Sot më 16 qershor 2014, me ftesë tё Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit tё Punëve të Jashtme të Sllovenisë, z. Karl Erjavec, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë pune në Slloveni.
Gjatë bisedimeve që zhvilluan të dy ministrat, u analizua situata aktuale e marrëdhënieve dypalëshe si dhe dëshira e dy vendeve për t’i konkretizuar ato më tej, në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Gjithashtu, temë e diskutimeve ishin proceset integruese evropiane, pritshmëria e dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë nga Këshilli i Bashkimit Evropian, si dhe mbështetja e plotë e Sllovenisë në këtë drejtim.
“Sllovenia ka qenë, është dhe do të mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të zgjerimit në Ballkanin perëndimor në përgjithësi, dhe e Shqipërisë në veçanti”, u shpreh Ministri i Jashtëm slloven
Dy ministrat e Jashtëm u ndalën në zhvillimet e brendshme politike në vendet përkatëse, tek situata dhe problematikat në rajonin e Ballkanit dhe qëndrimet e përbashkëta ndaj të ardhmes bashkëpunuese të te dy vendeve dhe në kuadër të integrimit evropian. Theks i veçante iu vu zhvillimeve më të fundit në rajon. Veçanërisht bashkëbiseduesit u ndalën tek proceset e fundit zgjedhore në disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Ministrat Bushati dhe Erjavec morën pjesë dhe përshëndeten Sesionin II të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Slloveni, i cili vijon punimet në datat 16-17 qershor në Lubjanë. Ky Sesion do përmbyllet me nënshkrimin e Protokollit të përbashkët të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Gjate fjalës së tij në këtë Sesion, Ministri Bushati u shpreh se: “Niveli i dialogut politik dhe klima e shkëlqyer e marrëdhënieve tona krijojnë një terren të favorshëm për te gjetur pika te përbashkëta për një bashkëpunim më të strukturuar ekonomik, me qëllim rritjen substanciale të ekonomive të vendeve tona, si dhe të investimeve të huaja direkte.”
Në prezencën e dy ministrave të Jashtëm u firmos Memorandumi i Bashkëpunimit midis Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe homologes së saj Sllovene. Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua, gjithashtu, marrëveshja pёr punësimin e familjarëve tё stafeve diplomatike nё vendet respektive.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Ministrat Bushati e Erjavec theksuan edhe një herë nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit dypalësh, ku Ministri Bushati veçoi rolin promotor, mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakushtëzuar të Sllovenisë në proceset integruese evropiane për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dy Ministrat shprehën nevojën për një bashkëpunim rajonal më dinamik, në kuadër të nismave rajonale gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst, Ministri Erjavec u shpreh besimplotë se Presidenca shqiptare e SEECP-së (Procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore) do të japë një kontribut cilësor në këtë drejtim.
* * *
Gjatë vizitës së tij në Slloveni, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, z. Janko Veber.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera si dhe nevoja e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve, si një element nxitës për marrëdhëniet e miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë.
Bashkëbiseduesit ndanë vlerësimin se bashkëpunimi rajonal dhe proceset integruese duhen integruar tashmë në një qasje të re, ku projektet me impakt rajonal do të dëshmojnë fuqinë transformuese të BE-së.
Ministri Bushati do të zhvillojë gjithashtu një takim të veçantë me Kryetarin e Bashkisë së Lubjanës, njëkohësisht lider i ri i Partisë Sllovenia Pozitive në pushtet, Zoran Jankoviç.