English

Prezantohet projekti i terminalit multimodal të pasagjerëve. Shtyhet miratimi

Bashkia e Tiranës ka prezantuar, projektin e terminalit multimodal të pasagjerëve. Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar prezantimin e këtij projekti, në ditën e dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë, si një ogur të mirë edhe për standardin europian që po implementohet ne Tiranë.

“Jam shumë i lumtur sot që ky prezantim, një ditë para se ti shkojë për miratim Këshillit Bashkiak të qytetit të Tiranës, koinçidon pikërisht me këtë atmosferë positive të lajmit të shumëpritur të statusit, pasi në vetvete ky projekt nuk është asgjë më pak por edhe asgjë më shumë sesa jetësimi i një standardi europian, përmbushja e një premtimi për një Tiranë moderne e europiane, i një vizioni jo vetëm timin, tre vite më parë si kandidat por i gjithë qytetarëve të Tiranës, për t’i dhënë qytetit jo vetëm “arnimin” dhe riparimin e sezonit por perspektivën dhe vizionin që meriton si kryeqendra ekonomike, politike, kulturore dhe shpirtërore e Shqipërisë e shqiptarëve” - deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Përmes ndërtimit të terminalit multimodal të pasagjerëve, do ti jepet një zgjidhje përfundimtare disiplinimit dhe ofrimit cilësor të shërbimit të transportit në Tiranë dhe integrimit të tyre, trenit, transportit urban dhe interurban me autobus, taksive, parkimit për automjetet private dhe shërbimeve për udhëtarët. Terminali do të ndërtohet në hyrje të Tiranës dhe do të ofrojë shërbim për 75% të të gjithë fluksit të mjeteve të transportit publik.

Numri total i mjeteve që do t’u ofrohet shërbim në vitin 2015 është 231 dhe në 2035 llogaritet në 8524 mjete. Terminali do të ketë 340 vend-parkime; 5 platforma treni dhe 3 platforma për tramvajin. Në vitin e parë të operimit në terminal, do t’u shërbehet 60.000 pasagjerëve dhe në vitin 2035, 220 mijë udhëtarëve. Ndërtimi i terminalit do të mundësojë reduktimin e ndjeshëm të ndotjes në qytet. Afro 2500 litra nafte nuk do të digjen brenda qytetit çdo ditë, 5 - 6 tonë CO2 në ditë nuk do të emetohet në mjedis. Qyteti do të ketë 3.1 km parkim të lire, që sot zihet nga rreth 192 autobusë të linjave interurbane dhe ndërkombëtare.

Qyteti do të ketë çdo ditë 2310 mjete më pak në qarkullim, duke sjellë një çlirim të trafikut. Vlera e ndërtimit të këtij projekti është përllogaritur në afro 41 milionë euro, norma e brendshme ekonomike e kthimit është 20.58%, ndërsa ajo financiare është 17.2%, çka konfirmojnë fizibilitetin ekonomik dhe financiar të projektit. Ndërtimi i terminalit do të realizohet në partneritet publik - privat (PPP), çka do të thotë se i gjithë investimi, kosto e funksionimit dhe mirëmbajtjes përballohet nga investitori.

“Sa do u kushtojë ky projekt qytetarëve të Tiranës!?Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse pas kësaj është pyetja, ku janë lekët? E pra, këtu qëndron edhe zgjidhja bashkëkohore që Bashkia e Tiranës, bashkë me partnerët e saj i ka dhënë këtij problemi, kësaj pyetje dhe bashkë me problemin dhe pyetjen, edhe pyetjes nëse projekti mund të fillojë të realizohet dhe kur mund të realizohet. Përgjigja është se projekti mund të fillojë të realizohet menjëherë pasi Këshilli Bashkiak të bëjë të mundur hapjen e procedurave të koncesionit.Përgjigja është: Ky terminal i kushton qytetarëve të Tiranës, taksapagueseve të Tiranës, taksapagueseve shqiptarë, zero lekë. Fizibiliteti i lartë ekonomik dhe financiar, zbatueshmëria e lartë përmes fazave të projektit, interesi i madh i partnerëve, korporatave dhe i gjigandëve në këtë fushë do të bëjnë të mundur që menjëherë pas hapjes së rrugës nga vendimmarrja politike në Këshillin Bashkiak dhe përzgjedhjes përmes procedurave transparente koncensionare të koncesionit të ardhshëm, të nisë menjëherë puna” – u shpreh z. Basha.

Ndërkohë që nesër pritet që Këshilli Bashkiak të autorizojë Bashkinë e Tiranës të nisë procedurat e koncesionit, z. Basha ka kërkuar prej anëtarëve të Këshillit t’i hapin rrugë zbatimit sa më shpejt të këtij projekti.

“Zonja e zotërinj! Sot më 24 qershor 2014, Bashkia e Tiranës përmbyll me sukses këtë projekt, përmbush me sukses këtë premtim dhënë qytetarëve të Tiranës.Projekti është gati, financimi është gati, procedura koncensionare është gati, mbetet vetëm që përfaqësuesit e vullnetit të qytetarëve të Tiranës të thonë dhe të nisim menjëherë nga puna. Shpreh besimin se nesër, në vigjilje të finalizimit të lajmit për statusin, edhe Këshilli Bashkiak i Tiranës do të qëndrojë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve të Tiranës, do t’i shërbejë me përkushtim interesave të qytetarëve të Tiranës dhe do t’i shërbejë një të ardhmeje europiane të qytetit të Tiranës, duke marrë një vendim evropian dhe duke e kaluar dhe aprovuar në Këshillin Bashkiak hapjen e procedurave të koncesionit, hapjen e kapitullit të ndërtimit të terminalit multimodal të Tiranës të shekullit XXI-të, të Tiranës moderne dhe evropiane” – theksoi z. Basha.

*******************

Shtyhet miratimi i dhënies me konçesion të ndërtimit të terminalit miltimodal në Tiranë. Pas më shumë se dy orë debat, anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë vendosur të shtyhet për mbledhjen e radhës për shkak të parregullësive në bazën ligjore.

Këshilltarët e majtë kanë ngritur pretendimin se ligji për konçesionet ka ndryshuar, ndërkohë që proçedurat e paraqitura i përkisnin ligjit të vjetër.

Nga ana tjetër, nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo kërkoi që të miratohej dhënia me konçesion dhe përshtatja me ligjin e ri të bëhej më pas kur do të nevojitej, në mënyrë që t’i hapej rrugë fazës tjetër, asaj të shpalljes së garës dhe përzgjedhjes së kompanisë që do të fitojë konçesionin.

Projekti i terminalit multimodal u prezantua një ditë më parë nga Bashkia e Tiranës. Ky projekt parashikon ndërtimin e një stacioni për mjetet e transportit publik për linjat interurbane.

Këshilltarët kanë vlerësuar një projekt të tillë për kryeqytetin, por kanë lënë kohë që çdo proçedurë të bëhet sipas ligjit të ri

Në fund të mbledhjes Këshilli bashkiak ka miratuar projekt/vendimin për privatizimin e Klubit të Futbollit Tirana.

KOMENTE