Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka shpërndarë certifikatat e “Vulës së Cilësisë” për 7 kompani të prodhimeve shqiptare. Në një ceremoni të organizuar në ambjentet e Ministrisë, Ministri I Bujqësisë, Edmond Panariti tha se “Vula e Cilësisë” është një instrument I rëndësishëm për të ndërtuar produktet e markës shqiptare. Panariti theksoi se në këtë mënyrë, krijohet fizionomia tipike shqiptare e prodhimeve, duke krijuar produktet e markës. “. Jemi të vendosur ta fillojmë, natyrisht, me disa prodhues të cilët janë njohur edhe në tregjet botërore, pasi eksportojnë me sukses dhe kanë marrë çmime dhe certifikata, por shumë shpejt prodhues të tjerë, të cilët nuk mungojnë, do të ftohen për të aplikuar”, u shpreh Panariti. Kriteret për përfitimet e Vulës së Cilësisë janë:
Subjekti prodhues është biznes i rregjistruar në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi. Ndaj subjektit prodhues nuk është marrë asnjë masë administrative apo penale për shkelje të rregullave ligjore në fushën e sigurisë ushqimore. Subjekti prodhues respekton standarte të larta higjeno-sanitare dhe standartet e cilësisë, të përcaktuara në Udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për Vulën e Cilësisë. Vula e cilësisë është e vlefshme për një periudhë 1 vjeçare nga data e dhënies së saj.