë vënë të dispozicion, të përqendrohem tek një aspekt tjetër i përafrimit të legjislacionit, që ka të bëjë me zbatimin.
Unë besoj se përafrimi nuk është thjesht një proces përngjasimi i teksteve të Bashkimit Europian me tekstet e legjislacionit shqiptar, por është një proces zbatimi i normave ligjore të Bashkimit Europian, në një realitet që ne duam ta transformojmë në pjesë integrale të realitetit të Bashkimit Europian.
Kur erdha, shkëmbyem disa fjalë me rektorin e Universitetit, lidhur me ligjin për Arsimin e Lartë. Po bëjmë një punë si asnjëherë tjetër, për të përfshirë tw gjithë në proces, për të përfshirë përfaqësuesit e atij që sot e gjithë ditën njihet si arsimi shtetëror, përfaqësues të atij që njihet si arsimi privat, ekspertë vendas e të huaj, profesorë shqiptarë që punojnë në universitete prestigjioze në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Pikërisht, sepse duam që ligji i ri për Arsimin e Lartë të jetë jo vetëm një tekst modernizues, po të jetë baza e një procesi modernizimi dhe gjithëpërfshirës.
Edhe pse ne i kishim vendosur vetes një afat, që ky ligj t’i kalonte parlamentit në këtë sesion, e pamë të udhës t’i japim vetes më shumë kohë, pikërisht sepse drafti ka ngjallur shumë interes dhe sepse ka ende shumë kontribute që mund të merren. Kështu që, gjithë periudhën e verës do ta shfrytëzojmë për të formësuar plotësisht një ligj, i cili nuk do të jetë thjesht një tekst, por një instrument i zbatueshëm nga ata për të cilët, ai ligj bëhet, nga njerëzit e sistemit.
E, ky është një shembull për të thënë se këtu, ne shohim një dallim të madh të qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe qeverisë së ikur falë zgjedhjeve të 23 qershorit. Për ta, procesi i integrimit ishte ligjshkrimi. Për ne, procesi i integrimi është proces ligjzbatimi.
Nëse mbetemi tek ligjshkrimi, ndërtojmë një Shqipëri europiane në letër, por një Shqipëri të ndryshme nga ajo që njerëzit jetojnë jashtë dyerve të bibliotekës së Kuvendit të Shqipërisë. Kur themi se Europa është një destinacion brenda nesh dhe kur e kemi përcaktuar integrimin europian si procesi ribashkimi me Europën, kemi pasur parasysh pikërisht rritjen e demokracisë së përditshme, falë ligjzbatimit të gjithë atyre teksteve që përafrojnë me legjislacionin europian.
Kjo do të thotë se ne jemi të orientuar nga rezultatet, që ky proces përafrimi sjell për qytetarin, sjell për komunitetet, sjell për shoqërinë dhe sjell për vendin, në rrugën e integrimit europian dhe jo nga sasia e ligjeve që duhet të prodhojmë për të qenë në rregull.
Fjala vjen, pa qenë detyrim i BE-së ende, sot, Kodi i ri Doganor i Republikës së Shqipërisë ka marrë rrugën e Kuvendit, pasi ka marrë miratimin në mbledhjen e pardjeshme të Qeverisë dhe është një Kod Doganor tërësisht i përafruar me Kodin e ri Doganor të Bashkimit Europian, që daton vetëm dy vjet më parë. Nuk na e ka kërkuar kush, por e bëmë sepse e shikojmë këtë aspekt që ka të bëjë me regjimin doganor të Republikës së Shqipërisë si një aspekt themelor të modernizimit të vendit dhe si një aspekt themelor i transformimit të marrëdhënies mes shtetit dhe sipërmarrjeve.
Është një sfidë shumë e madhe, se është një Kod shumë demokratik, në kuptimin që i jep sipërmarrjes një epërsi shumë të madhe në raport me administratën dhe i heq administratës, instrumente që deri më sot i ka në dispozicion dhe mundësinë për t’i keqpërdorur këto instrumente në dëm të sipërmarrjes. Wshtë një sfidë që ne kemi marrë përsipër ta përballojmë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Çka do të thotë që deri janarin e viti të ardhshëm duhet të përgatitemi shumë fort që, nga njëra anë, dakord, t’i garantohet sipërmarrjes, importuesve dhe eksportuesve një kuadër tërësisht i ri marrëdhëniesh me shtetin në doganë, por, nga ana tjetër, mos humbasim nivelin e të ardhurave.
