English

Për herë të parë në Tiranë, festa e muzikes

Bashkia e Tiranës, ambasada e Francës dhe Aleanca Franceze e Tiranës ju propozojnë këtë vit një festë të muzikës, veçanërisht të mbushur më koncerte të organizuara në të gjithë qytetin dhe shumë parada muzikore në rrugët e Tiranës!

Kompania Capillotractée, e ftuar nga Aleanca Franceze e Tiranës, do të prezantojë spektaklin e saj Engrenage, një paradë muzikore marrëmëndëse, me një DJ dhe katër akrobatë. Nga ana tjetër, banda filarmonike nga Korfuzi « Philarmonic Band of Sinarades Corfu » do të përshkojë rrugët, për ta përhapur festën e muzikës në të gjithë qytetin.

Shumë skena do të instalohen në lagje të ndryshme të qytetit dhe të hapura për të gjithë muzikantët. Axhenda e aktiviteteve është lançuar, në një konferencë të përbashkët shtypi mes nënkryetarit të Bashkisë, ambasadores franceze dhe ambasadorit të Greqisë në Tiranë.

Ambasadorja e Francës në Tiranë, znj. Christine Moro

“Jam shumë e lumtur që ndodhem këtu përkrah zv/kryetarit të Bashkisë, dhe ambasadorit të Greqisë në Tiranë, për të folur për “Festën e Muzikës “ që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri e pikërisht në Tiranë.

Festa e muzikës është një iniciativë franceze, që u krijua në Francë, në 21 qershor 1982, me iniciativë të ministrit të atëhershëm të Kulturës, Jack Lang. Që prej asaj kohe Festa e Muzikës është bërë një eveniment ndërkombëtar, festohet në shumë vende të botës, duk eu bërë në këtë mënyrë festa më e madhe e muzikës në botë. Nëse them “më e madhja”, kjo sepse në një ditë të vetme në të gjithë botën, në një ditë të vetme, në të gjithë botën, miliona njerëz marrin pjesë në këtë festë ndërkombëtare.

Kur vendoset të merret pjesë në Festën e Muzikës, një sërë kërkesash janë parashikuar në Kartën e Festës së Muzikës. Pikë së pari është “muzika për të gjithë”, evente falas. Disa prej tyre zhvillohen brenda ambiente të brendshme por shumica zhvillohen në rrugë, në vende publike. Pra, ka shumë evente nëpër rrugë, gjë që do të thotë se është festë, të gjithë njerëzit marrin pjesë, muzikantët e po ashtu edhe publiku.

Festa e muzikës është gjithashtu një mënyrë për të nxitur njerëzit të bëjnë muzikë, të marrin pjesë, të luajnë me veglat muzikore, pra të bëhen në një farë mënyre aktorë të kësaj feste të muzikës e të kulturës dhe jo vetëm dëgjues apo spektatorë.

Ambasada franceze është e lumtur që i bashkohet në këtë edicion të parë qytetit të Tiranës, së bashku me ambasadën greke dhe Aleancën Franceze. Në këtë festë, Franca do të përfaqësohet nga grupi Capillotractée, përfaqësues të së cilës ndodhen sot këtu dhe kanë ardhur në Durrës me traget. Kjo kompani do të organizojë një paradë muzikore me një DJ dhe 4 kërcimtarë, akrobatë. Parada do të nisë nesër mbrëma në orë 18.30, para Katedrales Ortodokse, në qendër të Tiranës. Ajo do të përshkojë rrugët e “Bllokut”. I gjithë publiku është i ftuar që jo vetëm të jetë një spektator i thjeshtë por edhe ta ndjekë këtë paradë të grupit francez.

Parada do të kulmojë tek sheshi “Skënderbej”, në orën 19.30 ku të gjitha grupet që marrin pjesë në Festën e Muzikës do performojnë një spektakël në shesh. Dua të theksoj gjithashtu se kompania franceze sot ndodhet në Elbasan dhe të dielën në Korçë”.

Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo:

“Është kënaqësi për Bashkinë e Tiranës që për herë të parë në historinë e saj t’i bashkëngjitet festimeve të një dite shumë të veçantë, siç do të jetë dita e nesërme, Festa e Muzikës, në Tiranë. Çfarë do të thotë kjo për Tiranën? Përveç faktit që ka domethënien e një dite të gëzueshme dhe me shumë aktivitete për të gjithë qytetarët e Tiranës nesër, do të thotë që mbi të gjitha, nën shpirtin e festës, shpirtin e të bërit muzikë, ta përcjellim gjithandej, jo vetëm në rrugët kryesore të Tiranës, por në çdo shesh, në çdo vend ku të gjithë ata që luajnë muzikë, në nivelin profesional apo edhe në nivelin amator do të jenë të ftuar të performojnë, të luajnë pjesët e tyre të dashura në mjedise të hapura, për ta ndarë këtë gëzim, këtë kulturë, për të ndarë muzikën me të gjithë qytetarët e Tiranës.

Nuk do të ndalem gjatë në programin e festës sepse zonja ambasadore dha shpjegime të hollësishme. Për të gjithë gazetarët që do të kenë kuriozitetin për të mësuar më shumë për këtë gjë, ne kemi këtu edhe stafin teknik, do të kemi mundësi t’u përgjigjemi pyetjeve. Ajo që dua të theksoj është se Bashkia e Tiranës ka ofruar të gjithë infrastrukturën e saj, në mënyrë që kjo festë, shpirti i saj të përcillet në mënyrën më të mirë të mundshme nesër. Janë përcaktuar sheshet dhe rrugët kryesore, nga ku do të kalojnë të gjithë ata që do të luajnë muzikë, për t’iu bashkuar më pas në fund të ditës qytetit, në sheshin kryesor të tij.

Nga ana tjetër, dita e nesërme është një festë që vjen jo vetëm nga Bashkia e Tiranës apo që vjen edhe nga shpirti i festës vetë, që të gjithë ata që e ndiejnë veten se kanë mundësi dhe që do të duan të ndajnë muzikën e tyre me qytetarët e Tiranës janë të mirëpritur ta bëjnë atë kudo që ata mendojnë se është e arsyeshme.

Le të jetë pra dita e nesërme në Tiranë, një ditë ku muzika shkon tek qytetari dhe jo qytetari te muzika, siç ndodh normalisht në të gjitha ditët e tjera të vitit dhe ku shpirti i muzikës, festa e muzikës, ajo që muzika përcjell do të na prekë të gjithëve, të gjithë qytetarët e Tiranës e të gjithë ata që do të vijnë në Tiranë, për të shikuar këtë ditë kaq të veçantë!

Unë dua të falënderoj ambasadën e Francës, Aleancën Franceze, zonjën ambasadore, ambasadën greke dhe z. ambasador për mbështetjen dhe përpjekjet e përbashkëta, që nesër së bashku, të gjithë ne t’i japim Tiranës një ditë të gëzueshme, një ditë ku muzika do të dëgjohet, shpresoj jo vetëm në rrugët e sheshet kryesore por kudo dhe ku shpirti i saj do të na prekë të gjithëve, duke na dhënë më shumë gëzim e ndoshta edhe lumturi”

Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas:

“Dua të falënderoj ambasadën franceze e cila organizon këtë aktivitet, së bashku me Bashkinë, për të gjitha aktivitetet cilësore që ajo organizon. Dua të falënderoj nënkryetarin e Bashkisë z. Bozdo, për pjesëmarrjen aktive dhe vënien në dispozicion të ambienteve nga Bashkia e Tiranës e gjithashtu Aleancën Franceze në Tiranë. Ambasada greke merr pjesë tërësisht në këtë eveniment që është Festa e Muzikës, e cila organizohet për herë të parë në Tiranë.

