English

Gjosha, vizitë zyrtare në Hollandë

Ministrja e Integrimit Evropian ndodhet në një vizitë zyrtare pune në Hagë të Holandës. Gjatë kësaj vizite, ajo zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të shtetit holandez, ku kryefjala ishte thellimi i bashkëpunimit mes vendeve, por edhe axhenda evropiane e Shqipërisë.

Gjatë takimit me Këshilltaren e Kryeministrit për Çështjet Evropiane, znj. Lesley d’Huy, Ministrja Gjosha bëri një përmbledhje të gjithë masave që ka ndërmarrë qeveria shqiptare që prej muajit dhjetor, për zbatimin e 5 prioriteteve kyçe të lëna nga BE-ja. Duke u ndalur tek Progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, znj. Gjosha theksoi se vlerësimi i partnerëve evropianë për reformat është treguesi më i mirë i vendosmërisë që qeveria dëshmoi që pas marrjes së mandatit të saj.

“Raporti vlerëson punën e bërë muajt e fundit nga qeveria dhe besoj se ky është një tregues i qartë se për ne axhenda evropiane, afrimi sa më i shpejtë me BE-në, mbetet prioriteti dhe sfida kryesore”, u shpreh Ministrja Gjosha.

Këshilltarja e Kryeministrit për Çështjet Evropiane, znj. Lesley d’Huy theksoi gjithashtu se qeveria holandeze, po shqyrton Progres-raportin dhe ka predispozitën për të vlerësuar arritjet e Shqipërisë të cilat janë reflektuar në këtë dokument.

“Ju inkurajojmë me reformat që keni nisur, pasi ato janë shumë të rëndësishme për vendin tuaj, por edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Lesley d’Huy.

Gjatë takimit u nda bindja e përbashkët se ekspertiza dhe asistenca e Holandës për Shqipërinë qoftë në nivel ekspertësh, qoftë në programe të ndryshme është një mbështetje e rëndësishme.

Takimi me Drejtorin e Përgjithshëm për Integrimin Evropian.

Ministrja e Integrimit Evropian, zhvilloi në Hagë edhe një takim me z. Robert de Groot, Drejtor i Përgjithshëm për Integrimin Evropian.

Pasi e informoi për planin e masave të qeverisë, i cili përmban afate dhe detyra të qarta për të gjitha institucionet përpara, Ministrja Gjosha theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është një rrugëtim i gjatë dhe Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë deri në përfundimin e tij.

“Jemi të vetëdijshëm për sfidën që na vë përpara procesi i integrimit. Por, qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë gjithçka të mundur që të avancohet sa më shumë dhe Shqipëria të ecë më shpejt drejt BE-së. Sigurisht që puna më e madhe na takon ne, përmbushja e detyrimeve na takon ne, dhe angazhimi është maksimal, për të kaluar nga një fazë në tjetrën. Çdo vlerësim pozitiv për Shqipërinë na ngarkon me më shumë përgjegjësi”, tha Ministrja Gjosha.

Drejtori i Përgjithshëm për Integrimin Evropian, u shpreh se vlerëson përpjekjet e Shqipërisë, në aspiratën e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe çdo rezultat që arrihet i shërben të ardhmes së vendit.

KOMENTE