Fjala e Kryeministrit Rama dje në qytetit e Durrësit:
Në këtë të dielë plotë shi dua t’ju jap të gjithë shqiptarëve një lajm posaçërisht të bukur, nga ky qytet i lidhur qysh në kohët më të vjetra me Romën.
Papa Francesku i është përgjigjur pozitivisht, dhe tanimë dhe zyrtarisht, ftesës sime për të vizituar Shqipërinë, së shpejti. Vizita do të bëhet në 21 shtator, ndërkohë që mes Qeverisë sonë dhe Selisë së Shenjtë, ka nisur puna për përgatitjen e saj mbi bazën e kësaj date. Por, unë dua të ndaj me ju kënaqësinë e jashtëzakonshme për faktin se kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Papës së ri në Europë.
Siç kuptohet, prej vetë kontekstit kohor dhe historik, ky rrugëtim i Atit të Shenjtë për Tiranë, mbart një mesazh të disafishtë shprese dhe inkurajimi. Shpresë dhe inkurajim për Shqipërinë që të vazhdojë në rrugën e vështirë, por të mbarë, të rilindjes dhe të ribashkimit me Europën; Shpresë dhe inkurajim për rajonin që të shkojë më tej në rrugën e sapoçelur të paqes, pas më shumë se 100 vjet luftëra dhe konflikte vëllavrasëse; Shpresë dhe inkurajim dhe për vetë Europën, BE, që të shohë më larg në rrugën e vetë drejt të ardhmes, duke parë me kurajë, pasojat gjithnjë e më të dukshme të dritëshkurtësisë së një zhvillimi ekonomik dhe social, polarizues, mes më të kamurve dhe më të varfërve të kontinentit tonë.
Papa Gjoni Pali i Dytë, e shkeli tokën tonë për të sjellë mesazhin e vlerave të lirisë dhe të demokracisë, menjëherë pas lëngatës së gjatë në ferrin komunist.
Këtë vit, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore që nisi, pikërisht, në rajonin tonë, Papa Francesku do të zbresë në tokën tonë për të sjellë këtu në Shqipëri dhe në Ballkanin e rilindur mesazhin e vlerave të bashkëjetesës në paqe mes besimeve dhe etnive.
Por ky i Atit të Shenjtë nuk është një mesazh vetëm për ne shqiptarët apo ballkanasit, por për mbarë Europën. Sepse Europa e Bashkuar dhe Ballkani, tashmë i paqtuar mes vedi, në emër të bashkimit me të, kanë nevojë reciproke për njëri-tjetrin për të përballuar sfidat dhe kërcënimet serioze të kohës së ngatërruar që jetojmë.
Gjatë bisedës me Papa Franceskun në Selinë e Shenjtë, ne folëm edhe për vuajtjet e patregueshme të klerit katolik në Shqipërinë komuniste dhe për rrugëtimin gjithnjë të vështirë nga thellësia e shekujve e deri në ditët tona të krishterimit, në Shqipëri. S’ka dyshim se ato vuajtje unikale dhe të lavdishme, jo thjesht për klerin katolik shqiptar, por për mbarë historinë botërore të krishtërimit e bëjnë këtë tokë posaçërisht të dashur për Atin e Shenjtë. Por, po ashtu, është posaçërisht e vyer për qasjen e tij kaq vëllazërore ndaj besimeve të tjera, kjo tokë ku harmonia e bashkëjetesës mes të krishterëve dhe myslymanëve, meriton të ruhet si drita e syve dhe të promovohet si një rreze shprese dhe kurajoje për mbarë botën e rrezikuar nga konfliktet fetare.
Prandaj dhe zbritja e afërt në tokën tonë e këtij njeriu qiellor, është një vizitë që i bëhet çdo shqiptari pa dallim feje. Por, po ashtu përmes Tiranës dhe Shqipërisë dhe çdo banori të rajonit tonë, pa dallim etnie, njësoj si çdo qytetari të Europës, pa dallim ideje, në emër të dashurisë mes njerëzve, të paqes mes popujve, solidaritetit mes vendeve të kontinentit tonë.
Unë besoj se edhe lajmërimi sinkron sot nga Durrësi këtu, dhe nga Sheshi i Shën Pjetrit në Romë i kësaj vizite, që përbën një privilegj të rrallë për Shqipërinë dhe shqiptarët, është në vetvete një ogur i mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që BE duhet të marrë për statusin e vendit tonë.
Lejomëni që në emrin e çdonjërit prej jush, pa dallim feje, krahine dhe ideje t’i shpreh përulësisht mirënjohjen më të thellë Atit të Shenjtë për përmbushjen në një kohë kaq të shkurtër të dëshirës që unë i shpreha për ta mikpritur në Shqipëri. Le të përgatitemi që ta presim këtë Papë të jashtëzakonshëm të shekullit të ri me të gjithë fuqinë mbresëlënëse të mikpritjes tradicionale shqiptare.
Lejomëni ta mbyll sot me një urim të pazakonshëm, por që vjen krejt natyrshëm;
Zoti e bekoftë gjithmonë kështu Shqipërinë!