Siç e dini, fjala muzikë e ka origjinën e saj nga “muzë”, Perëndia e Muzikës dhe artit. Siç e theksoi edhe zonja ambasadore pak më parë, muzika është një gjuhë e përbashkët e të gjithëve, një gjuhë përmes së cilës njerëzit duhet të kuptohen me njëri-tjetrin. Ky është një aktiviteti i cili organizohet jo vetëm në kuadrin e një aktiviteti të zakonshëm muzikor. Greqia merr pjesë në këtë iniciativë me një orkestër e cila vjen nga një ishulli i Korfuzit. Kjo orkestër është mjaft e njohur, është e përbërë nga 100 artistë, me sa di unë, këtu do të vijnë 62 prej tyre, direkt nga Korfuzi. Orkestra ashtu si të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, do të nisen nga katedralja e Tiranës në qendër, do të vazhdojnë në disa rrugë të Tiranës. Besoj se kjo është një dukuri mjaft origjinale që i paraqitet publikut, ka të bëjë me pjesëmarrjen e publikut dhe kjo është një veçori për t’u përshëndetur.

Shtoj gjithashtu se orkestra do ta ndalet në tre qendra të ndryshme të Tiranës, brenda Tiranës dhe jo jashtë saj, shpresoj që në edicionin e ardhshëm të “Festës së muzikës” të mund ta organizojmë jashtë Tiranës. Programi ka shumë aktivitete, ka shumë veprimtari, por karakteristika është se organizohet nga një grup që vjen nga një ishull me traditat dhe veçoritë karakteristike të një ishulli. Kjo traditë është një lloj sinteze mes elementeve të kulturës greke dhe kulturës perëndimore, pasi tradita e ishullit është ndikuar përgjatë shekujve nga kultura italiane, më saktë ajo veneciane dhe ajo britanike, për arsye të prezencës britanike në të gjithë këta ishuj. Pra, muzika e këtij territori grek është një muzikë mjaft e veçantë dhe shpresoj që publiku i Tiranës ta njohë dhe ta pëlqejë.

Në përfundim, dua të shtoj diçka që është shumë karakteristike e këtyre ishujve, një traditë e tyre shumë e thellë muzikore, që vjen nga fakti se vetëm ishulli i Korfuzit ka 4 mijë muzikantë dhe filarmonia, grupi muzikor i këtij ishulli është nga më të vjetrit, i krijuar rreth 1848-ës, një element ky që vlen të theksohet. Shumë faleminderit për këtë ftesë dhe mundësinë për prezantuar pak nga muzika greke për publikun shqiptar, së bashku me ambasadën e Francës, Bashkinë e Tiranës!”

Prezantimi i festës së muzikës:

E vendosur zyrtarisht në Francë, për herë të parë në 1982-in nga ministri i Kulturës, Jack Lang, festa e muzikës zhvillohet më 21 qershor (datë që koinçidon shpesh me ditën e parë të verës). Që prej asaj kohe, ajo ka pasur rrugëtimin e saj, është festuar dhe kthyer në një festë zyrtare në 102 vende në të gjitha kontinentet.

Festa e Muzikës ka për qëllim të promovojë muzikën në dy mënyra. Nën sloganin homofonik të emrit të saj, « Bëni muzikë! », ajo inkurajon muzikantët amatorë të luajnë muzikë vullnetarisht në rrugë dhe hapësira publike. Falë organizimit të shumë koncerteve falas, për amatorët por edhe profesionistët, kjo festë i jep mundësinë një publiku të gjerë të shijojë muzikë të të gjitha llojeve dhe origjinave (muzikë klasike, xhaz, rrok, muzikë botërore, tradicionale, etj) edhe muzikë të kënduar në të gjitha gjuhët.

Kalendari :

Sheshi “Shtraus” (te Xhamlliku) Ora 18 : 00 – 20 : 00
Sheshi te Fusha e Aviacionit Ora 18 : 00 – 20 : 00
Parku “Rinia” (përpara shatërvanit) Ora 18 : 00 – 20 : 00
Rruga “Ismail Qemali” (Banka Credins – ish-Blloku) Ora 18 : 00 – 20 : 00
Sheshi “Skënderbej” Ora 19 : 00 – 22 : 00
Kompania Capillotractée, nëpër akset kryesore të qytetit Ora 19 : 00 – 22 : 00

KOMENTE