English

Rindërtimi i shkollës “Eqerem Çabej”, tërësisht sipas parametrave më modernë europianë

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka zgjedhur t’u urojë 1 qershorin fëmijëve të kryeqytetit, nga shkolla e rindërtuar tërësisht “Eqerem Çabej”. Nga sot, kjo shkollë e rindërtuar nga Bashkia e Tiranës, me një investim prej 126.6 milionë lekësh do të ofrojë kushte moderne mësimi për 900 nxënës.

“Dua t’u uroj të gjithë fëmijëve të kryeqytetit “Gëzuar 1 qershorin!”, por dua ta bëj këtë urim nga një vepër e re që Bashkia e Tiranës u ofron fëmijëve të kryeqytetit, por edhe familjarëve, prindërve të tyre, që është shkolla “Eqerem Çabej”, tërësisht e rindërtuar sipas parametrave më modernë europianë.

Pas një inspektimi të hollësishëm të ndërtesës së re, unë them se ky është një shembull që duhet ndjekur dhe do të ndiqet në çdo shkollë të re të kryeqytetit, në ato që po përfundojnë, në të tjera që janë në punë e sipër dhe në të tjera që prapë se prapë, shpresojmë t’i fillojmë me zhbllokimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, me shpresë në ditët e javët e ardhshme” - deklaroi z. Basha.

Shkolla u zgjerua me ndërtimin e një shtese anësore, ku janë përftuar ambiente të reja, si biblioteka, salla polivalente, zyrat për administratën, laboratorë dhe palestra. Edhe në këtë shkollë, ashtu si në investimet e tjera të Bashkisë, është instaluar sistemit i ngrohjes qendrore me peletë.

“Shkolla e sotme paraqet në tërësinë e saj standardin europian, ashtu siç mësojnë fëmijët e vendeve të BE, ashtu siç meritojnë fëmijët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Ka ngrohje për sezonin e dimrit, ka përdorim të energjisë diellore, falë një projekti me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim që gjej rastin ta falënderoj, për ndihmën që na dha në këtë projekt pilot dhe të uroj që ky projekt të shtrihet edhe në shkolla të tjera të kryeqytetit; ka një palestër ultra moderne, në katin e dytë të shkollës dhe do të ketë edhe një ambient sportiv, sapo të zgjidhet çështja e ambientit para-shkollës me Ministrinë e Shëndetësisë, zgjidhje e cila nuk do të kontribuojë vetëm në dhënien e kësaj hapësire sportive, shkollës “Eqerem Çabej” por do të shërbejë po kështu, për të krijuar një arterie të re rrugore që lidh rrugën e “Dibrës” me pjesën tjetër të qytetit.

Ky standard që shohim sot do të jetë edhe standardi që do shohim në punë të tjera që kemi për të inspektuar, inauguruar në ditët, javët e ardhshme, në shkollat e tjera të kryeqytetit, në kopshtet e tjera të kryeqytetit, çerdhet e kryeqytetit” - deklaroi kryebashkiaku Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shprehur vendosmërinë e tij, për të vijuar me përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballet gjatë muajve të fundit.

“Puna për ta bërë Tiranën një qytet modern e europian, ku jetohet më mirë, mësohet më mirë, ka shanse më të mira për punësim dhe shijohet më mirë jeta vazhdon, pavarësisht vështirësive. Unë jam i vendosur, ditë pas dite, tullë pas tulle, shkollë pas shkolle, rrugë pas rruge, ta sjellim Tiranën dhe qytetarët e saj, gjithnjë e më pranë standardit europian, siç reflekton edhe sot shkolla e rindërtuar “Eqerem Çabej” - u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

KOMENTE