Në kuadër të operacionit të ndërmarrë për asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike, vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kanë kundërshtuar dhe qëlluar me armë forcat e Policisë së Shtetit, si dhe vendosjen e rendit e të sigurisë publike në Lazarat, nga strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë ditës së djeshme është bërë arrestimi i shtetasve:
Rustem Xhemal Mahmutaj, vjeç 19, banues në Lazarat.
Teslim Xhemal Mahmutaj, vjeç 22, banues në fshatin Lazarat.
Vandam Razip Mahmutaj, vjeç 19, banues në Lazarat.
Hysen (Neni) Çela, vjeç 48, nga Lazarati.
Këta shtetas akuzohen për veprat penale vrasje e punonjësve të policisë e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim, mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak, kultivimi i bimëve narkotike, parashikuar nga nenet 79/b, 22, 25, 278 e 284 të Kodit Penal.
Të arrestuarit dyshohen se së bashku me persona të tjerë kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë gjatë operacionit të ndërmarrë nga forcat e policisë në fshatin Lazarat.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Vandam Mahmutaj janë gjetur e sekuestruar në në cilësinë e provës materiale 1363 kg hashash, 8500 rrënjë bimë narkotike, 1000 fishekë model 56, 225 gëzhoja model 56, 1 granatë dhe një armë pistoletë shenjëdhënëse, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të llojeve të ndryshme.
Gjatë ditës së djeshme u arrestua gjithashtu shtetasi E.B., vjeç 17, i dyshuar për veprat penale Kundërshtim i punonëjsve të rendit publik dhe shkatërrim prone, parashikuar nga nenet 236 dhe 150 të Kodit Penal.
REZULTATE TË OPERACIONIT
Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjesimin e rreth 80 mijë rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 12 ton e 800 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin.
Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë.
Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 80 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e polcisë kanë depërtuar në zonë.
Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 13 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonëjsve të policisë apo për shkatërrim prone.
OPERACIONI SOT
Forcat e Policisë së Shtetit edhe gjatë ditës së sotme po vijojnë me depërtimin hap pas hapi për në brendësi të fshatit Lazarat, duke ushtruar kontroll në territoret e banesave, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës.
Gjatë veprimeve të tyre në terren forcat policore janë të pajisura me mjete të posaçme për veprime kundër grupeve dhe bandave të armatosura dhe armatim i rëndë për t’iu përgjigjur reagimit me armë të grupit kriminal.
Në terren janë rreth 800 forca policore të mbështetura nga mjete të posaçme, forca të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, Delta Forcë në Vlorë, si dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj.
Po ashtu janë rreth 60 automjete policie në lëvizje.
Paralelisht me veprimet operacionale të strukturave të Policisë së Shtetit në terren grupe speciale të hetimit të orientuara nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, kanë vijuar me veprimet për kryerjen e hetimeve dhe fiksimin e provave materiale.
Këto veprime po kryhen me korrektësi maksimale në respekt të plotë të ligjit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, duke garantuar një komunikim profesional dhe etik me banorët e fshatit Lazarat.
Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të fshatit Lazarat të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të asistojnë veprimet procedurale të Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit do të vijojë me vendosmëri operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve deri në përmbushjen e plotë të objektivave.