English

Ligji antiduhan. Penalizim dhe duhanpiresit

Deklaratë e Zëvendësministres së Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Mirëdita!

Në mbledhjen e sotme, Qeveria vendosi për të dërguar në Parlament një projektligj, i cili sjell disa ndryshime në ligjin e miratuar në vitin 2006, për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit.

Ministria e Shëndetësisë paraqiti këtë projektligj në kuadër të bashkëpunimit që ajo ka pasur me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, ku midis disa gjërave disa të diskutuara së bashku ishte edhe mënyra se si Republika e Kosovës kishte bërë të mundur që ligji për të mbrojtur popullatën nga produktet e duhanit kishte qenë një histori suksesi në Kosovë. Ne reflektuam dhe sollëm disa ndryshime në projektligjin për mbrojtjen e popullatës nga produktet e duhanit.

Këto ndryshime konsistojnë në 3 drejtime kryesore:

Së pari, ne vendosëm që të bëjmë një fushatë të fortë promocionale për të bindur më shumë popullatën për dëmet që sjell pirja e duhanit. Këtë duhet ta marrë përsipër ta kryejë Radio Televizioni Shqiptar, i cili në harkun e një muaji duhet të transmetojë një program të gjatë prej 90 minutash, për të sensibilizuar mbi dëmet që sjell duhani në shëndetin e popullatës.

Së dyti, një masë tjetër e rëndësishme ishte masa e respektimit të ambienteve ku do të pihet duhan dhe klasifikimi i këtyre mjediseve, që janë mjedise publike ku nuk lejohet pirja dhe ku Inspektorati duhet të zhvillojë kontroll. Inspektorati që drejton gjithë këtë proces inspektimi është ai i Shëndetësisë, por ai bashkëpunon edhe me Inspektoratin Doganor dhe me Inspektoratin Tatimor.

Një ndryshim i tretë, në projektligjin që do të shkojë në Parlament së shpejti, kishte të bënte me masat administrative për kundërvajtjet administrative që i takojnë individëve të ndryshëm. Projektligji sjell me vete disa masa administrative që do të penalizojnë si pronarin e mjedisit publik, si administratorin e mjedisit publik, ashtu edhe duhanpirësin.

Natyrisht, masat janë të ndryshme për këto 3 kategori. Këto ishin ndryshimet më të rëndësishme që sjell ky projektligj. Shpresojmë së shpejti që ligji të miratohet nga Parlamenti, sepse i bën mirë shëndetit të popullatës dhe sidomos, në ndihmë të uljes së masës së sëmundjeve, që janë sëmundje që prekin shumë popullatën shqiptare, veçanërisht këto 10 vitet e fundit.

Faleminderit!

KOMENTE