English

Venecia, Kryeministri Rama i ftuar nderi për të folur për eksperiencën e tij të ndryshimit

Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar një vizitë dy ditore në Itali, ku do të marrë pjesë në çeljen e pavionit shqiptar në Bienalen e Venecias.

Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama ka qenë në Verona, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Kumbaro, Kryetari i Bashkisë së Durrësit Dako dhe deputetët Gaçi dhe Klosi.

Në takimin e zhvilluar me Kryetarin e Bashkisë së Veronës Flavio Tosi Kryeministri ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë mes qyteteve të Durrësit dhe Veronës, duke pasur parasysh edhe faktin që të dy qytetet përveç potencialit turistik, kanë të përbashkët edhe amfiteatro të ndërtuara gjatë perandorisë romake.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Dako shprehu angazhimin e tij për të binjakëzuar dy qytetet, si dhe për të marrë eksperiencat më të mira nga Bashkia e Veronës në mbrojtjen e amfiteatrit të Durrësit dhe nxitjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në këtë amfiteatër, që mendohet të jetë më i madhi i ndërtuar jashtë kufijve të perandorisë romake.

Kryeministri Rama është ndalur edhe në Venecia, në çeljen e pavionit zviceran, ku ka qenë i ftuar i nderit dhe ka bashkëbiseduar me arkitektë, artistë dhe pjesëmarrës për eksperiencën e tij të ndryshimit.

“Unë e nisa duke thënë që pritshmëritë e larta janë pjesa më e tmerrshme në jetën politike. Pas fitores së zgjedhjeve të vitit të shkuar, unë do të doja shumë që t'i zgjidhja problemet e vendit me anë të ngjyrave, por kjo nuk është më një opsion. Njerëzit kanë nevojë për punë dhe për shumëçka tjetër që nuk mund të zgjidhet nga ngjyrat, por unë besoj shumë që ajo domethënie që ngjyrat patën për qytetin ishte një leksion i madh që e bukura mund ta rindërtojë ekonominë dhe që e bukura mund të rindërtojë ndjenjën e jetës së përbashkët, ndenjën e komunitetit dhe të solidaritetit. E bukura mund të sjellë gjithashtu edhe më shumë rregull e ligj, sesa policia dhe forca. Kështu që nuk është thjesht çështje ngjyrash, por më shumë sesa me ngjyrat kjo ka të bëjë me hijeshimin e hapësirës ku jetojmë.

Unë kam parë zona periferike me shkallë të lartë kriminaliteti, sesi kanë ndryshuar thjesht duke transformuar hapësirën e tyre publike. Ndërsa kam parë edhe zona të tjera ku kriminaliteti është rritur, megjithëse numri i policisë është rritur, megjithëse numri i arrestimeve është rritur, megjithëse forca është rritur. Dhe ky është leksioni i madh që unë kam mësuar. Pra, që jo gjithmonë diçka është për t'u ndryshuar, por është diçka që mund ta përdorësh dhe ta kthesh në një pikë të fortë,” - është shprehur ndër të tjera në këtë bashkëbisedim kryeministri Rama.

KOMENTE