Ministrja e Arsimit dhe Sportit mori pjesë pasditen e djeshme në festën e maturantëve të qarkut të Tiranë, të cilët i uroi për rezultatet e tyre dhe përsëriti edhe një herë se ata, nxënësit e shkëlqyer, janë modelet që duhet të kultivohen fort.
Duke u përkulur para përkushtimit të tyre, Ministrja vlerësoi veçanërisht maturantët e Qarkut të Tiranës të cilët, në drejtim të investimeve, nuk e kanë pasur të thjeshtë rrugën e tyre drejt suksesit, por që megjithatë ia kanë dalë.
“Rruga drejt suksesit për ju nuk ka qenë e njëjtë me maturantët e tjerë , pasi ju është dashur të përshkoni rrugë më të vështirë në kuptimin e investimit, por falë pasionit , përkushtimit dhe talentit tuaj, jo vetëm që ia keni dalë, por e keni bërë shembullin tuaj të jetë një shembull plot shkëlqim. Si një nënë , si mësuese, si Ministre e Arsimit dhe Sportit, përkulem para jush me gjithë dashurinë e zemrës, për gjithë përkushtimin tuaj ndaj dijes”, tha Lindita Nikolla.
Ministrja u shprehu maturantëve gjithë përkushtimin e saj për të mos lënë vetëm edhe në rrugën e re që ata do të nisin, në Arsimin e Lartë , për të vendosur edhe aty standardet e meritokracisë .
“Ju jeni arsyet e mendjes dhe zemrës se përse ne do ia dalim në rrugën tonë të integrimit, ta bëjmë Shqipërinë Evropiane, në çdo cep ku jetojnë njerëz të zakonshëm, por që ia kanë dalë të jenë të jashtëzakonshëm . E jashtëzakonshme është rruga dhe suksesi juaj” përfundoi Ministrja.