Vrasja e Artan Santos në qendër të Tiranës, pak metra larg zyrës së tij duket se ka qenë e mirëpërgatitur. Dy autorët e dyshuar me motor kanë vepruar gjatë dhe kanë studiuar çdo lëvizje përpara se të kryenin vrasjen.
Janë të shumta informacionet në duart e prokurorëve që tregojnë se si autorët janë parë të lëvizin me motor pranë shtëpisë së bankierit të njohur gjatë mëngjesit, në pritje të daljes së tij nga shtëpia.
Burime të prokurorisë flasin se autorët dyshohet se kanë studiuar rrugëtimin e zotit Santo nga shtëpia deri në punë dhe jo rastësisht kanë zgjedhur selinë e bankës.
Autorët kanë pritur daljen e tij nga shtëpia dhe kanë ndjekur makinën që ka ecur përkrah godinës së Radio Televizionit Shqiptar, për të dalë më pas përpara tij dhe Ambasadës Italiane.
Makina e ndjekur nga dy vrasësit me pagesë ka kaluar më pas në rrugën që të çon për tek Kryeministria. Fotoja e marrë nga kamerat e sigurisë në kryqëzimin përpara Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit tregon se si makina ndiqej hap pas hapi nga motori me dy personat.
Më pas automjeti është drejtuar përpara zyrave të Kuvendit të Shqipërisë për të përfunduar në hyrje të ish-Bllokut, ku u krye edhe ekzekutimi.
Pas kësaj do të mjaftonin më pak se dy ose tre minuta që të ndodhte krimi, ku motori ka parakaluar makinën e të ndjerit, e ka pritur atë tek shkallët e hyrjes qëndrore të bankës dhe kanë qëlluar 6 plumba.
E gjithë kjo skenë, e filmuar nga kamerat e sigurisë së bankës, përpara vendqëndrimit të rojës private dhe një polici me motor që ndodhej disa metra më tej, ka zgjatur më pak se 20 sekonda, bëjnë të ditur organet e hetimit.
Pas kryerjes së vrasjes, motori me dy personat është larguar me shpejtësi në drejtim të Librit Universitar, ku është kapur në kryqëzimin mes kësaj librarie dhe Presidencës nga kamerat e sigurisë. Pasi kanë kaluar përmes zonës së banuar në zonën e liqenit, autorët më pas kanë humbur çdo gjurmë./Top Channel/