Dr. Matt Hito flet për gazetën "Shekulli"
"Mjeku vonoi 40 minuta, i mati pulsin dhe iku"
Vajza e aksidentuar që u hodh nga kati i 16-të nuk ishte e vdekur. Logjikisht ajo quhet e tillë, por jo shkencërisht. Dr. Matt Hito, prej vitesh shtetas amerikan, ishte një nga dëshmitarët e ngjarjes tragjike, në zonën e ish- Bllokut, ku humbi jetën studentja 22-vjeçare, Iris Belba. Në intervistë për “Shekullin” ai hedh akuza për shërbimin e urgjencës dhe mënyrën se si është proceduar me të ndjerën pas aktit fatal. “Pavarësisht se aksidenti është fatal, fakt është se vajzës nuk iu dha asnjë ndihmë mjekësore për 30 minuta. Ajo është hedhur rreth orës 13:30 dhe mjeku ka ardhur rreth orë 14:00. Mjeku qëndroi shumë pak pranë saj. Në të gjithë botën para një aksidenti, sido që të jetë, njeriu dërgohet menjëherë në spital dhe gjatë rrugës i jepet ndihma. Pra, në rastin konkret vajzës i duhet dhënë ndihmë në vendin e ngjarjes, në ambulancë dhe në sallën e operacionit dhe vetëm pas 24 orësh mund të deklarosh që ajo ka vdekur shkencërisht. Mjekësia ka vetëm një mision. Të mundohet të japë ndihmë, qoftë edhe në momentet kur është e pamundur, sepse gjithmonë ka shpresë për jetën. Me vajzën, e cila u hodh nga kati i 16-të, nuk u veprua në këtë mënyrë”.
Dr. Hito, ju asistuat në vendngjarje, çfarë veprimesh u ndërmorën nga mjeku i urgjencës?
Ambulanca erdhi pas 30-35 minutash. Mjeku qëndroi vetëm 2 sekonda, pa pulsin dhe iku. Nuk dëgjoi rrahjet e zemrës, nuk i kontrolloi sytë. Gjithkush mund të shprehet se mjeku ka përvojë dhe e di që është e vdekur. Ligjet janë ligje dhe duhen zbatuar kurdoherë. Mjeku, për mendimin tim, ishte neglizhent për dy arsye. E para, mbërriti me vonesë në vendngjarje dhe e dyta, nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndihmuar. Duhej futur menjëherë në ambulancë dhe një ekip mjekësor të merrej me të. Është totalisht kundër rregullave të lësh një njeri të aksidentuar në mes të vapës dhe njerëzit të bëjnë sehir. Ky është thelbi i problemit.
A është kjo një procedurë e përsëritur, me mënyrën se si jepet ndihma pas aksidenteve?
Po. Ky nuk është rasti i vetëm. Unë kam me dhjetëra materiale që tregojnë për neglizhencën e shërbimit të urgjencës. Në një rast të tillë, në SHBA vendoset në dispozicion helikopteri, i cili mbërrin për më pak se 5 minuta. Por, le të themi që jemi në Shqipëri. Urgjenca është shumë afër zonës dhe do të mbërrinte në vendngjarje, maksimumi për 10 minuta. Si mund të jetë i bindur mjeku që vajza vdiq? Biem dakord që lartësia e madhe është faktor. Por mjeku nuk është as gazetar dhe as polic. Ai duhet ta marrë në sallë. Ajo mund të jetë në gjendje koma dhe ndihma duhet dhënë.
Por, në rrethana të tilla veprojnë edhe mjekët ligjorë të cilët bëjnë ekspertizën. A është kjo ndërhyrja e duhur?
Në mjekësinë ligjore nuk veprohet kështu. Në radhë të parë vepron mjeku. Ai nuk mund t’i japë të drejtën mjekut të mjekësisë ligjore të vërë dorë mbas një minute. Vetëm pasi të shfrytëzojë kohën e nevojshme dhe të bëjë të pamundurën për ta shpëtuar, vetëm pasi të bindet se personi ka vdekur atëherë i jep lejen ekspertit të merret me të. Pra, mjeku qëndroi vetëm pak çaste. Pas largimit të tij trupi i vajzës qëndron i palëvizur për 40 minuta dhe në fund i jepet e drejta mjekut ligjor të merret me të. Ky është skandal. Ne, mjekëve nuk na intereson vendi i ngjarjes, ne na intereson të japim mjetet.