English

PD: përballje dhëmbë për dhëmbë dhe sy për sy me krimin

Kryetari i Partisë Demokratike: Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë betejë me një përballje dhëmbë për dhëmbë dhe sy për sy me krimin, derisa e keqja të mposhtet dhe e mira të triumfojë


“Sot, në një akt politik të urdhëruar nga Edi Rama, përfaqësuesit e mafias dhe krimit në aulën e Kuvendit goditën opozitën, dhunuan fizikisht sekretarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gent Strazimirin. Genti Strazimiri sapo kishte përfunduar fjalën e tij ku shprehu me objektivitet dhe shqetësim të thellë qytetar gjendjen e mjerueshme të rendit, gjendjen e pasigurisë dhe të kriminalitetit në Shqipëri dhe përgjegjësitë politike të dyshes Rama-Meta për këtë situatë dhe menjëherë pas kësaj fjale, Edi Rama urdhëroi banditë të veshur me mandate deputeti të dhunonin fizikisht opozitën, të dhunonin fizikisht fjalën e lirë, të dhunonin fizikisht Gent Strazimirin, si një akt i mirëfilltë kërcënimi për të mbyllur gojën dhe për të shuar fjalën e lirisë edhe në tempullin e demokracisë që është dhe duhet të jetë Kuvendi i Shqipërisë.

U bënë tashmë më shumë se 10 muaj që opozita ka denoncuar me fakte dhe prova depërtimin e krimit në politikë, në administratë, në shtet, në qeveri dhe në Parlament. Denoncuam zhbërjen e Policisë së Shtetit dhe rikthimin aty jo vetëm të klientelës politike të dyshes Rama-Meta por edhe të personave me precedentë dhe lidhje të shkurtra kriminale.

Në vend të reflektimit erdhi përkeqësimi që sot është i prekshëm për çdo qytetar në gjendjen e rendit dhe sigurisë. Denoncuam me fakte dhe me prova të inkriminuarit, narkotrafikantët, anëtarë dhe drejtues të bandave kriminale në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë që Edi Rama dhe Ilir Meta i kanë veshur me pushtet nga Tropoja në Sarandë, nga Durrësi në Korçë. Asnjë reflektim. Denoncuam lidhjet e tyre me narkotrafikun i cili pushtoi qiejtë e Shqipërisë por në vend të një reflektimi, pazaret e pista e kthyen në një farsë atë që duhet të jetë pararojë e luftës tonë për integrim europian, luftën kundër krimit të organizuar, kundër narkotrafikut dhe korrupsionit, duke e kthyer në një shfaqje të turpshme ndërkohë që bosët e krimit dhe narkotrafikut luftojnë për të kapur dhe zgjeruar tregjet e tyre, jo më nën hundën, por si pjesë e shumicës Rama-Meta. Denoncuam kapjen e institucioneve të pavarura, tentativën për të nënshtruar, frikësuar dhe poshtëruar këdo që ishte jashtë oborrit të pushtetit okult të dyshes Rama-Meta.



Por sot përvijohet qartë për çdo qytetar shqiptar se kjo është një strategji e mirëfilltë, fillesat e së cilës datojnë që nga viti 2009 në platformën politike për të kapur pushtetin me çdo kusht duke angazhuar dhe përfshirë krimin, kriminelët dhe bandat dhe që kulmuan me zgjedhjet e 23 qershorit, ku kjo aleancë e krimit me Edi Ramën dhe Ilir Metën mori formë përmes veshjes me mandate politike të personave botërisht të njohur si përfaqësues të krimit të organizuar.

E gjitha kjo nuk është as më pak e as më shumë se ajo që ka paralajmëruar sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, apo europarlamentari i nderuar Joseph Doll, si një rrezik eminent për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, një oligarki kriminale mafioze e cila përpiqet të zëvendësojë demokracinë reale, pushtetin e qytetarëve dhe përfaqësimin e qytetarëve.

Sot ky skenar jo vetëm është në veprim, por u kurorëzua me aktin më flagrant, me goditjen e opozitës parlamentare. Opozita ka marrë një vendim prej kohësh dhe vendimi është, të përballet me çdo kusht dhe me çdo çmim jo për interesat e saj, por për interesat e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre, për të mos e lejuar Shqipërinë të devijojë nga rrugëtimi europian drejt një realiteti oriental sirian, për të mos lejuar zëvendësimin e vlerave të vërteta të qytetëruara europiane të cilave u përkasim, i duam dhe do ti bëjmë realitet në këtë vend, në realitetin e krimit të organizuar, në ralittein e narkotrafikut, që dukshëm, është kapur, është shndërruar në një instrument politik të dyshes Rama-Meta. Ajo që ndodhi sot në Parlament ishte prova më skajore, por jo e para, e faktit, që dyshja Rama – Meta ka ndërtuar një infrastrukturë dhune të cilën e përdor për t’i mbyllur gojën opozitës, po e kanë të kotë. Opozita do të vazhdojë të denoncojë lidhjet kriminale dhe praninë kriminale në gjirin e kësaj shumice në emërtim, por që është pakicë në vlera. Do të vazhdojë t’i përballë ata me fytyrën e vërtetë të krimit që po përdorin dhe që po merr peng aspritat e atyre që i kanë votuar më 23 qershor. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me një përballje dhëmbë për dhëmbë dhe sy për sy me krimin derisa e keqja të mposhtet dhe e mira të triumfojë. Do ta nisim duke lëshuar një sinjal të fortë kësaj dysheje, që përdor mjete kriminale për t’i mbyllur gojën opozitës, mbarë opinionit publik dhe qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar, në raport me atë që është katandisur në strehën e krimit në raport me atë që duhet jetë Kuvendi i Shqipërisë por që sot është një rifuxhio e njerëzve që duhet të jenë para drejtësisë si anëtarë dhe si drejtues të krimit të organizuar në Shqipëri dhe më gjerë. Do ta nisim duke ndërprerë deri në vendimet tona të tjera të gjitha marrdhëniet me këtë strehë të krimit, por duke u përballur me vendosmërinë më të madhe me kriminelët të veshur apo jo me pushtet politik nga dyshja Rama-Meta që i dirigjon ata.

Do zhgënjehen ata që mendojnë se do i mbyllin gojën opozitës. U them sot çdo demokrati anembanë Shqipërisë dhe çdo qytetareje dhe qytetari të lirë shqiptar se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare janë në këmbë dhe në ballë të një beteje që do ta fitojnë për hir të Shqiperisë europiane, për hir të çdo qytetari dhe për hir të fëmijëve të shqiptarëve në këtë vend”.

KOMENTE