E për të qenë të suksesshëm në zbatim, besoj se është shumë e rëndësishme ajo që thashë edhe më parë, që procesi i ligjvënies të mos jetë thjesht një proces përkthimi dhe adoptimi i ligjeve të BE-së, por të jetë një proces gjithëpërfshirjeje. Edhe për Kodin Doganor, ne kemi punuar më shumë se dy muaj me sipërmarrjen dhe dokumenti i është vënë në dispozicion, gjithë shoqatave dhe gjithë organizmave të brendshëm të sipërmarrjes në vend dhe iu janë marrë mendimet e opinionet. Ashtu sikundër i është vënë në dispozicion edhe ekspertëve dhe akademikëve, për të marrë edhe mendimet e krahut tjetër.
Kështu që besojmë shumë qw dhe të gjitha ligjet kryesore do të jenë të ndërtuara në këtë formë, në mënyrë që procesi i përafrimit të jetë një proces transformimi kulturor, në rrugën e mirëqeverisjes dhe në rrugën e një procesi legjislativ që duhet të jetë gjithmonë e më transparent, gjithmonë e më gjithë përfshirës dhe gjithmonë e më garantues, për të gjithë ata për të cilët ligjet bëhen dhe për të gjithë ata që preken nga reformat dhe ndryshimet ligjore.
Nga ana tjetër, s’ka dyshim se qëndrueshmëria në zbatim lidhet me vetë qëndrueshmërinë e institucioneve të shtetit.
Arsyeja pse kombet dështojnë apo vonohen, nuk është gjeografike, nuk është kulturore, nuk është as historike, nuk është as klimaterike, por edhe thjeshtë dhe vetëm e lidhur me sa kanë apo nuk kanë institucionet, sa institucionet janë në gjendje të përballojnë sfidën e bashkëjetesës ashtu siç duhet dhe të garantojnë brenda kornizës së bashkëjetesës çdonjërin prej individëve dhe çdonjërin prej komuniteteve, si një pjesë e domosdoshmërisë për barazi para ligjit. Në këtë kuptim, sfida jonë është kalimi në një fazë të re të jetës së institucioneve dhe ndryshimi i rolit të institucioneve në funksion të qëndrueshmërisë se shtetit dhe të zbatimit të ligjeve. Për shembull është shumë e vështirë ta imagjinosh një shqiptar që t’i japë makinës pa rrip sigurimi në Gjermani, por nuk është e vështirë që të imagjinosh një gjerman që nuk e vë rripin e sigurimit në Shqipëri. Sepse unë e kam parë një gjerman pa rrip sigurimi në Shqipëri. Shqiptarë pa rrip sigurimi Gjermani nuk kam parë dhe nuk e imagjinoj dot. Kjo lidhet pikërisht me faktin që njeriu pavarësisht se ku ka lindur, pavarësisht se ku është rritur, është një qenie që sillet në mënyra të ndryshme, në situata të ndryshme dhe në sisteme të ndryshme, dhe aty ku institucionet janë të ndryshme. Nuk është e rastit që ka shumë shembuj në këtë botë sesi i njëjti popull i ndarë në një kufi dhe i ndarë në dy sisteme, ka dy sjellje komplet të ndryshme dhe dy nivele të cilësisë së jetës komplet të ndryshme.
“Të shkruash ligje është e thjeshtë, të qeverisësh është e vështirë” – e thoshte Tolstoy tek “Lufta dhe Paqja”. Dhe sfida jonë, sfida e rajonit tonë është sfida e qeverisjes, nuk është sfida e shkrimit të ligjeve. Sfida e qeverisjes, si sfidë e ligjzbatimit në funksion të modernizimit dhe në funksion të kalimit të ligjzbatimit nga subjekti tek institucioni, nga hapësira subjektive e një grushti njerëzish që qeverisin tek hapësira e institucioneve për të garantuar regjimin e ligjzbatimit, pavarësisht njerëzve që qeverisin.
Sot, në Shqipëri dhe në rajon, ne jemi të sfiduar të ndryshojmë pikërisht kulturën e ligjit dhe rendin ligjor si rend bashkëjetese që na dallon sot nga Bashkimi Europian dhe që na lë sot ende jashtë zyrave të Bashkimit Europian. Për këtë arsye, besoj është shumë i rëndësishëm procesi i integrimit si një instrument unikal, si një instrument i pazëvendësueshëm, si instrument që asnjë popull dhe asnjë vend nuk do mund ta shpikte dot për veten e tij dhe si një instrument që për ne vjen realisht si një bekim për ta përdorur në gjithë këta vite, deri në ditën e anëtarësimit, në funksion të një transformimi që pa këtë instrument është i pamundur.
