English

Ligji i ri “Për Policinë e Shtetit”. Ndryshon paga e policëve

S. Topi - Rishikohet sistemi i gradave dhe pagave për punonjësit e Policinë e Shtetit. Ligji i ri “Për Policinë e Shtetit”, i mbërritur tashmë në Kuvend, përcakton njehësim të gradës me funksionin dhe më tej përcaktimin e fitimit financiar në bazë të funksionit të ri duke shënuar një rritje të ndjeshme. Kështu paga e një koloneli duke llogaritur pagën mujore për pozicion, gradë dhe klasë por dhe shtesat mbi bazë kualifikimi apo pune me natyrë të veçantë shkon në 105.850 lekë. Në një kohë që paga e një rreshteri shkon në 56.900 lekë. Drafti me 145 nene sjell risi edhe në kriteret për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Policisë, parashikon një organizim më fleksibël të policisë si dhe përcakton më saktë rolin e ministrit në raport me policinë. Projektligji përcakton që ruajtja dhe sigurimi i personaliteteve të larta shtetërore e të objekteve me rëndësi të veçantë tashmë do të jetë përgjegjësi e Policisë së Shtetit ndërkohë e Garda e Republikës e cila kishte më parë këtë kompetencë, bëhet strukturë e veçantë e Policisë së Shtetit shkruan "Shekulli".

Gradat

Ligji i ri i policisë tashmë përcakton vetëm llojin e gradave në Policinë e Shtetit dhe jo llojet dhe gradat sipas niveleve, siç janë të përcaktuara në ligjin aktual. Gradat sipas rendit rritës tashmë do të jenë: Inspektor, Nënkomisar, Komisar, Kryekomisar, Drejtues, Drejtues i parë, Drejtues i lartë dhe Drejtues madhor. Po ashtu, ndryshimi qëndron dhe në faktin se janë hequr gradat “Nëninspektor”, “Kryeinspektor”, ndërsa dhe gradat “zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” dhe “drejtor i Përgjithshëm” janë zëvendësuar përkatësisht me “Drejtues i lartë” dhe “Drejtues madhor”. Më tej vendoset që hierarkia e punonjësve të Policisë përcaktohet nga grada, nga funksioni, për punonjësit me të njëjtën gradë, dhe nga vjetërsia në gradë, për punonjësit me gradë e funksion të njëjtë. Grada “Inspektor” i jepet punonjësit të policisë nga Drejtori i Policisë së Shtetit kur përfundon arsimin policor, ndërsa fitimi i gradës nga “Nënkomisar” deri “Drejtues i parë” bëhet nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues. Gjithashtu, përcaktohet se fitimi i gradës bëhet vetëm për të plotësuar vendet e lira për çdo gradë dhe vetëm për gradën pasardhëse. Kompetenca për përcaktimin e tabelës së funksioneve korresponduese për çdo gradë i është lënë Këshillit të Ministrave në një kohë që përcaktohet se çdo funksioni i caktohet grada korresponduese dhe se për funksione të njëjta caktohen grada të ndryshme, që lidhen me përgjegjësitë e funksionit apo dhe kategorizimin e strukturës.

Hierarkia dhe emërimi

Drafti i mbërritur tashmë në Kuvend sjell një ndarje të re hierarkike të drejtuesve të Policisë se Shtetit në tre nivele, përkatësisht, drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë dhe shefi i Komisariatit. Drejtori i Policisë së Shtetit, si autoriteti më i lartë ekzekutiv, administrativ e operacional i Policisë, përgjigjet drejtpërdrejt para ministrit për realizimin e politikave dhe objektivave të përcaktuara ndërsa drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë përgjigjet para drejtorit të Policisë së Shtetit për rendin e sigurinë publike në juridiksionin e kësaj drejtorie. Shefi i komisariatit, si drejtues i nivelit taktik në territorin që mbulon përgjigjet para drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë për rendin e sigurinë publike në juridiksionin e komisariatit të policisë. Ndërsa sa u përket emërimit dhe lirimit nga detyra të autoriteteve policore tashmë caktohen kritere të reja në mënyrë të veçantë për drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit. Në nenin 12 përcaktohet se Këshilli i Ministrave emëron drejtor të Policisë së Shtetit një nga tre kandidaturat e propozuara nga ministri, i cili i përzgjedh ndërmjet punonjësve të policisë me gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues i parë”. Po ashtu përcaktohet se ai qëndron në detyrë për një periudhë prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi për një periudhë prej tre vjetësh. Ndërkohë që ministri emëron zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit, duke përzgjedhur një nga tre kandidaturat e propozuara nga drejtori i Policisë së Shtetit, që mbajnë gradën “Drejtues i parë”. Zëvendësdrejtori qëndron në detyrë për një periudhë prej katër vjetësh, me të drejtë riemërimi për një periudhë prej dy vjetësh. Ndërsa neni 14 përcakton së në mbarim të mandatit, drejtori i Policisë së Shteti nuk rikthehet në strukturat e policisë. Për këtë qëllim, në ligj është parashikuar si garanci trajtimi financiar i veçantë për drejtorin e Policisë së Shtetit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë që ndryshon situata për zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit i cili kur lirohet nga detyra, ai rikthehet në strukturat e policisë me gradën që mbante para emërimit në detyrën e zëvendësdrejtorit.

