English

4 pistat ku po hetohet vrasja e bankierit Santo

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha foli për pistat në të cilat hetohet vrasja mafioze e bankierit Artan Santo.

Sipas Hoxhës, janë katër pista ku po fokusohen hetimet:
Pista e parë lidhet me përfshirjen e bankës “Credins” në transaksionet e shitjes së rafinerisë së naftës “ARMO” te një kompani nga Azerbajxhani pak kohë më pare.

Pista e dytë lidhet me sasisë e kokainës së kapur në Malin e Zi në fillim të këtij muaji, ku vlera e saj prej rreth 120 milionë dollarësh do të transferohej jashtë shtetit nëpërmjet një banke private shqiptare .

Pista e tretë ka të bëjë me konflikte të ndryshme biznesi që Santo mund të ketë pasur në Shqipëri me ortakë apo klientë të tij. Këtu përmenden ndoshta ekzekutime kolaterali nga huamarrës pranë bankës së tij.

Pista e katërt lidhet me një skenar të jashtëm i cili synonte destabilizim të vendit, pas goditjes së sistemit financiar shqiptar, duke qenë se banka e Santos është një nga katër bankat më të mëdha në Shqipëri dhe që zotëron një pjesë të mirë të tregut. Eleminimi i këtij bankieri të shquar do të mbillte pasiguri në vend.

Sipas Hoxhës prokuroria është përqendruar në këto pista dhe po heton për të zbuluar ekzekutimin që tronditi mbarë opinionin publik në vend.

Ai gjithashtu u shpreh se në dijeninë e tij vetëm në Tiranë janë rreth 4-5 vrasës me pagesë, por që organet e hetimit nuk i kanë gjetur prova për t’i akuzuar.

Artan Hoxha është gazetar i njohur i kronikës dhe drejtues i emisionit “Xhungël” në News 24, media e cila ishte në bashkëpronësi të bankierit Artan Santo. / E Vërteta.al /

KOMENTE