Pas vizitës në Jeddah të Arabisë Saudite, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Bukuresht të Rumanisë ku ka marrë pjesë në takimin ministerial të SEECP-së, njërës prej organizatave më të mëdha për bashkëpunim rajonal.
Nën kryesimin e Rumanisë, të gjithë ministrat e jashtëm të shteteve të rajonit kanë aprovuar deklaratën e përbashkët që i hap rrugën Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota sikurse shtetet e tjera anëtare.
Njëherësh, deklarata përshëndetë progresin e arritur në përfundimin e negociatave të MSA-së me BE-në, si pikë e veçantë e deklaratës ministeriale.
Ministri Hoxhaj i ka falënderuar të gjithë ministrat duket e quajtur një ditë të veçantë për Kosovën. Sipas tij, në Bukuresht është hapur një kaptinë e re e bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën pasi ministrat e jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore përmes një deklarate të përbashkët hapën rrugën për anëtarësimin e Kosovës me të drejta të plota në njërën prej organizatave më të mëdha rajonale, SEECP. Me këtë, është hapur një kaptinë e re e bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe të përfshirjes së Kosovës në të”, ka thënë Hoxhaj.
Përfshirja e Kosovës është përshëndetur nga të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare përfshirë edhe atë serb, Ivica Dacic, derisa deklarata e përbashkët në SEECP është arritur nën kryesimin e Rumanisë.
Në margjina të këtij takimi, ministri Hoxhaj ka takuar ndaras edhe ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Titus Corlăţean, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që po i jep vendi i tij Kosovës në rrugën e integrimit evropian dhe përfshirjes në mekanizmat rajonal.
Organizata e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore SEECP, është themeluar në vitin 1996 dhe ka 12 anëtarë.