Intervista e Kryeministrit Edi Rama në emisionin francez Le Grand Soir 3:
Gazetari: Edi Rama, faleminderit që jeni me ne! I keni ndjekur me vëmendje imagjinoj zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe keni parë që ka shumë zhgënjim kundrejt Europës dhe institucioneve Europiane ndërsa ju doni t’i bashkoheni klubit, çfarë ju tërheq në Europë ?
Ne bëjmë pjesë në europianët që nuk janë akoma të zhgënjyer nga Europa. Ne bëjmë pjesë në europianët që vazhdojnë ende të besojnë endrrën e Shumanit dhe të gjithë baballarëve themelues të Europës.
Do t’ju them diçka; ka njëqind vjet që kur Lufta e Parë Botërore filloi dhe pas saj cikli i luftërave, por është hera e parë që kemi paqen mes vetes ne në Ballkan, jo sepse jemi ëngjëj të paqes, por sepse jemi të bindur se Europa është e ardhmja jonë. E them këtë për vendin tim dhe njëkohësisht për gjithë të tjerët. Nuk shoh dhe nuk besoj që ka ndonjë projekt tjetër që njerëzimi ka krijuar që mund të krahasohet me projektin e madh europian.
Gazetari: Ta theksojmë për shikuesit se fakti që ju flisni kaq mirë frëngjisht, e pamë edhe më parë që gjuha franceze mësohet në vendin tuaj, po rasti juaj është se ju keni jetuar disa vite në Francë.
Shqipëria është pjesë e frankofonisë dhe është një vend ku mësohet frëngjishtja, ku flasim shumë gjuhë të huaja. Është vendi me moshën më të re në Europë dhe po ashtu vendi që ka dalë nga një diktaturë shumë e egër. Gjithashtu, është vendi ku sipas statistikave jemi më të hapurit ndaj Europës.
Gazetarja: Çdo të thonit për ata që shohin sot këtë intervistë dhe thonë, edhe një vend tjetër, edhe një vend tjetër më i varfër se ne. Ju bezdis të ushqeni euroskepticizmin, si do reagonit ndaj tyre ?
Unë besoj që euroskepticizmi është ushqyer nga frikëra që nuk bazohen në realitetin e Europës dhe më vjen keq që euroskepticizmi vazhdon të rritet, sepse nuk shoh ndonjë projekt tjetër më të mundshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë, si Europa.
Gazetarja: Ju nuk mendoni se duhet të bëhet një pauzë, për hyrjet e reja ?
Po ju them ju francezëve diçka shumë të thjeshtë; Nuk duhet të shqetësohemi, sepse ne do të marrim statusin e vendit kandidat dhe nuk do të jemi menjëherë anëtarë nesër.
Statusi i kandidatit është hapi i parë, pastaj janë negociatat që marrin rreth dhjetë vjet, ndaj nuk duhet të shqetësohemi. Por nga ana tjetër dua të përfitoj të them që është diçka e çuditshme që Franca, një nga shtyllat themeluese të Europës ndodhet në këtë situatë, mjaft të veçantë, ku të flasësh për Europën nuk është edhe aq e rregullt politikisht dhe është vërtet diçka që të bën të ndihesh keq.
Gazetari: Ju do të takoni nesër François Hollande dhe ndoshta do të flisni për zgjedhjet europiane, por a mendoni se e keni mbështetjen e tij për statusin e vendit kandidat ?
Besoj që Presidenti francez ka pasur një vizion të qartë kur vitin e kaluar ai i mblodhi liderët e vendeve europiane në Bordeaux dhe foli për një të ardhme europiane të vendeve Ballkanike. Dhe besoj gjithashtu se Kancelarja Angela Merkel ka po ashtu një vizion të qartë për të ardhmen e Europës kur ajo u angazhua për të organizuar një Samit me liderët ballkanikë për të parë mundësitë sesi këto vende mund të lidheshin bashkë në një të ardhme të përbashkët.
Gazetarja: Faleminderit shumë Zoti Kryeministër !