Duke e mbyllur fjalën time, besoj se Shqipëria e meriton statusin e kandidatit. Nuk diskutohet kjo. Por besoj shumë sot, që sa ç’ka nevojë Shqipëria për Bashkimin Europian, ka nevojë Bashkimi Evropian për Shqipërinë; sa ç’ka nevojë Ballkani për Bashkimin Evropian, ka nevojë Bashkimi Europian për Ballkanin.
E, të mos e harrojmë për asnjë moment se të gjitha sfidat që sot kanë sjellë rritjen e disa forcave të padëshiruara në Bashkimin Europan janë sfida që përballohen më mirë së bashku sesa veç e veç. Në radhë të parë sfida e sigurisë, sfida në luftën kundër krimit të organizuar. Le ta pranojmë që krimi i organizuar është shumë më i bashkuar sesa Europa e Bashkuar, nuk ka burokraci, nuk ka Komision, nuk ka benchmark-e, nuk ka procese që e pengojnë për t’u integruar dhe është kaq i globalizuar, saqë sot është e pamundur që të gjesh një organizatë kriminale me një nënshtetësi. Në Shqipëri nuk ka krim të organizuar shqiptar, por ka krim të organizuar ndërkombëtar, që ka edhe një degë të vetën në Shqipëri. Po të shohësh komunikimet dhe numrat e telefonit të lidhura me rrjetin kriminal, ato kanë shumë prefikse. Shqiptarët kanë edhe aftësinë që flasin shumë gjuhë në të njëjtën kohë, kështu që për këtë arsye janë më të preferuar, nganjëherë më shumë se të tjerët, për t’u përfshirë në këto forca e mëdha të krimit. Për këtë arsye integrimi është i domosdoshëm dhe për këtë arsye Shqipëria i duhet Bashkimit Europian brenda dhe për këtë arsye Ballkani i duhet Bashkimit Europian brenda, në mënyrë që ndërveprimi në luftën kundër krimit të organizuar të jetë një ndërveprim pa kufij, ashtu siç krimi i organizuar nuk ka kufij. Të jetë një ndërveprim i menjëhershëm dhe të jetë një ndërveprim i të njëjtës forcë. Në këtë mënyrë Bashkimi Europian do të jetë shumë më i siguritë. Me një Ballkan aty tek dera, me derën mbyllur, Bashkimi Europian është shumë më pak i sigurt. Besoj shumë që, ashtu sikundër, me të drejtë, Bashkimi Europian i dha Serbisë hapjen e negociatave, duhet t’i japë Shqipërisë statusin e kandidatit, duhet t’i japë Kosovës lirinë për të lëvizur. Se edhe ky është një absurd më vete, se lëviznin dje kur ishin në diktaturë dhe shkonin ku të donin, tani që janë të pavarur duhet të rrinë brenda se nuk kanë viza.
Në këtë kontekst të ri paqeje, në vitin e parë në historinë së Ballkanit, në 2014-ën, që është pa konflikte, që është 100-vjetori i një Lufte të I-rë Botërore, që nuk duhet ta harrojë asnjë njeri që filloi në Ballkan dhe 100 vjet iu deshën Ballkanit që të arrijë në këtë moment paqeje. Askush në Europë s’duhet ta harrojë që kjo paqe erdhi se ballkanasit u bënë më të mirë, as se pa pritur e pa kujtuar ramë në dashuri me njëri- tjetrin, por sepse të gjithë së bashku i vumë vetes perspektivën europiane mbi trashëgiminë e konfliktit. Të gjithë së bashku kuptuam se opinioni publik në Serbi, në Shqipëri e kudo tjetër kërkon BE përtej kufijve të të shkuarës.
Është Europa fjala kyç na sjellë sot në këtë paqe.
Është Europa e Schuman-it, është Europa e Jean Monet, është Europa e Adenauer, e De Gaulle, e Helmut Kohl, e François Mitterrand, që i ka bërë që shqiptarët, serbët, malazezët dhe të tjerët të gjithë me radhë, maqedonasit, boshnjakët që të besojnë tek Evropa. Evropa e liderëve të sotëm duhet të jenë në lartësinë e këtij besimi të madh që njerëzit e këtij rajoni kanë, për të mos i lënë shteg një zhgënjimi të ri. Sepse Ballkani e ka treguar se luftën e ka shumë më të lehtë sesa paqen.
Faleminderit!