English

Parimet mbi të cilat duhet të kryhet reforma administrative-teritoriale

Përfaqësues të 378 njësive të qeverisjes vendore dhe këshillave të qarqeve kanë miratuar rezolutën e përbashkët, ku i kërkojnë mazhorancës thellimin e reformës së decentralizimit dhe zgjerimit të autonomisë vendore, riorganizim të arsyeshëm e të përshtatshëm të territorit që të respektojë dhe të ketë në qendër të vëmendjes interesat e qytetarëve dhe komuniteteve vendore, të drejtën e tyre për t’u vetëqeverisur, për t’u pyetur dhe dëgjuar për çdo ndryshim.

Platforma për reformën e vetëqeverisjes vendore, përbëhet nga këto parime:



Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.
Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.
Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse.
Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.
Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.


Kryetari i shoqatës së bashkive, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha ka bërë të ditur që në nisje të fjalës së tij, duke hedhur poshtë çdo spekulim lidhur me hartë, të opozitës. Zoti Basha, edhe në emër të përfaqësuesve të 386 njësive vendore ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, se interesi i vetëm i tyre është gjetja e mënyrave për t’u shërbyer më mirë qytetarëve.

“Sot, ka pasur shumë spekulime. Qeveria dhe media afër saj kanë thënë se kemi dalë sot këtu për t’ju dhënë një variant dhe një hartë, se e gjithë kjo është bërë që edhe ne të kemi hartën tonë. Të tjerë kanë thënë se opozita do të kërcasë dhëmbët e do të nisë betejën politike, por në fakt asnjëra dhe as tjetra nuk qëndrojnë, të dyja janë pjesë të një mentaliteti kryekëput larg realitetit, larg qytetarit dhe bazuar vetëm në interesin e ngushtë politik, interes që jo rrallë herë ka verbuar dhe shurdhëruar pushtetarët në këtë vend dhe jo vetëm. Sot, jemi mbledhur këtu, si mbartës të mandateve përfaqësuese, të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, pa dallime politike, të shtyrë pikërisht nga interesi i qytetarëve shqiptarë. Si mund të mundësojmë më shumë investime dhe investime më cilësore, shërbime më të shpejta, e më të pakushtueshme, barrë fiskale të përballueshme, transparencë dhe llogaridhënie?!

Ky është interesi që na ka mbledhur këtu në këtë sallë dhe ana tjetër e medaljes është frika jo në emrin tonë, as të njësive që ne përfaqësojmë, por në emër të qytetarëve shqiptarë dhe të këtij vendi se diku, disa, janë ulur që në fillim të këtij procesi, jo me interesin më të mirë të qytetarëve në mendje por me interesa dhe llogari paraelektorale, elektorale dhe politike në mendje dhe në zemër”- u shpreh z. Basha.

Zoti Basha ka theksuar se në qendër të kësaj reforme duhet të jetë interesi qytetar, shërbimi ndaj qytetarëve dhe jo harta, siç e ka përcaktuar si prioritet mazhoranca.

“Pse jemi skeptikë? Sepse e kanë nisur dhe duan ta përfundojnë vetëm me hartën, sepse s'kemi dëgjuar asnjë fjalë të vetme se si mund të fuqizohet pushteti vendor, se si mund të bëhet më i aftë, më i fortë, më transparent, më llogaridhënës, më përgjegjës dhe më përgjigjës ndaj qytetarëve. Harta, harta, harta....37, 26, 47, një lojë e turpshme kungulleshash, një mjegullnajë që përpiqet djallëzisht ta lodhë qytetarin shqiptar e ta largojë nga kjo vendimarrje kyç për pyetjet kryesore të përditshme, se si do të jetë shkolla ku do të çojë fëminë, nëse do të ketë vend në kopësht, a mund të ketë ngrohje, se kur do të rregullohet gropa e rrugës, kur do të kemi ujë 24 orë, apo çështje të tjera më të rëndësishme”.

Kryetari i shoqatës së bashkive dhe lideri i opozitës Lulzim Basha ka shprehur gadishmërinë, për tu ulur e diskutuar me mazhorancën, për të arritur në një reformë reale, ku të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve dhe produkti final t’u shërbejë atyre.

“I bëj thirrje mazhorancës të reflektojë dhe të japë konsensusin politik, si një minimum për t’i hapur derën një diskutimi gjithëpërfshirës dhe të vërtetë. Jemi gati të ulemi e të gjejmë “pegasusin” e duhur, për të bërë këtë kapërcim që është një thirrje e Shqipërisë bashkëkohore e jo për tu llokoçitur në llumrat e errët e kohëve më të errëta të këtij vendi. Nuk paragjykojmë asgjë, por le të ulemi për të bërë atë që vërtet është reformë! Decentralizimin, fuqizimin e pushtetit vendor e më pas pa dyshim edhe derivatet mbi territorin, konsolidimi territorial. Ka kohë të mjaftueshme, nëse ka vullnet. Kemi treguar se kur ka vullnet ka pasur e është gjetur kohë edhe për problem nga më meskinet. Ju kujtohen çertifikatat e 2007-ës, besoj! Nga ana jonë ka vullnet, nga ana jonë nuk ka teka. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, asgjë më shumë se sa standardi europian, standardi demokratik i këtij vendi në 23 vite por nuk mund të pranojmë asgjë më pak.”

KOMENTE