Kryeministri Edi Rama u takua në Berlin me Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me të cilin, pas një takimi kokë më kokë, dhanë dhe një konferencë të përbashkët për mediat.
Kryeministri e njohu ministrin Steinmeier me nismat dhe reformat e qeverisë, veçanërisht ato në luftën krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ministri Steinmeier vlerësoi me nota tepër pozitive arritjet e deritanishme dhe rrugën e re të ndryshimeve që ka ndërmarrë Shqipëria.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi maksimalisht mbështetjen e fuqishme që Gjermania po i jep Shqipërisë, veçanërisht çmoi shumë lart këndvështrimin e Kancelares dhe të Ministrit Steinmeier, që vë në pah vlerësimin me dinjitet të gjithë përpjekjes së Ballkanit dhe të Shqipërisë, në drejtim të Europës.
*****************************************************
Ministri i Jashtëm Gjerman Frank-Walter Steinmeier:
“Më lejoni të përshëndes përzemërsisht Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, një mik i vjetër i vendit tonë, dhe mendoj, se ai – njësoj si ne – e di mjaft mirë se marrëdhëniet mes dy vendeve tona me gjasë nuk kanë qenë asnjëherë kaq intensive sa këta muajt e fundit.
Ky nuk është thjesht një bashkëpunim tradicionalisht i mirë, por duhet thënë se ai është bërë realisht shumë intensiv në muajt e fundit, dhe këtë e tregon një listë mbresëlënëse vizitash dypalëshe që janë realizuar në dy-tre vitet e fundit. Dhe kjo nuk është rastësi; ne dëshirojmë të tregojmë shprehimisht respektin tonë për punë që qeveria aktuale shqiptare është duke bërë në vendin e saj, një punë që kërkon investim, lodhje, dhe - sikurse e dimë edhe nga përvoja jonë në Gjermani – një punë reformuese që kërkon ndër të tjera edhe shumë kurajë.
Natyrisht, ne përshëndesim faktin, zoti Kryeministër, që vendi juaj me këtë qeveri kërkon në mënyrë të vazhdueshme dhe të qartë përafrimin me Europën.
Kjo vizitë nuk zhvillohet në një moment çfarëdo, por pikërisht përpara takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg javën e ardhshme dhe vetëm pak ditë përpara mbledhjes së Këshillit Europian, ku pritet të merret vendimi për çështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Zoti Rama ju e dini, që unë nuk mund t’jua them këtë vendim përpara këtij takimi, ai do të merret të hënën mes Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, por më lejoni t’Ju siguroj që ne do të japim mbështetjen tonë për këtë vendim. Ai duhet të merret në mënyrë unanime, për t’u vendosur përfundimisht më pas në fund të muajit në Këshillin Europian. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Europën në tërësi, dhe me siguri, zoti Rama, edhe një nxitje e mëtejshme për të vijuar më tej punën tuaj, para së gjithash për ta vijuar me vendosmëri atë, në kuadër të reformave që do të vazhdojnë të jenë të nevojshme, sikurse është lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Kryeministri Edi Rama:
“Faleminderit zoti Ministër!
Më lejoni që t’u shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, pa asnjë lëkundje, në të gjithë periudhën e tranzicionit, pas shembjes së diktaturës komuniste, por edhe posaçërisht për përpjekjen e Shqipërisë dhe të qeverisë sonë për të adresuar ashtu siç duhet të gjitha çështjet që e kanë penguar deri vonë Shqipërinë për të shkuar më tutje në rrugën e integrimit dhe për të marrë në fund një vendim pozitiv nga vendet anëtare lidhur me kërkesën tonë për statusin e kandidatit.
Ne shpresojmë shumë që vendimi do të jetë pozitiv dhe që të gjitha vendet do të shkojnë drejt këtij vendimi bazuar mbi raportin e Komisionit Europian dhe mbi rezultatet e qarta dhe shumë të prekshme të qeverisë sonë në adresimin e prioriteteve të përcaktuara nga BE dhe jo mbi bazën e konsideratave që lidhen me politikën e brendshme të vendeve anëtare.
Në këtë aspekt, ne e çmojmë shumë lart qoftë qëndrimin, qoftë edhe përpjekjen e Gjermanisë për ta mbështetur Shqipërinë.
Është e vërtetë zoti Ministër që muajt e fundit kanë shënuar një zhvillim intensiv në marrëdhëniet mes dy vendeve. E, përfitoj nga rasti t’u them se Shqipëria, qeveria jonë, unë personalisht, por po kështu edhe të gjithë qeveritë e vendeve të rajonit, janë jashtëzakonisht të inkurajuar nga nisma më e fundit e Kancelares Merkel për të mbledhur në fund të gushtit liderët së bashku me ministrat e jashtëm dhe ministrat e ekonomisë së të gjitha vendeve këtu në Berlin dhe për të diskutuar së bashku lidhur me perspektivën europiane të Ballkanit.
