Përmes një deklarate të dhënë nga zëdhënësja Laura Vorpsi, PD-ja ka shprehur se kriminalizimi i administratës ka një përgjegjës.
Kryeministri Edi Rama, mund të sajojë udhëtime jashtë vendit, mund të realizojë fundjava të gjata turistike, por asgjë nuk e shpëton atë nga përgjegjësia që ka për t’u përballur me faktet skandaloze të kriminalizimit të administratës.
Kriminalizimi i administratës, kapja e posteve kyce dhe e zyrave të rëndësishme të shtetit, nga klanet mafioze me kokën në Kryeministri e Parlament, dhe me zgjatimet si metastazë në zyra, drejtori e deri tek krerët e Këshillit të Qarkut, ka vetëm një përgjegjës. Edi Ramën.
Me Edi Ramën, në këto 9 muaj banditët më famëkeq të vendit, rekordmenët e shkeljet së ligjit, trafikantët më të paskrupullt të drogës, jo vetëm kanë riaktivizuar aktivitetin e tyre kriminal, por kanë marrë de fakto pushtetin.
Si një rrjetë e zezë merimange, ata kanë kapur administratën nga zyrat e rretheve deri tek aparati qendror i pushtetit.
Teksa kjo ndodh, dhe zbulohet çdo ditë nga opozita, Edi Rama i fshihet përballjes në parlament, i fshihet medias, dhe niset për fundjavë turistike jashtë vendit.
Asnjë fjalë për përgjegjësinë e tij kur i dha Drejtimin e Këshillit të Qarkut të Vlorës një njeriu që në vitin 2000 ka qënë pjesë e një bande gjakatare që rrëmbeu vajzën e një biznesmeni, dhe që planifikoi vrasjen dhe zhdukjen e pengut.
Asnjë përgjegjësi për dhjetra raste të tjera të denoncuara nga opozita.
I rrethuar nga këta kriminelë, i sponsorizuar dhe i mbështetur prej tyre në fushatë dhe sot në parlament, Edi Rama vetëdenoncohet çdo ditë si kumbari i kësaj ndërmarrje të përbashkët qeveritaro-mafioze.
Kjo është e patolerueshme për çdo komb që respekton veten dhe nderin e tij.
Kjo duhet të marrë fund një orë e më parë.