English

Shtohen taksa të reja. Nga do të vilen?

Të gjithë ata që zotërojnë një automjet ose një kartë telefoni celular do të paguajnë dy taksa të reja. Ministria e Financave ka hartuar një projektligj, që javën e ardhshme do te dorëzohet për diskutim në Kuvend. Sipas këtij drafti, në ligjin për taksat kombëtare bëhen dy ndryshime. Së pari, do të vendoset një tarife e re për shërbimin e urgjencës mjekësore, e cila paguhet në masën 50 lekë në vit për çdo kartë telefonike SIM të përdorur shkruan "thealbanian".

“Operatorët e licensuar të komunikimeve elektronike për telefoninë celulare, duhet të vjelin tarifën nga çdo person, i cili ka një numër të regjistruar në emrin e tij, në momentin e kryerjes së pagesës së shërbimit telefonik nga ana e abonentit. Për numrat në përdorim me parapagesë, kjo tarifë parapaguhet nga ana e operatorit telefonik që mbulon shërbimin”, theksohet në projektligj.

Taksa e dyte do te paguhet nga te gjithë ata qe kane një automjet. Ajo është në masën 1 mijë lekë në vit për çdo autoveturë, si dhe 1500 lekë në vit për automjetet e tjera me gjatësi aksi, numër vendesh dhe tonazh më të madh. Edhe te ardhurat nga kjo takse, do te shkojnë për urgjencën mjekësore.

“Kjo pagesë është e detyrueshme të bëhet së bashku me pagesën e taksës së qarkullimit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj tarife brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit”, theksohet ne projektligjin e Ministrisë së Financave. Shtimi i këtyre dy taksave të reja pritet të diskutohet duke filluar nga dita e hënë në komisionet parlamentare

KOMENTE