Ne jemi shumë të qartë që procesi i integrimit është një proces i vështirë dhe është një proces që nuk mund të anashkalohet për asnjë arsye, qoftë dhe për arsyen e madhe të miqësisë me vende si Gjermania, Franca, Italia apo me radhë.
Pra, ne e dimë që do të na duhet të bëjmë një nga një detyrat e shtëpisë për të arritur ditën kur do të meritojmë të bëhemi anëtar me të drejta të plota të BE. Këtë vetëdije besoj e kanë të gjithë vendet e rajonit.
Por, nga ana tjetër ne besojmë, sikundër e shpreh edhe nisma e Kancelares, është koha për një politikë të re të BE ndaj rajonit si i tërë, sepse nuk duhet të harrojmë se ky është 100 vjetori i luftës së Parë Botërore, që filloi në Ballkan dhe është viti i parë në historinë ekzistencës së Ballkanit, pa konflikte.
Të gjithë janë dëshmitarë se çfarë rruge të përgjakshme iu desh të kalonte Ballkanit për të arritur këtë ditë. Kjo ditë nuk u arrit se ne në Ballkan u bëmë engjëj të paqes, por se ne të gjithë së bashku vendosëm ëndrrën dhe aspiratën e Europës mbi konfliktet e së shkuarës.
Unë e di që në Europën e Bashkuar ka sot jo pak njerëz që nuk e konsiderojnë projektin madhështor të BE si një ëndërr për të ndjekur, por në Ballkan kjo është ëndrra e madhe që ka bërë të mundur paqen dhe që bën të mundur që çdo ditë ne të punojmë për t’u afruar me Europën.
Në këtë plan, ne e shkojmë Gjermaninë në rolin lider për të hapur rrugën e kësaj politike të re dhe presim me shumë shpresë dhe po përgatitemi shumë seriozisht për takimin e fundgushtit në Berlin.
Unë dua ta falenderoj në mënyrë të veçantë Ministrin, për të gjithë vullnetin e mirë dhe përkushtimin për të dëgjuar dhe ndjekur me vëmendje problemet tona dhe për të qenë gjithmonë i gatshëm për të na asistuar dhe inkurajuar në përpjekjen tonë.
Ne do të bëjmë gjithçka që ta justifikojmë këtë mbështetje të madhe që Gjermania po na jep. Po ashtu, ne do të dëshmojmë se nuk duam as lëmoshë, nuk duam as që të hyjmë në Bashkimin Europian përpara se ta meritojmë plotësisht, por duam thjesht dhe vetëm që Bashkimi Europian të mos ta harrojë se ka një Europë brenda Bashkimit Europian, ka edhe një Europë në pragun e Bashkimit Europian. E, ne jemi europianë, po aq sa ç’jeni ju, pavarësisht se nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, ne e çmojmë shumë lart këndvështrimin e Kancelares dhe të Ministrit, sepse është një këndvështrim që vë në pah vlerësimin me dinjitet të gjithë përpjekjes së Ballkanit dhe të Shqipërisë, në drejtim të Europës.
Përgjigje e Kryeministrit Edi Rama, pasi pyetet nga gazetarët gjermanë për Lazaratin:
“Beteja jonë me trafikun e drogës, ashtu si edhe me trafiqet në tërësi, si edhe me mafien e drogës, nuk ka filluar ditën e hënë, por ka filluar qysh ditën e parë që ne jemi ulur në tryezën e qeverisë, me një mandat shumë të qartë, që t’i japim fund uzurpimit të ëndrrës sonë dhe të ëndrrës së popullit tonë, për t’u bërë pjesë e Familjes Europiane, nga trafikantë, nga kriminelë apo edhe nga politikanë dhe zyrtarë të korruptuar. Ky aksion është në fakt një moment kulminant i kësaj beteje, që siç e ka theksuar edhe Progres–Raporti, ka shënuar përparime të jashtëzakonshme në rezultate. Sepse ky aksion ka 20 vjet që mungon, vonon, nuk ndodh, ndërkohë që zona që ju flisni është bërë një burim kryesor i perceptimit negativ për Shqipërinë në Europë dhe në botë.
Ne jemi hedhur në këtë aksion dhe do të ndalojmë vetëm kur kjo zonë të fshihet përfundimisht nga harta europiane dhe botërore e kultivimit dhe trafikimit të drogës.
E, pa as më të voglin dyshim, do të kthejmë në atë zonë normalitetin, duke vendosur plotësisht sundimin e ligjit.
Policia, edhe tani që po flasim, po vazhdon aksionin, duke u përballur me grupe të armatosura, që janë në zmbrapsje të plotë. Kjo, besoj, është shprehja më kuptimplotë jo vetëm e vullnetit, por edhe e aftësisë tonë për të bërë rezultat në luftën kundër trafiqeve.”