Çfarë duhet të bëni dhe çfarë nuk duhet të bëni që këmbët tuaja të mbeten të shëndetshme
Ushqim i pasur me fibra
Është një fakt tashmë i njohur mirë që ushqimi i pasur me fibra ndihmon në parandalimin e shfaqjes së venave varikoze (variceve). Kur konsumohen në sasinë e duhur, ushqimet e pasura me fibra ndihmojnë në shmangien e kapsllëkut, i cili rrit presionin abdominal dhe, për pasojë, mbingarkon sistemin venoz.
Frutat dhe vera
Dihet se lëndë të tilla antioksidante të fuqishme si vitamina C dhe bioflavonoidet, të cilat gjenden në frutat e freskëta, lëngun e frutave dhe gjithashtu në verë, mbrojnë shtresën e kolagjenit të mureve të enëve të gjakut. Kolagjeni është i rëndësishëm për ruajtjen e formës normale dhe të fortësisë së venave.
Ushtrimet e përshtatshme
Fuqia e tkurrjes së muskujve të pasëm të kërcirit të këmbëve (pulpave) është faktor i rëndësishëm për një kthim venoz normal. Duke shtrënguar venat e këmbëve, muskujt e pasëm të kërcirit mbajnë dhe shtojnë qëndrueshmërinë e mureve dhe valvulave të venave. Për këtë arsye, kryerja e ushtrimeve të caktuara, me qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë dhe fuqisë së muskujve të pasëm të kërcirit, ndihmon në mënyrë shumë efikase venat tuaja.
Mbajtja e çorapeve të llastikut
Mbajtja e çorapeve të llastikut është e këshilluar veçanërisht kur ju duhet të qëndroni në këmbë, apo të ecni, për periudha të gjata kohore gjatë ditës. Shtrëngimi që sigurojnë çorapet e llastikut ndihmon qarkullimin e gjakut në këmbët tuaja. Duke kundërshtuar presionin që ushtrohet nga brenda venave, çorapet e llastikut ndihmojnë venat që të kthejnë gjakun mbrapsh në zemër.