Sa u përket detyrave, Policia e Shtetit sipas ligjit të ri duhet dhe të garantojë ruajtjen dhe sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore dhe të huaja, si dhe e objekteve të rëndësisë së veçantë. Ndërkohë që çdo punonjës i policisë gëzon funksionet dhe atributet e policisë gjyqësore, në përputhje me legjislacionin procedural penal dhe ligjin për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore. Sa i përket organizimit projektligji përcakton se nuk kemi strukturë organizative në nivel Drejtorie të Përgjithshme, por Drejtorinë e Policisë së Shtetit, të organizuar në struktura organizative hierarkike në nivel Drejtorie të Përgjithshme, drejtorish dhe sektorësh.

Përfitimet, kredi të buta për policët

Sipas projektligjit të ri punonjësi i policisë gjatë qëndrimit në detyrë ka përparësi financiare në raport me strukturat e tjera të administratës shtetërore. Kështu në nenin 64 ndryshe nga ligji aktual caktohet se punonjësit e policisë, në funksion të përmbushjes së detyrës së tyre, përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë, për shërbime shëndetësore të cilat nuk janë pjesë e paketave të shërbimit shëndetësor që ofrohet nga Fondi për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, por edhe të drejtën që i jepet punonjësit të policisë për t’u trajtuar me kredi të butë për strehim. “Punonjësi i policisë përfiton kredi për strehim me një interes në masën 3%. Rimbursimi i interesave të kredisë ndërpritet për punonjësin e policisë vetëm në rastin kur ai/ajo përjashtohet nga Policia. Kriteret për përfitimin e kredisë për strehim dhe masa e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, - thuhet në nenin 55 të draftit të propozuar nga Qeveria. Po ashtu punonjësit të policisë i paguhet qiraja kur emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda dhe jashtë shtetit. Ndërkohë që rregullat për sigurimin e jetës përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Neni 68 përcakton të drejtën e punonjësit të policisë për mbrojtje të veçantë kur i kërcënohet jeta, familja dhe prona e tij për shkak të detyrës. Sa i përket punonjësit të policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit ai përfiton: pagesë kalimtare, pension të parakohshëm suplementar; pension shërbimi dhe pension suplementar pleqërie. Përcaktimi për secilën nga këto kategori përcaktohet sipas kritereve të posaçme të caktuara në nenet 70-74 të këtij projektligji.

Struktura e re, caktohet si do të funksionojë Byroja e Hetimit

Ligji i ri “Për Policinë e Shtetit” përcakton krijimin dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një strukturë e re që nuk ka funksionuar më parë. Objekti i punës së kësaj strukture do të jetë veprimtaria gjurmuese dhe hetimore në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe të veprimtarisë së organizuar kriminale. Sipas nenit 26 të këtij projektligji përcaktohet se kjo strukturë ushtron kompetencat në gjithë territorin e vendit duke përcaktuar një raport llogaridhënës para drejtorit të Policisë së Shtetit për veprimtarinë gjurmuese dhe para Prokurorit për veprimtarinë hetimore procedurale. Neni 27 përcakton se në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit është drejtori, i cili emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit ose të prokurorëve në detyrë. “Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit emërohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Policisë së Shtetit për një periudhë katërvjeçare dhe në momentin e emërimit i jepet grada “Drejtues i lartë”. Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit ose të prokurorëve në detyrë. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e mëparshëm ose në një funksion të barasvlefshëm me vendin e mëparshëm”, - saktësohet në nenin 27. Sa i përket kritereve, Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të ketë arsim policor ose juridik; të ketë gradën policore “Drejtues i parë” për punonjësin e policisë; të ketë eksperiencë mbi 10 vjet në hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda; të ketë aftësi të larta profesionale; të ketë cilësi të larta morale dhe të mos jetë nën efektet e një mase disiplinore. Lirimi nga detyra i Drejtuesit të Byrosë ndodh kur: përfundon afatin e qëndrimit në detyrë; jep dorëheqjen; mbush moshën e pensionit apo i hiqet ose i kufizohet zotësia për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë.

Ndërsa shkarkimi i tij ndodh kur dënohet me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale; për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës; për sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij apo për shkelje të rënda dhe shumë të rënda të disiplinës në ushtrimin e funksioneve të Policisë Gjyqësore, sipas ligjit përkatës. Lirimi nga detyra bëhet me propozimin e drejtorit të Policisë së Shtetit. Për shkak të natyrës së veçantë të detyrës, në ndryshim nga punonjësit e tjerë të Policisë së Shtetit në nenin 33, është përcaktuar se paga dhe shtesa mbi pagë për punonjësin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

KOMENTE